Shqiperia

18-vjeçari vdiq në burgun e Shënkollit, ekspertët e Avokatit të Popullit nisin hetimet për ngjarjen

Vetëm dy ditë më parë 18-vjeçari Albi Luka në paraburgimin e Shënkollit, ka humbur jetën. Për këtë ngjarje të rëndë kanë nisur hetimin edhe ekspertët e Avokatit të Popullit, për të gjetur shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së të riut. Kjo nismë është marrë me urdhër të Igli Totozanit, Avokatit të Popullit.

“Ekspertët e Avokatit të Popullit, pas raportimit në media të dyshimeve të familjarëve të të riut për ushtrim dhune ndaj tij, do të bëjnë verifikimet e domosdoshme, në përputhje me kompetencat që i njeh ligji. Ekspertët e Avokatit të Popullit do të kërkojnë informacione nga autoritetet drejtuese të IEVP-së së Shën Kollit, si dhe do të takohen me familjarët e të riut që humbi jetën”- thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Sipas familjarëve të 18-vjeçarit, konkretisht njerkut të tij Ardian Korra, ku ky i fundit shpehet se kishte folur me djalin pak orë përpara se ai të merrte aktin ekstrem dhe nuk kishte shfaqur asnjë problem.

“Fola me djalin në mëngjes dhe nuk kishte asnjë problem. Pas 3-4 orësh më njoftuan nga Policia për ngjarjen. Drejtori i Burgut në Shën Koll më tha se djali kishte pirë gaz. Albi ka dëmtime në kokë dhe ne dyshojmë se e kanë vrarë. Më thanë se i kanë bërë autopsinë, por nuk u besoj. Pse duhet të bënin autopsinë në kokë”, tha Ardian Korra.(J.V/Shuplaka)

OPINIONE

INTERVISTA