Shqiperia

Rama në vitin 2010: Nuk mund të ketë përmbytje nëse qeveria është në punë! (video)

I gjithë vendi sot është në kolaps, për shkak të përmbytjeve. Qeveria shprehet se është në gadishmëri, por ajo nuk ka mundur të parandalojë apo të lehtësojë situatën ku gjendet vendi. Autostrada Tiranë – Durrës është bllokuar, shumë akse rrugore janë të pakalueshme, shtëpitë e shumë banorëve janë përmbytur, një pjesë e madhe e vendit është pa energji elektrike. Qeveria ka investuar shumë para në koncesione dhe tashmë edhe në projektin 1 miliardë dollarë, por asnjë investim serioz nuk është bërë për parandalimin apo lehtësimin nga përmbytjet, edhe pse është fakt i ditur se Shqipëria e përjeton këtë situatë thuajse çdo vit.

Vetë Edi Rama në vitin 2010, kur ende nuk kishte marrë pushtetin dhe fliste si opozitar, fajësonte qeverinë dhe ish kryeministrin Berisha për situatën e rënduar nga përmbytjet. Sipas tij, nuk është e mundur që përmbytjet të ndodhin pesë herë në vit, kur vendi qeveriset vërtet.

Është e pamundur, që të tilla katastrofa [përmbytjet], të përsëriten pesë herë në vit, në rast se ka një qeveri, që qeveris dhe jo një pushtet që sundon. Në rast se ka institucione të cilët bëjnë punën e tyre, si mendoni ju, ka mundësi që arsyeja jonë të pranojë se nuk ka patur shira të tillë në të shkuarën?” (shih videon më poshtë)

Pra, nëse do përdorim sot logjikën e vetë zotit Rama, kolapsi ku gjendemi sot, vjen edhe për shkak se vendi ynë nuk po qeveriset por po sundohet dhe institucionet e këtij shteti kanë dështuar në punën e tyre.