2 orë para mbylljes së zgjedhjeve në PD, Selami denoncon parregullsitë e mëdha

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami ka denoncuar parregullsi, që sipas tij, janë shfaqur në zgjedhjet e sotme për kreun e PD-së.

Ai tha se kryetarë të degëve kanë bërë presione, duke u kërkuar anëtarëve të PD-së të votojmë kundërshtarin e tij, Bashën.

“Këto zgjedhje pavarësisht se janë një hap në drejtimin e duhur kanë qenë dhe kanë filluar të pabarabarta. Fatkeqësisht kjo pabarazi është reflektuar nga disa probleme që kanë dalë, që unë falenderoj edhe median që i ka publikuar. Probleme që kanë të bëjnë me si me ndërhyrjen e disa kryetarëve të degëve, jo të gjithë, por disa prej tyre kanë ndërhyrë duke prishur atë neutralitetin, kanë bërë presione dhe i kanë kërkuar anëtarëve që të votojnë për Bashën. Kjo është një shkelje e rregullave të lojës. Po kështu në mjaft nga këto qendra votimi fotografia e zotit Basha është e varur në qendrën e votimit”.

Ai shtoi se ka pasur raste të mungesës në listë, të anëtarëve të PD-së që kanë shprehur më herët votën për të.

“Këto kërkesa unë ja kam kaluar përfaqësuesit tim dhe në emrin tim i ka bërë në KQZ, KQZ ka shprehur mirëkuptimin për këto gjera, por këto nuk janë zgjidhur akoma. Edhe këtu në qendrën tonë vazhdon kryetari i degës 2 që është miku im, por miqësia mënjanë. Ose nuk i njeh rregulla e demokracisë ose nuk di se çfarë është. Po kështu ka pasur raste të mungesës së emrit në listë, seksione të tëra që nuk kanë qenë të regjistruar dhe kanë shprehur votën për mua”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me qendrat ku janë vërejtur parregullsi, përveç degës në lagjen numër dy në Tiranë, Selami futti edhe qytetin e Fierit.

Selami u shpreh gjithashtu: “Megjithëse ky proces është i paplotë, është një process në vazhdim dhe nuk dua të paragjykoj. Është shpejt për të nxjerrë një rezultat. Ka momente të rëndësishme sic është mbyllja e procesit të votimit, transportimi i kutive të votimi në qendër. Unë e kam shprehur që në këto kushte ku jemi do të ishte më mirë që numërimi të bëhej në degët e rretheve dhe pastaj procesi i numërimit”.

Deklarata e Selamit vjen dy orë para përfundimit të orarit zyrtar të zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne