2200 të afërm të gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontroll, pasuritë e dyshimta…

Në Shqipëri po kryhet kontrolli më masiv dhe i thelluar në histori për pasuritë e dyshimta. Verifikimi i ligjshmërisë së pasurisë së 794 prokurorëve dhe gjyqtarëve, në kuadër të zbatimit të ligjit të Vetingut, ka qenë objekti kryesor i punës dhe veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2017.

Krahas prokurorëve dhe gjyqtarëve, ILDKPKI ka nisur verifikimin e pasurive të mbi 2 mijë e 200 të afërmve të tyre, tek të cilët prokurorët dhe gjyqtarët mund të kenë fshehur apo kamufluar një pjesë të pasurisë. Në tërësi, ILDKPKI po verifikon pasurinë e mbi 3 mijë personave. “Inspektorati i Lartë, me qëllim përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për realizimin e kontrollit të plotë të deklaratave të pasurisë lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat private, dërgoi korrespondencën shkresore për marrjen e informacionit për me shume se 3.000 persona (subjekte të rivlerësimit dhe persona të lidhur)”, thuhet në raportin vjetor të ILDKPKI. Ndërkaq, rreth pasurisë së 794 prokurorëve dhe gjyqtarëve, përfshirë mbi 2 mijë e 200 të afërm të tyre, kanë dërguar informacion në ILDKPKI rreth 26 institucione shtetërore dhe private.

Dokumentacioni i përcjellë pranë ILDKPKI përbëhet nga 1 milionë e 200 mijë faqe. “Korrespondenca shkresore ju dërgua fillimisht rreth 26 institucioneve juridike publike dhe private, (Banka e Shqipërisë, banka të nivelit të dytë, shoqëri investimesh, ZQRPP, QKB, ALUIZNI, DPT, DPPPP, Drejtoria e Përgjithshme Detare, OSSHE, etj). Gjatë procesit të kontrollit, në varësi të ecurisë së tij, si dhe nevojës për të marrë informacione shtesë, ILDKPKI vijoi me dërgimin e mëtejshëm të korrespondencës shkresore pranë institucioneve juridike publike dhe private.

Kthimi i përgjigjeve të ardhura nga kjo korrespondence, përfshirë dhe dokumentacionin e dorëzuar nga vetë subjektet e rivlerësimit, arrin në një volum të konsiderueshëm me rreth 1 milion e 200 mijë faqe për t’u administruar, vlerësuar, përpunuar dhe pasqyruar nëpër aktet e kontrollit. Kompleksiteti i këtij procesi shtohet jo vetëm nga volumi i madh i informacionit të marrë dhe nevojës për vlerësim e përpunim nga ILDKPKI, por mbi të gjitha nga administrimi i tij në mënyrë tërësisht manuale nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces”, thuhet në raport.

Ndërkombëtarët marrin dosjet në dorë
Përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kanë marrë në duar një kopje të dosjes së pasurisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të personave të lidhur me ta. “Në vijim të këtyre takimeve dhe kërkesave të parashtruara nga ONM, mbi mundësimin e aksesit të plote për vëzhguesit ndërkombëtarë, kërkimin e informacioneve, konsultimin, kopjimin dhe hetimin e deklarimeve të pasurive të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur me të, si dhe dokumentet shoqëruese, ILDKPKI u angazhua me burimet e saj njerëzore dhe institucionale për te krijuar kopje elektronike (skanim) të të gjitha materialeve të përfshira në dosjet individuale fizikë të subjekteve të rivlerësimit. Pavarësisht volumit të dosjeve fizike për çdo subjekt rivlerësimi, ku dosja më e thjeshtë arrin përafërsisht 1000 faqe, ILDKPKI ka përfunduar skanimin e të gjithë dokumenteve, të cilat duke qenë të evidentuara në formë shkresore dhe elektronike kanë rritur më tej garancinë ndaj çdo dëmtimi apo tjetërsimi të të dhënave të përfshira në to”, ka sqaruar ILDKPKI.

794 subjektet e rivlerësimit

-7 janë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe 9 janë këshilltarë ligjorë pranë kësaj
gjykate;
-15 janë gjyqtare të Gjykatës së Lartë dhe 20 janë ndihmesa ligjorë pranë kësaj gjykate;
-373 janë gjyqtare të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit dhe 27 janë ndihmesa ligjorë pranë gjykatave administrative;
-326 janë prokurorë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë për Krimet e Renda, prokurorive të rretheve gjyqësore dhe apelit dhe 7 janë ndihmesa ligjore;
-10 janë kryeinspektori dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne