19 prill, raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri

Në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve është vendosur që raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të mbahet më datë 19 Prill. Për zgjedhjen e Presidentit të ri duhen 84 vota në parlament.

Në nisje të seancën plenare, Meta njohu deputetët me vendimin: “Me konsensus në Konferencën e Kryetareve ramë dakord që të nisin procedurat parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri. Raundi i parë zhvillohet, të mërkurën e javës që vjen më datë 19 Prill, ora 18:00”.

Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, (84 vota), ndërsa në dy raundet e dyta presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.

Procedura për zgjedhjen e Presidentit

Më 24 korrik përfundon mandati i Presidentit aktual, Bujar Nishani. Sipas nenit 87 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës “zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”.
Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se 3/5 pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (84 vota). Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (71 vota)./Opinion

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne