4 ‘bombat’ e amerikanëve mbi bunkerin e mafies politike Meta-Rama-Berisha

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në luftë të hapur me mafien politike të Tiranës, e cila prej tre dekadash vjedh, përçan dhe sundon Shqipërinë. Kupola e mafies politike përfaqësohet nga Ilir Meta, Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, të cilët alternohen në pushtet, vjedhin bashkë pronat dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë, mbrojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për të ruajtur sundimin, bashkë me një lukuni hajdutësh. Por qetësia e mafies politike është tronditur që na vitin 2014, kur SHBA dhe Brukseli u angazhuan me forcë për të miratuar reformën në drejtësi, me qëllim për të shkatërruar bunkerin e krimit dhe korrupsionit politik të Tiranës. Që nga ky moment ka nisur një luftë për jetë a vdekje mes politikës së Tiranës dhe SHBA-BE.

Klasa politike u nda taktikisht në dy pjesë për të luftuar reformën në drejtësi. Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha, bashkë me ushtarët e tyre në politikë dhe drejtësi, i shpallën luftë reformës në drejtësi. Ata nuk lanë gurë pa luajtur për ta sabotuar. Nga ana tjetër, Edi Rama me ushtarët e tij, zgjodhi një rrugë tjetër, bëri sikur e do dhe e mbështet reformën në drejtësi. Në fakt, Rama dhe ushtarët e tij, e kanë frikë reformën po aq sa Meta, Berisha, Kryemadhi dhe Basha. Objekt i SPAK-ut është goditja e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta. Sa i takon krimit, Edi Rama e kriminalizoi shtetin në çdo qelizë, duke nisur që nga Parlamenti. Sa i takon korrupsionit, nëse më parë sipas KLSH vidheshin 250 milionë euro çdo vit, pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës vidhen, 1.7 miliardë euro çdo vit. Kjo është edhe arsyeja se pse Rama, Meta, Berisha, Basha dhe Kryemadhi janë bashkë kundër reformës në drejtësi.

Gjatë javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar katër deklarata ‘bombë’ mbi bunkerin e mafies politike shqiptare, duke u dhënë disa mesazhe të qarta shqiptarëve se koha për çlirimin nga krimi dhe korrupsioni në nivele të larta po afron. Mekanizmi për këtë shkatërruar bunkerin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë njoftuan disa ditë më parë se hetuesit e Byrosë së Hetimit do të trajnohen në SHBA. Ata kanë dhënë garanci se dosjet e para për goditjen e mafies politike do të asistohen nga ekspertët e tyre.

Mesazhi 1

“Pse është i rëndësishëm Vetingu (rivlerësimi). Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2012, vetë gjyqtarët pranuan se kishte korrupsion në masën e 25%. Gjyqtarët pranuan se kishte një nivel të caktuar ndërhyrje politike në vendimmarrjet e tyre në masën 57%. Kjo tregonte se sistemi i drejtësisë nuk ishte fort i drejtë. Shumë qytetarë i shihnin gjykatat dhe prokurorët si institucionet më të korruptuara në Shqipëri. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar shiheshin si të paprekshëm sepse vepronin mbi ligjin. Vetingu shqyrton tri kategori: pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. KPK, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrton deklaratat dhe hetimet për pasurinë, informacionin mbi lidhje me krimin e organizuar si dhe historikun profesional të kandidatit. Kandidatët mund t’iu përgjigjen pyetjeve dhe të ofrojnë informacion shtesë përpara dhe gjatë seancës dëgjimorë të tyre. Pas dëgjesës paneli i KPK merr vendim bazuar në këto informacione. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i përbërë nga ekspertë amerikanë dhe europianë mbikëqyr procesin. Ata mund të kërkojnë dokumente, të drejtojnë pyetje, të paraqesin opinione dhe të kërkojnë apelimin e vendimit. Kandidatët që kalojnë vettingun vazhdojnë të shërbejnë si gjykatës e prokurorë. Ata që dështojnë bazuar në pasuri të pashpjegueshme dhe lidhje me krimin, shkarkohen. Nëse gjyqtari ose prokurori gjendet i paaftë, ai ose ajo shkarkohet ose mund t’i kthehet shkollës së Magjistraturës. Synimi i procesit të vettingut është të krijojë një sistem me gjyqtarë e prokurorë kompetentë. Në ditët e shkuara cilido me para apo pushtet mund të çonte vendimet e gjyqtarit apo prokurorit në favor të vet. Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vettingun do të veprojnë sipas rregullave dhe kushdo do të jetë i barabartë përpara ligjit”.

Mesazhi 2

“Gjykata Kushtetuese është Gjykata më e lartë në Shqipëri e cila vendos së çfarë do të thotë Kushtetuta. Ajo vendos nëse një ligj përputhet me Kushtetutën apo nëse e shkel atë. Ajo mund të vendosë edhe kundër Presidentit, Kryeministrit si dhe agjencive qeveritare. Po ashtu garanton që autoritetet të respektojnë të drejtat Kushtetuese. Por cili ishte problemi me këtë gjykatë në sistemin e vjetër? Në të kaluarën Kuvendi dhe Presidenti duhet të binin dakord, për një kandidat që ky të bëhej gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Por kjo shpesh nuk binte dakord dhe shkaktonte një pritje të gjatë ndërsa kur binin dakord gjyqtari ishte si pasojë e një kompromisi mes politikanëve por nuk ishin të përqendruar tek kualifikimi i personit. Detyra e një gjyqtari kërkon persona të kualifikuar, jo kompromise politike. Gjykata Kushtetuese ka 9 vende, pasi gjyqtarët iu nënshtruan vlerësimit, vetëm 1 prej tyre kaloi. Pas reformës në drejtësisë, Kushtetuta përcakton standardet për të qenë gjyqtar i kësaj Gjykate. Këto standarde vihen në zbatim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i cili është grup Gjyqtarësh dhe Prokurorësh me provojë të cilët kontrollojnë kualifikimet e Kandidatit. Ky Këshill rendit tri kandidatë kryesorë për çdo vend në Gjykatë bazuar në kualifikimet e tyre. Me sistemin e ri nuk duhet ujdi nga Presidenti dhe Kuvendi. Tani kjo kalon me rotacion mes Kuvendit Presidentit dhe Gjykatës së Lartë. Por këta mund të zgjedhin vetëm nga lista me tre gjyqtarë. politikanët nuk mund të emërojnë kë të duan ata. Nëse Presidenti, Parlamenti apo Gjykata e Lartë nuk arrijnë të zgjedhin dikë, atëherë zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lart nga lista e Këshillit të emërimeve në Drejtësi. Ky sistem i ri siguron që gjyqtarët e zgjedhur të jenë të kualifikuar ndihmon për të parandaluar boshllëqet për kohë të gjatë si dhe nuk lejon një person që të ketë më tepër pushtet në procesin e përzgjedhjes. Së shpejti KED do të dërgojë listën presidenti që ka radhën i pari. DHe kështu mund të fillojë të ndërtojë Gjykatën Kushtetuese”.

Mesazhi 3

“Në sistemin e vjetër gjyqësor, zyrtarët e nivelit të artë të korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar ishin të ‘Paprekshëm’ sepse gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ose të kërcënuar nuk i nxirrnin përpara drejtësisë. Me anë të parave, lidhjeve, përkatësisë politike dhe kanosjeve këta gjyqtarë dhe prokurorë ishin të prekshëm nga ndikimi politik dhe korrupsioni. Kjo e bënte të pamundur ndjekjen penale të korrupsionit. Çmimin e paguante i gjithë vendi. Por si e korrigjon këtë SPAK? SPAK do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë të ‘paprekshmit’ e Shqipërisë. Këtu përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë. Anëtarët e SPAK emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, jo nga politikanët apo zyrtarët e Korruptuar. Po ashtu të gjithë anëtarët e SPAK do të duhet të Kalojnë Rivlerësimin (VETTING). Prokurorët e Posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe të telefonave të tyre për të parandaluar korruptimin apo kanosjen e tyre. Kjo bazohet në modele që janë përdorur edhe në vende të tjera si Kroacia apo Rumania. Kushtetuta i jep SPAK fuqinë dhe pavarësinë për t’iu Kundërvënë korrupsionit të nivelit të lartë. Duke qenë se është në kushtetutë, kjo do të thotë edhe që të paprekshmit nuk mund ta ndryshojnë atë. Me pak fjalë do t’i kundërvihet nivelit më të larta të korrupsionit. Me SPAK Askush nuk do të jetë mbi ligjin. Askush nuk do të jetë i paprekshëm. I gjithë vendi do të përfitojë nga Kjo”.

Mesazhi 4

“Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues. detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë. Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH. BKH përbëhet nga një drejtor dhe nga një ekip drejtuesish që duhet të mbushin standarde të forta të ngjashme me ato të FBI. Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK dhe Prokurorët e Posaçëm do të zgjedhin bashkarisht Drejtorin e BKH, ky drejtor do të drejtojë ekipet e hetuesve. Pasi të jenë përzgjedhur, atyre do t’u monitorohen llogarite bankare dhe telefonat, në mënyrë që të kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri. Pse është i rëndësishëm? Në të kaluarën cilido me para apo pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani Kushtetuta i jep SPAK fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e Nivelit të lartë. Me tu ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë. zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. BKH dhe SPAK janë këtu për tu siguruar se askush të mos jetë mbi ligjin”. /Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne