Uncategorized

21 muaj në koma, por duhet të hapë gjyq për të marrë kempin

Pashk Lazri, një qytetar nga Shkodra, tregon se prej 21 muajsh, i vëllai, Dedë Frrok Lazri ka kryer një operacion në kokë dhe është invalid i plotë. Pashku është përpjekur t’i sigurojë kempin, por e ka të pamundur, pasi duhet vetë personi ose një prokurë prej tij.

Një video e pacientit nga spitali numër 5 ku ndodhet i shtruar, dokumenton se ai as nuk flet e as nuk lëviz. Gazetarja e emisionit “STOP” dhe Pashku shkojnë bashkë në ISSH Shkodër, degën e përfitimeve dhe KMCAP Shkodër, por përgjigja përfundimtare është që ky rast zgjidhet vetëm me gjyq.

“Problemi im i madh është se unë kam vëllain të shtruar në spitalin numër 5 në Tiranë, prej 21 muajsh. Është bërë operacion në kokë dhe është invalid i plotë. Vajta të Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, por nuk pranoi dokumentacionin dhe më vonë, në një shkresë thotë që nuk lejohet, duhet vetë personi ose prokurë e posaçme noteriale.”

Pashku tregon se ka shkuar edhe te Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë Shkodër për të kërkuar dy specialistë, që të shikonin gjendjen e të vëllait, por iu tha se nuk ishin dorëzuar dokumentet. Vëllai i tij, Dedë Pashku ndodhet prej 21 muajsh në spital pa kryer asnjë lloj lëvizjeje dhe nuk ka mundur të marrë kemp për asnjë ditë të vetme.

Qytetari- Personi, i cili është në krahun e djathtë, është vëllai im, Dedë Lazri, i cili është shtruar në spital më datë 27 Dhjetor 2015. Është operuar në 6 Janar 2016. Që nga ajo ditë e deri më sot, vazhdon e njëjta gjendje. Siç e shikoni në video, nuk lëviz, nuk flet.

Gazetarja e emisionit “STOP” së bashku me denoncuesin iu drejtuan Agjencisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku komunikon me inspektoriatin e saj, Ardjan Celepija.

Gazetarja – Nga institucioni juaj i është thënë që, që të përfitojë pënsionin, duhet të dorëzohen dokumentat nga vetë personi.

Inspektori – Ose i autorizuar me një prokurë…

Gazetarja – Ose i autorizuar me një prokurë të posaçme. Tani personi, shiko zotëri, në të tilla kushte ndodhet.

Inspektori – Unë e kam të qartë krejt këtë. E di. se ma ka thënë … unë i besoj atij. Dy rrugë janë: o personi, ose i autorizuar me prokurë. Nuk ka rrugë tjetër.

Gazetarja – Po personi është duke vdekur more…,personi është në koma. Çfarë duhet të bëjë?

Inspektori – (Qesh)… Unë të besoj… unë e kam besuar pa e njohur … pa e ditur … Ky ka ardhur dhe e ka shprehur. Më ka qarë hallin. Neve na vjen një shkresë, një udhëzim, një rregullore, një letër … Ne jemi të detyruar me e zbatu, me kenë ça me kenë.

Inspektori – Ka dasht me u lanë një hapësirë për shembull, në rastet e veçanta, si mund të jetë rasti i tij, por nuk ka hapësirë.

Gazetarja – S’ka hapësira fare?

Inspektori – Eshtë e preme, është totale.

Ndërsa në Drejtorinë Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, nga drejtorsha Zamera Lacej iu tha se ky është një rast shumë i rrallë, ndaj mund të procedojnë vetëm nëpërmjet vendimit të gjykatës, nëse do të vendoset që do t’i kryejë vëllai i të sëmurit këto procedura ose jo.

Drejtoresha – Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë shkon dhe e ndjek personin në ambjentet ku është i shtruar.

Gazetarja – Në qoftë se stafi mjekësor shkon dhe e verifikon që personi është i paaftë, pse duhet të shkojmë në gjykatë? Pse t’i biem kaq gjatë kur mund ta zgjidhim shkurt dhe më praktike?

Drejtoresha – Më praktike nuk … ashtu … domethënë …

Por Fran Kapaj, anëtar i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, u shpreh se ka zgjidhje për shqetësimin e familjes Lazri. Pashku duhet të interesohet për datën e komisionit dhe të shkojë të shpjegojë arsyet se përse nuk paraqitet vetë personi me aftësi të kufizuara.

“Brenda 2 javësh ne jemi të detyruar të përcaktojmë personat tonë për ta verifikuar dhe për ta vlerësuar sipas kritereve mjekësore. Nëqoftëse Deda paraqitet siç e shoh në video ose në dokumentet mjekësore që i ka me fletë drejtimin e spitalit, atëherë do ta marrë kempin siç i takon”.

OPINIONE