25 vjet më parë: si e ndryshoi Indinë shkatërrimi i xhamisë Babri nga nacionalistët hindu

25 vjet më parë, turma hindu të së djathtës politike, shkatërruan në themel xhaminë Babri të shekullit të 16-të, duke pretenduar se ishte ndërtuar mbi vendndodhjen e një tempulli të rrënuar nga sundimtarët muslimanë.

Ish-korrespondenti i BBC-së në Indi, Mark Tully, qëmton në një artikull kushtuar kësaj dite, ngjitjen e nacionalistëve hindu që qeverisin tashmë,  partisë Bharatiya Janata Party (BJP) që prej kësaj ngjarjeje.

“Më 6 dhjetor 1992, në qytetin verior indian, Ayodhya, pashë një xhami historike, të rrënuar deri në themele, që besohej se ishte vendi i lindjes së perëndisë Rama, shkatërruar nga nacionalistët protestues hindu. Ishte kulminacioni i një fushatë gjashtëvjeçarë të drejtuar me të madhe nga BJP për ta shkatërruar xhaminë dhe për ta zëvendësuar atë me një tempull.

Një turmë prej 15 mijë njerëzish u mblodhën papritmas atje, sulmuan përpara, thyen kordonët e policisë që mbronin xhaminë, iu ngjitën sipër ndërtesës dhe nisën ta rrënojnë.

Ndërsa shihja edhe rënien e kordonit të fundit dhe largimin e policisë me mburojat e tyre të trasha sipër kokave për mbrojtjen nga gurët që binin breshëri mbi ta, ndërsa një oficer shtynte kolegët e vet për të dalë i pari, kuptova se isha dëshmitar i një ngjarjeje historike – triumfin më domethënës për nacionalizmin hindu që nga pavarësia dhe zmbrapsjen më të rëndë të sekularizmit”.

Ekspertja e shkencave politike,  Zoya Hasan e cilësoi shembjen e xhamisë si “aktin më të fortë të sfidës ndaj ligjit në Indinë moderne”. Ajo e sheh atë si “një moment vendimtar për kombësinë indiane”.

Por, në vigjilje të shkatërrimit, Ram Dutt Tripathi, korrespondenti i BBC-së në Uttar Pradesh, shteti ku ndodhet qyteti Ayodhya, fliste me shumë pasion.

Ai tha se nacionalistët hindu “kishin vrarë pulën që bënte vezën e artë” duke shkatërruar xhaminë, duke argumentuar që për ta prania e xhamisë mbi atë që ata besonin se ishte vendi i lindjes së Rama-s, ishte një çështje emocionale, e jo për për shkak se dëshironin të ndërtonin një tempull atje.

Ai këmbëngulte se ethet e lëvizjes për tempullin Ram do të binin tashmë që xhamia nuk ishte më.

Fillimisht u duk se Ram Dutt e kishte kuptuar gabim. U derdh gjak në mjaft trazira mes hinduve dhe muslimanëve në pjesë të ndryshme të Indisë. Trazirat më të mëdha ndodhën në Mumbai, ku rreth 900 njerëz u vranë dhe ku policia u akuzua se mori anën e hinduve. Por trazirat u shuan dhe fushata për ndërtimin e tempullit në vendndodhjen e xhamisë e humbi tempin.

BJP kishte shpresuar që shkatërrimi i xhamisë do të konsolidonte votat hindu në favor të saj por partia nuk ia doli në formimin e qeverive në tre shtete ku u mbajtën zgjedhjet në vitin 1993. Një nga këto shtete ishte Uttar Pradesh.

Në tre zgjedhje të përgjithshme të mbajtura në gjysmën e dytë të viteve 90, BJP fitoi gjithnjë e më shumë dhe në vitin 1999, ishte në gjendje të formonte një qeveri të qëndrueshme koalicioni.

Por, ngjitja e BJP-së në pushtet për herë të parë iu atribuohet më së shumti trazirave brenda partisë më të madhe të opozitës, partisë së Kongresit .

Ish-deputeti i Kongresit,  Gandhi, u vra në vitin 1991, duke e lënë partinë pa lider nga dinastia Nehru-Gandhi, që ai e mbante të bashkuar që prej pavarësisë. Kandidatja e vetme e mundshme, vejusha e Rajiv pa prirje politike dhe e lindur në Itali, Sonia refuzoi të përfshihej në politikë.

Ministri i moshuar, më jetëgjati në qeverisjen qendrore, Narasimha Rao, u zgjodh të drejtonte një qeveri pakice në vitin 1991. Dështimi i tij në mbrojtjen e xhamisë u përdor nga rivalët për ta dëmtuar atë duke e akuzuar se ai ishte një nacionalist hindu më shumë sesa një kongresmen sekularist dhe partia u nda dhe u ç’orientua kur ia mbërriti beteja e zgjedhjeve të vitit 1996.

Por në vitin 1999, kur BPJ arriti të formonte një koalicion të qëndrueshëm, as kryeministri Atal Behari Vajpayee apo numri dy I tij, i fuqishmi, Lal Krishna Advani, nuk besonin se ngjarjet në Ayodhya kishin krijuar një votë kaq të madhe hindu saqë ata të nisnin të zbatonin axhendën e tyre nacionaliste, duke rilindur çështjen e tempullit.

Ata besonin se BJP kishte ende nevojë të mbetej në qendër, më shumë sesa një parti e krahut të djathtë, që koalicioni i tyre të mbante dhe të kishte mbështetje të mjaftueshme nga segmente të ndryshme të popullsisë për të fituar zgjedhjet e ardhshme.

Korrespondenti i BBC-së tregon se Advani dikur i kishte thënë: “Hinduizmi është kaq kompleks saqë nuk mund t’u drejtohesh hinduve në emër të fesë”.

Shumë në BJP besojnë se partia nuk do të kishte humbur në zgjedhjet e vitit 2004 nëse do të kishte konsoliduar votat hindu përmes parrullave të hinduizmit.m

Por, edhe kjo mposhtje, erdhi kryesisht për shkak të zgjedhjes së gabuar të aleatëve nga ana e BPJ-së dhe nga menaxhimi prej Sonia Gandit të partisë së Kongresit, që u ribashkua sërish dhe mori jetë të re kur ajo ra dakord të merrte drejtimin. Nën drejtimin e saj, Kongresi qeverisi dhjetë vjet.

Ndoshta, incidenti në Ayodhya, edhe pse ishte domethënës, nuk krijoi një votë hindu që të ndryshonte peisazhin politik të Indisë. Ndoshta ai moment vendimtar tashmë u arrit me fitoren e BJP-së në zgjedhjet e vitit 2014 – që i dha partisë shumicën e parë absolute në parlament dhe një kryeministër (Narendra Modi) i cili nuk ka hezituar të promovojë nacionalizmin hindu dhe ka nisur të zbatojë edhe axhendën nacionaliste të partisë së tij.

Për shembull, ka urdhër-ndalimi të qeverisë së tij për blerjen e lopëve për therrje në tregjet e kafshëve, ka promovim të gjuhës dhe caktim të simpatizantëve të axhendës nacionaliste në postet më të larta të organizatave arsimore dhe kulturore.

Edhe pse Modi vë në dukje shpesh qëllimin e tij për të zhvilluar Indinë për gjithë indianët, muslimanët pothuajse nuk përfaqësohen në qeveritë e BJP-së, në qendër dhe në shtete.

Kryeministri Modi ka zgjedhur të qeverisë shtetin më të populluar dhe politikisht më të rëndësishëm, Uttar Pradesh, i njohur për armiqësinë ndaj muslimanëve.

Ayodhya ka qenë një pikë e nxehtë që nga shembja e xhamisë. Por Modi nuk u zgjodh së pari kryeministër nga vota hindu. Premtimi kryesor i programit të tij ishte të zhvillonte dhe ndryshonte Indinë.

Suksesi i asaj fushate i detyrohet shumë faktit që partia e Kongresit ishte zhytur sërish në trazira. Ka tashmë shenja se ai do të moderojë qëndrimin ndaj therrjes së lopëve për shkak të ndikimit që ka urdhëri mbi votën e fermerëve.

Hinduizmi mbetet një besim me shumë variacione dhe India është një vend kaq divers me një traditë të lashtë pluraliste. Kështu, përfundon korrespondenti i BBC-së,  Mark Tully, “nuk e kam shumë të qartë në mendje nëse Modi do të arrijë apo nëse synon të arrijë momentin vendimtar, që do të shënonte fundin e Indisë sekulariste dhe krijimin e kombit hindu”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne