Shqiperia

309 shqiptarë nuk janë lejuar të udhëtojnë për në BE, ja shifrat e policisë

Policia Kufitare në të gjithë vendin ka intensifikuar punën, për parandalimin, evidentimin dhe gotitjen e paligjshmërisë në pikat e kalimit të kontrollit kufitar si dhe në kufirin jeshil e detar.

Në këtë kuadër gjatë javës nga shërbimet e Policisë Kufitare që patrullojnë në kufirin jeshil janë kapur dhe proceduar penalisht 23 shtetas, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, pasi kishin probleme me afatet e qëndrimit në hapsirën Shengen.

Po gjatë kësaj jave, në të gjitha pikat e kalimit të kontrollit Kufitar, nga shërbimet e Policisë kufitare janë kapur 9 persona në kërkim, për llogari të Drejtorive Vendore të Policisë persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtoritë Rajonale për Kufirin dhe Mgracionin janë proceduar penalisht 7 shtetas për falsifikim të dokumentave, si dhe një shtetas italian për mos deklarim të vlerave monetare në kufi.

Gjatë patrullimeve në kufirin jeshil janë kapur dhe prapësuar në mënyrë vullnetare 21 shtetas, klandestinë, të ardhur nga vendet e treta, nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek, me qëllim kalimin për në një nga vendet e BE-së.

Gjatë patrullimit në kufirin detar gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht dy shtetas që kanë lëvizur nga vendbazimet me mjetet lundruese gomone pa njoftuar më parë për lëvizjen.