2019, karriges së Veliajt i mbeten tri këmbë

Protesta e banorëve të Unazës së Re ka gjeneruar një sërë zhvillimesh politike të cilat në sy të parë kapen jo lehtë. Përtej faktit se atë protestë kreu I opozitës e orientoi si bietejë kundër Erjon Veliajt dhe se në të nuk mori pjesë asnjëherë Sali Berisha, ka disa elementë të tjerë që meritojnë vëmendje.

Së pari lëvizja e Bashës është e kuptueshme në kontekstin elektoral të vitit 2019. Veliaj duhet goditur përpara se të rivalizohet.

Së dyti, mungesa e Sali Berishës provon më së miri se ai ka patur dijeni se pas projektit qëndron biznesmeni Bashkim Ulaj.

Deri në këtë pikë, përballja u skematizua si zakonisht mes një PS-je dhe një PD-je që akuzojnë njëra-tjetrën me të njëjta akuza. Gjërat ndryshuan kur në skenë doli skandali I DH Albania përmes biznesmenit deputet të Partisë Demokratike Agron Shehaj dhe mandej vijuar nga tpz.al. Kjo e ktheu vëmendjen drejt shkeljeve nga qeveria dhe jo nga Bashkia, duke vendosur në qendër kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.

Një tjetër ngjarje që theu në mes rimtin progresiv të protestës së Unazës ishte protesta e studentëve. E befasishme dhe e shpejtë, ajo kapi të papërgatitur qeverinë duke diktuar në fund fare edhe ndryshimet në kabinet. Largimi i disa ministrave nga ana e Edi Ramës në fakt është edhe një mënyrë prej kirurgu që bën transplant  shënjestrat eventuale të sulemeve politike, duke mos bërë shkarkime individuale që do të interpretoheshin si pranim i fajit.

Nëse shohim zhvillimet e fundit në lidhje me Unazën e Re, kjo gjë merr kuptim. Cilat janë ato?

Së pari është dalja në skenë e skandalit të devijimit të Lanës dhe padia penale ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha. Nëse protesta e Astirit nuk do të ndërpritej nga dy ngjarjet e mësipërme, rruga logjike do të ishte procedimi penal i Erjon Veliajt(Aktualisht është bërë publik fakti se prokuroria po heton për devijimin e Lanës, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka zhdukur nga faqja online Projektin e Zhvillimit Vendor të kryeqytetit). Pas Teatrit Kombëtar kjo ishte një goditje e papërballueshme për kryebashkiakun që ka qenë përgjithësisht vetëm në këto beteja. Një kandidat për Tiranën që do të ketë në dosjen e tij njolla të tilla, vihet përballë kushteve politike, që ose nuk futet në garë, ose futet i dërrmuar, me gjasën e humbjes së sigurtë. Ose do të duhet të lëshohet  tërësisht te Kryeministri që ka në dorë kështu të mbyllë një probleme të madh politik dhe personal.

Duket se skandali me Dh Albania dhe protesta e studentëve zhvendosën fokusin dhe i dhanë oksigjen Erjon Veliajt. Mirëpo tanimë kryeministri ka eliminuar plagët e hapura në qeverinë e tij dhe opozita është rifutur në lojën e vet që është: të tematizojë skandalin e Unazës së Re për efekt të zgjedhjeve lokale duke diskredituar  e ndoshta eliminuar Veliajn si kandidat. Kështu shpjegohet edhe lufta më e fundit e mediave pranë  kryebashkiakut dhe këtij të fundit ndaj Bashës për të cilin po kujtohen sot se mund të ketë gënjuer për shkollën apo për shtëpinë. Çështja është se duket se Veliaj në ambicien e tij për Tiranën ka kundër edhe kryeministrin që në këtë betejë mban fijet edhe të opozitës të cilës duket sikur po i vë në tepsi një kryebashkiak.

Asnjë prej ndryshimeve në qeverie nuk solli në ekzekutiv ndonjë njeri të afërt me Veliajn, ndërkohë që njeriu kryesor politik pranë tij, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është për momentin i neutralizuar. Sado të mundohen që ta fshehin, pas heshtjes apo thurjes së skenarëve imagjinarë, fakti se mes kryeministrit dhe kryebashkiakut  të Tiranës ka distancë nuk mund të fshihet. Z. Veliaj ka kontaktuar me njerëz të larguar nga Rama për të krijuar grupim kundër tij, por deri më tani asgjë nuk ka ecur siç duhej. Mesa duket eksperimenti politiko-financiar Veliaj-Xhafa dhe loja e ashpër në skandalin e Unazës së Re ka provokuar përballje të përshkallëzuar që do të përcaktojë karrierën e Veliajt, i cili së fundmi siç shihet e ka humbur vrullin për të shitur punët kinkalierike si sukses të madh.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne