42 vite nga Lufta Civile e Libanit

Edhe pse kanë kaluar 42 vite nga fillimi i luftës së përgjakshme, libanezët sot e kësaj dite luftojnë me efektet politike, ekonomike dhe sociale të luftës

BEJRUT (AA) – Kanë kaluar 42 vite nga lufta civile në Liban, e cila vazhdoi për 15 vite dhe shkaktoi vdekjen e më shumë se 150 mijë personave, ndërkohë që gjurmët dhe efektet vazhdojnë të ndjehen edhe sot, shkruan Anadolu Agency (AA).

Edhe pse kanë kaluar 42 vite nga fillimi i luftës së përgjakshme, libanezët sot e kësaj dite luftojnë me efektet politike, ekonomike dhe sociale të luftës.

Fillimi i luftës

Vdekja e 27 palestinezëve, në mesin e të cilëve kishte edhe gra dhe fëmijë, si pasojë e një sulmi të armatosur pranë Kishës Maronite nga milicët e Krishterë Falangistë ndaj një autobusi që po transportonte refugjatë palestinezë në kampin Tel ez-Zater më 13 prill të vitit 1975, llogaritet si fillimi i luftës civile.

Në Liban, vend që përballej me ndarje etnike, politike, fetare dhe sektare, ardhja e qindra mijëra refugjatëve palestinezë gjatë viteve të 50-ta shkaktoi rritjen e mëtutjeshme të tensioneve. Lufta e Ftohtë dhe lufta e ideologjive të ndryshme që atëbotë vazhdonin në tërë botën duke u rritur, në Liban po përjetohej në mënyrë të hapur dhe të ashpër. Më 13 prill të vitit 1975, me “masakrën e autobusit” u ndez fitili i bombës që ishte gati të shpërthente. Falë ndarjeve politike dhe sektare në vend, shtuar edhe armatosjen, ngjarjet u shndërruan në luftë civile e cila do të zgjaste 15 vite.

Lufta e Libanit përkoi me periudhën e Luftës së Ftohtë. Ndërkaq, forcat rajonale dhe globale shkaktuan zgjatjen e luftës, mbështetjes së grupeve ose intervenimeve të drejtpërdrejta. Gjatë kësaj periudhe, Siria dhe Izraeli merrnin pjesë në rajon si dy aktorët kryesorë, ndërkohë që aleatët e tyre, Rusia dhe SHBA-të, qeruan hesapet e tyre në Liban përmes ndërmjetësve.

Okupimi izraelit që filloi nga jugu i vendit në vitin 1978 dhe që u zgjat deri në kryeqytetin Bejrut në vitin 1982, mori fund me tërheqjen graduale drejt jugut. Gjatë këtij okupimi, Izraeli realizoi shumë sulme ajrore me avionë luftarakë.

Kryeqyteti i Libanit deri në vitin 1990 ishte i ndarë më dysh, Bejruti Perëndimor dhe Bejruti Lindor, ku në pjesën perëndimore mbizotëronin muslimanët, ndërsa në atë lindore të krishterët.

Lufta civile, e cila solli përballë shumë fe dhe sekte në Liban, përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes së Taifit në Arabinë Saudite. Megjithatë, luftimet mes grupeve vazhduan edhe për një periudhë, derisa marrëveshja u bë efektive.

Si pasojë e luftës ngelën të plagosur qindra mijëra persona, kurse mbi një milionë u detyruan ta braktisin vendin.

Në vitin 1991, qeveria shpalli amnisti të përgjithshme, duke i falur të gjithë personat të përfshirë në krime lufte.

Masakra e Sabras dhe Shatillas

Gjatë luftës civile, në Liban ndodhën masakra të shumta. Më të njohurat nga këto është Masakra e Sabras dhe Shatillas që filloi më 16 shtator të vitit 1982 dhe zgjati tri ditë.

Në masakrën në “Kampin Sabra dhe Shatilla” në perëndim të Bejrutit, ku jetonin afro 20 mijë refugjatë palestinezë, të organizuar nga milicët e Krishterë Falangistë, të cilët i përkisnin linjës së djathtë ekstreme dhe ishin nën mbikëqyrjen e Izraelit, u vranë më shumë se tre mijë refugjatë palestinezë.

Masakra e Sabras dhe Shatillas zë vend në histori si ngjarje që rikujton anën e përgjakshme të Luftës Civile Libaneze që zgjati 15 vite.

Edhe pse kanë kaluar vite, në Bejrut ende hasen gjurmët e luftës shkatërruese

Bejruti ishte shënjestër e shkatërrimit të madh nga përdorimi i armëve të rënda me fuqi shkatërrimi. Në ndërtesat e mbijetuara në Bejrut, ende mund të hasen gjurmë të luftës shkatërruese.

Libanezët kanë vazhduar jetën aty ku kishte ngelur edhe në disa nga ndërtesat që kanë gjurmë nga vrimat e plumbave dhe të çarat e shkaktuara nga bombat. Në fund të ndërtesave të larta moderne të ndërtuara viteve të fundit, gjenden ndërtesat që mbartin gjurmë të luftës civile, të cilat tërheqin vëmendjen e secilit që viziton Bejrutin për herë të parë. Viteve të fundit, këto ndërtesa me gjurmë kanë strehuar sirianë që kanë ikur nga lufta në Siri.

Në lagjen Sodeco në Bejrut, e cila ishte në pozitën e linjës së kuqe gjatë luftës, sot gjenden shumë kafe, shtëpi, restorante dhe hotele. Në këto hapësira me gjurmë lufte, muslimanët dhe të krishterët kalojnë kohë së bashku.

Ende vazhdojnë debatet mbi luftën civile

Emrat që në periudhën e luftës u emërtuan si “zotërinjtë e luftës”, sot janë figura të rëndësishme të politikës libaneze dhe anëtarë të parlamentit. Për këtë arsye, debatet mbi luftën civile ende vazhdojnë të jenë pjesë e agjendës së Libanit.

Së fundmi, në mars të vitit 2017, Patriku i Kishës Maronite, Patriku Beshara Rai, në një program televiziv deklaroi se shkaktar të luftës kishin qenë grupet palestineze, me çka grupet palestineze mohuan një gjë të tillë përmes një komunikate të përbashkët/ AA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne