Ibrahim Kalin: Aleatët duhet të mbështesin Turqinë në luftën kundër terrorit

Ashtu siç mbështet Turqia aleatët e saj në luftën kundër terrorit edhe aleatët duhet të mbështesin Turqinë në luftën e saj kundër terrorit, qoftë ndaj organizatës terroriste DAESH, qoftë ndaj PKK-së apo organizatës terroriste gyleniste, FETO.

Më 20 janar Turqia filloi operacionin ‘Dega e Ullirit’ për të pastruar rajonin e Afrinit në Siri nga organizata terroriste PKK/PYD-YPG. Edhe pse disa aleatë perëndimorë e shohin këtë si një zvarritje për ti shpëtuar luftës kundër DAESH-it, kjo është në përputhje të plotë me qëllimin e eliminimit të të gjitha kërcënimeve terroriste që vijnë nga Siria dhe një hap i hedhur në drejtimin e duhur për të mbrojtur tërësinë territoriale të Sirisë.

Operacioni ‘Dega e Ullirit’ është tërësisht legjitim në kuadër të të drejtës për vetëmbrojtje të përcaktuar në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Qytetet turke të Hatay-it dhe Kilis-it, gjatë viteve të fundit, kanë qenë objekt i mbi 700 sulmeve nga Afrini. Për më tepër, PKK-ja e përdor këtë rajon për rekrutim dhe si terren trajnimi. Terroristët e PYD-së dhe YPG-së, që varen prej saj, kanë krijuar një gjendje defakto duke marrë kontrollin e Afrinit dhe zonave përreth duke u hequr sikur luftojnë kundër DAESH-it. Por e vërteta është se ata kanë përdorur kërcënimin e DAESH-it si një pretekst për të zgjeruar kontrollin e paligjshëm dhe të detyruar (me dhunë) të territorit sirian për të krijuar më pas një lloj rajoni autonom dhe përfundimisht një strukturë shtetërore të pavarur. Turqia nuk mund dhe nuk do të të lejojë që një situatë e tillë të shkojë më tej.

Në gjendjen aktuale, asnjë shtet nuk e vë në dyshim legjitimitetin e Operacionit ‘Dega e Ullirit’. Ndërkohë disa vende kanë shprehur shqetësime lidhur me dimensionin dhe kohëzgjatjen e operacionit dhe i kanë kërkuar Turqisë të shmangë viktimat civile. Nuk ka bazë për asnjë nga këto shqetësime. Operacioni ‘Mburoja e Eufratit’ ka një regjistër shumë të pastër. Gjatë këtij operacioni, forcat turke pastruan zonën midis Jarablusit dhe al-Bab-it nga terroristët e DAESH-it, penguan humbjet civile dhe e kthyen zonën përsëri tek pronarët e saj të ligjshëm, pra ia ktheu zonën popullit vendas. Turqia nuk ka interes të pushtojë Sirinë dhe nuk ka bërë kurrë asgjë që mund të sugjeruar një rezultat të tillë.

Nga ana tjetër, ata që nuk e shohin kërcënimin e YPG-së në Siri po bëjnë një gabim historik. Ashtu si Al-Kaeda, DAESH-i, Boko Harami edhe PKK-ja është një organizatë terroriste, dhe zgjatimet e saj PYD dhe YPG në Siri nuk kanë ndryshim (nga organizatat terroriste). Lufta kundër YPG-së në Siri dhe Irak nuk është një zvarritje për ti shpëtuar luftës kundër DAESH-it. Përkundrazi, ajo shërben për të eliminuar të gjitha format e terrorit në rajon.

Turqia ka qenë gjithmonë e sinqertë dhe e qartë në lidhje me kërcënimin e PKK-së në Irak dhe YPG-së në Siri. Ajo është shprehur në lidhje me çështjen tek vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe vendet e saj fqinje. Por dështimi i aleatëve për të parë urgjencën e çështjes nuk e pengon Turqinë të ndërmarrë veprime për të mbrojtur qytetarët dhe kufijtë e saj. Madje kjo nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me Turqinë. Eliminimi i rrjeteve terroriste në Irak dhe Siri është gjithashtu e nevojshme për popujt e këtyre vendeve dhe për të mbrojtur integritetin e tyre territorial dhe unitetin e tyre politik.

Në kundërshtim me propagandën e PKK-së, operacioni ‘Dega e Ullirit’ nuk është kundër kurdëve në Siri, por është kundër një organizate terroriste. PKK-ja nuk përfaqëson kurdët dhe nuk mund të flasë në emër të tyre. Ka miliona kurdë që kundërshtojnë ideologjinë demode marksiste-leniniste të PKK-së dhe taktikat e saj terroriste. Për më tepër, PYD dhe YPG, në të ashtuquajturën luftë kundër DAESH-it, kanë shtypur popullin e Sirisë, duke përfshirë kurdët, arabët dhe turkmenët. Qëllimi i tyre kryesor nuk është të luftojnë DAESH-in por të krijojnë një strukturë shtetërore me dhunë dhe shtypje. Bota duhet të zgjohet ndaj këtij fakti të thjeshtë (të qartë).

Udhëheqja amerikane kishte thënë se sapo të mbarojë kërcënimi i DAESH-it, ata nuk do të mbështesin më PYD-në dhe YPG-në. Kjo është ajo që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i tha presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në dy bisedat  telefonike të zhvilluara më 24 nëntor dhe 24 janar. Pavarësisht kësaj, mbështetja ushtarake e Amerikës ndaj YPG-së vazhdon dhe kjo sjell në mendje pyetje serioze rreth qëllimit përfundimtar të kësaj politike (të Amerikës). Fuqizimi i një organizimi terroriste në Siri përbën një kërcënim edhe për NATO-n por edhe rrezikon integritetin territorial të Sirisë dhe harmoninë etnike shoqërore të këtij vendi.

Ankaraja e konsideron DAESH-in një organizatë terroriste dhe lufton kundër tij edhe si pjesë e koalicionit ndërkombëtar por edhe në kuadër të vullnetit të vet. Ankaraja gjithashtu pret që edhe aleatët e saj të trajtojnë PKK-në dhe degët (zgjatimet) e saj në të njëjtën mënyrë. Vetëm nëse zotërohet i njëjti qëllim, mund të tejkalohen tensionet aktuale mes Turqisë dhe Amerikës, që janë aleate të NATO-s.

Ashtu siç mbështet Turqia aleatët e saj në luftën kundër terrorit edhe aleatët duhet të mbështesin Turqinë në luftën e saj kundër terrorit, qoftë ndaj organizatës terroriste DAESH, qoftë ndaj PKK-së apo organizatës terroriste gyleniste, FETO.

Artikulli i Zëdhënësit të Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) për Daily Sabah

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne