14 të arrestuar në Spanjë për trafikim të shqiptarëve dhe drogës

Autoritetet spanjolle shkatërruan një organizatë të trafikimit të shqiptarëve si dhe të lëndëve narkotike drejt Anglisë, duke arrestuar 14 persona, ndërsa kapoja i bandës ishte një shqiptar.

Spanja përdorej si pikë nisje e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm që në të shumtën e rasteve ishin shqiptarë. Nisja bëhej nga portet e Santanderit dhe Santurces.

Të arrestuarit akuzohen për krime kundër të drejtave të qytetarëve të huaj dhe trafikun e narkotikëve. Nuk dihet ende identiteti i shqiptarit që ishte truri i grupit, por ai banonte në Cantabria, aty ku strehonte përkohësisht edhe bashkatdhetarë të tij që më pas niseshin për në Angli.

Shqiptarët hipnin në tragetet që niseshin nga Santander e Santurce drejt Britanisë së Madhe, të fshehur në kamionë mallrash.

Grupi bashkëpunonte me disa shoferë spanjollë që fshihnin shqiptarët në mjetet e tyre dhe i çonin në Francë, prej nga shkonin më pas në Angli me traget.

Shqiptarët paguanin deri në 6000 euro për emigracionin klandestin, ku një pjesë paguhej në Spanjë dhe pjesa tjetër kur mbërrinin në Angli.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne