Tensione në Mal të Zi, deputeti serb kërcënon me luftë/ Forcat speciale rrethojnë Parlamentin (VIDEO+FOTO)

Tensione dhe dhune ne Parlamentin e Malit te Zi, pas diskutimit te Ligjit per Lirite Fetare. Pjesetarët e sigurimit të Kuvendit të Malit të Zi në orët e vona të natës nxorrën me dhunë nga salla deputetët e opozitës serbe të Frontit Demokratik (FD), pasi bllokuan votimin e Ligjit për Liritë Fetare. Ata më pas me furgonë policie janë dërguar në Qendrën e Sigurimit shtetëror në Podgoricë.

Deputetët serbe shkaktuan incidente në sallën e Kuvendit, duke bllokuar foltoren e kryeparlamentarit Ivan Brajoviç, ndërsa nuk munguan thirrjet për luftë, fyerje të rënda dhe tentime për përplasje fizike.

Një nga deputetët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiç bëri thirrje për luftë, duke kërkuar që të jenë në gatishmëri të gjithë bashkëluftëtarët e tij që ishin në luftërat e viteve të 90 dhe ato të 99, siç tha ai.

Por, kryetari i Kuvendit, Brajoviç kërkoi që Mandiç të mbajë llogari dhe përgjegjësi se po bën thirrje për luftë. Maxhoranca malazeze me deputetët e komuniteteve tjera refuzuan ndryshimet e paraqitura nga mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe (SPC) në Ligjin për Lirinë e Fesë.

Debati në Parlamentin Malazez për Ligjin për Lirinë e Fesë përfundoi në 26 Dhjetor rreth orës 20:00, ku ligji mori dritën jeshile. Në fjalën e tij përmbyllëse, Kryeministri Dusko Markoviç paralajmëroi anëtarët e Frontit Demokratik të opozitës të mos kërcënojnë dhe i hodhi poshtë kërcënimet si të padenjë.

Bllokada në rrugët e disa qyteteve

Mediat malazeze raportojnë për bllokime të rrugëve në Podgorica, Berane, Bijelo Polje, Budvë, Niksiç, Bar, Tivat dhe Herceg Novi. Policia në disa zona ka arritur të zhbllokojë rrugët dhe se ka ndaluar aktivistë të partisë FD, por pjesëtarët e policisë janë përballur me sulme nga turmat. Presidenti i Këshillit për Kontrollin Civil të Policisë, Aleksandar Zekovic, dënoi sulmet ndaj policisë gjatë bllokimit të rrugëve në Mal të Zi.

Zyra e Prokurorit të Shtetit tha se po ndjek thirrjet e deputetëve serb e personave të tjerë, të cilët mund të përballen me vepra penale për thirrjet për një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues, kryengritje të armatosur, provokimin e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare dhe vepra të tjera të ndjekura.

Çka parasheh Ligji për Liritë Fetare

Qeveria e Malit të Zi miratoi në fillim të dhjetorit një Propozim të ri për një Ligj mbi Lirinë e Fesë dhe statusin Ligjor të Komuniteteve Fetare, i cili nuk është i pranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Një nga dispozitat e ligjit është që objektet fetare dhe pronat e komuniteteve fetare, gjegjësisht kishat dhe manastiret e Kishës Serbe që deri në vitin 1918 kanë qenë në pronësi shtetërore, sërish të bëhen prone e shtetit. Kjo do të ndodhë kryesisht me ato objekte dhe toka që nuk kanë prova të pronësisë./ INA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne