5 gjëra që duhet të dini rreth sulmeve me raketa në Siri

Në Siri u bombarduan objektiva të shumtë nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca si hakmarrje ndaj asaj që ata thanë se ishte një sulm kimik i orkestruar nga Asad. Këtu janë faktet kryesore në lidhje me ndërhyrjen raketore.

Të shtunën herët, Uashingtoni miratoi “sulme precize” kundër Sirisë së bashku me forcat britanike dhe franceze që gjithashtu morën pjesë në bombardime. Pak pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi mbi bombardimet, nga Damasku filluan të qarkullojnë raportimet.

Njësitë e mbrojtjes ajrore të Sirisë u përpoqën të pengonin invazionin ajror, duke pritur 71 nga 103 raketa, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Ndërsa Siria merret me pasojat e sulmeve ajrore të mëngjesit, le të shikojmë pesë gjëra kryesore që duhet të dini për sulmin amerikano-britaniko-francez.

Çfarë synime kishin sulmet?

Njëri nga sulmet kishte në shënjestër një kompleks shkencor në Barzeh në afërsi të Damaskut, të cilin koalicioni pretendonte se ishte i përfshirë në prodhimin e armëve kimike dhe biologjike. Qeveria siriane tha se bombardimet shkatërruan një qendër edukimi dhe disa laboratorë shkencorë, por nuk rezultuan me viktima.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se katër GR4s Royal Air Force Tornado nisën raketa Storm Shadow në drejtim të një ish baze raketash, 15 milje në perëndim të Homsit. Ministria pretendon se qeveria siriane mbante aty rezerva të armëve kimike.

Dymbëdhjetë raketa shënjestruan bazën ajrore Al-Dumayr në lindje të Damaskut, sipas ushtrisë ruse. Sirianët përdorën sistemet mbrojtëse S-120, S-200 dhe Buk të tipit sovjetik, duke pretenduar se i kishin pritur të gjitha raketat.

Çfarë lloj armësh u përdorën?

SHBA-ja nuk i specifikoi llojet e raketave të përdorura, por në bombardimet e vitit të kaluar të bazës ajrore Shayrat në Siri, ajo përdori raketa Tomahawk. Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis tha se në bombardime u përdor mbi dyfishi i armëve të përdorura në prill 2017, duke shtuar se “ishte një sulm i ngarkuar rëndë”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se SHBA dhe dy aleatët e saj përdorën avionë luftarakë dhe anije luftarake për të nisur mbi 100 raketa kruizer dhe raketa ajër-tokë mbi objektet civile dhe ushtarake siriane. Ajo tha se sulmet janë kryer nga dy anije amerikane që kaluan Detin e Kuq dhe shtoi se koalicioni gjithashtu përdori avionë bombardues strategjikë B-1 dhe organizoi mbështetje ajrore taktike në hapësirën ajrore mbi Mesdhe.

Preteksti për ndërhyrjen

Koha e sulmit amerikano-britaniko-francez kishte rëndësi. Sulmi erdhi vetëm disa orë përpara se Ekspertët e Organizatës për ndalimin e armëve kimike (OPCW) të OKB-së të vendoseshin në Douma afër Damaskut për të përcaktuar nëse armët kimike ishin përdorur javën e kaluar.

Duke njoftuar mbi sulmet, Shtëpia e Bardhë tha se kishte një trupë të madhe të “inteligjencës së besueshme”, “përdorues te mediave sociale, organizata joqeveritare dhe burime të tjera të hapura”, të cilat e implikojnë qeverinë siriane në sulmin e pretenduar në Douma. Uashingtoni gjithashtu iu referua pretendimeve të diskutueshme se “regjimi sirian ka përdorur në mënyrë të përsëritur armët kimike për të kompensuar mungesën e forcave ushtarake”.

Më herët, Departamenti i Shtetit deklaroi se kishte prova se qeveria siriane qëndronte pas sulmit të dyshuar kimik në Douma. Megjithatë, ajo nuk pranoi ti bënte publike pasi shumë të tilla konsideroheshin si informacion i klasifikuar”. Moska i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur pretendimet, duke thënë se sulmi kimik ishte i orkestruar. Ushtria ruse paralajmëroi më parë për një “provokim” me armë kimike i planifikuar prej militantëve.

Më vonë gjatë ditës, ushtria franceze publikoi atë që duket të jetë një raport i deklasifikuar, që pohonte se Siria mbante fshehur disa nga rezervat e saj të armëve kimike prej Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike që në tetor 2013. Raporti gjithashtu tha se shërbimet franceze të inteligjencës analizuan “dëshmitë, fotot dhe videot e shfaqura në mënyrë spontane në faqe të veçanta internetit, në media dhe në rrjetet sociale” në orët dhe ditët që pasuan sulmin në Douma.

Nxjerrja e ketyre informatave u kritikua ashpër nga Ministria e Jashtme ruse. Zëdhënësja Maria Zakharova ngriti pyetjen se pse Franca kishte qendruar e heshtur për gjetjet e saj.

Si reaguan sirianët?

Mbrojtja ajrore e Sirisë bëri gjithçka të mundur për të mbrojtur vendin. Pamjet e publikuara nga Ruptly tregojnë raketat siriane tokë-ajër duke iu përgjigjur sulmeve. Ushtria ruse tha më vonë se njësitë e mbrojtjes ajrore të Sirisë rrëzuan 71 nga 103 raketa kruizer të nisura nga SHBA dhe aleatët e saj.

Damasku i dënoi ashpër bombardimet, duke thënë se kurrë nuk do të përkulet ndaj sulmeve të Perëndimit mbi sovranitetin e tij. I dërguari i Sirisë, Bashar Jaafari, akuzoi SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën për shkelje të hapur të Kartës së Kombeve të Bashkuara. “Unë do të sqaroja këtu se historia e këtyre tre shteteve është e ndërtuar mbi përdorimin e gënjeshtrave dhe tregimeve të fabrikuara për të fituar luftra, për të pushtuar shtetet, për të kapur burimet e tyre dhe për të ndryshuar qeveritë e tyre me forcë”, tha ai, citon agjencia e lajmeve Sana.

Rusia paralajmëron për pasojat

Ndërsa asnjë prej raketave kruizer të nisura nga SHBA dhe aleatët e saj nuk arritën në zonat ruse të mbrojtjes ajrore, sulmet nxitën zemërim në Moskë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se sulmet e drejtuara nga SHBA goditën një vend të shkatërruar nga lufta “që ka tentuar ti mbijetojë agresionit terrorist për shumë vite”. Në një deklaratë të postuar në Facebook, ajo e krahasoi sulmin me fillimin e Luftës në Irak në vitin 2003, e cila u bazua në pretendimet se Iraku po zhvillonte armë të shkatërrimit në masë.

Ministria e mbrojtjes tha se forcat ruse nuk i përdorën sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore të vendosur në Siri për të kapur raketat amerikane, britanike dhe franceze. Nga ana e tij, Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit të Përgjithshëm, Jozef Dunford, tha se Pentagoni “identifikoi në mënyrë specifike objektivat” për të “ulur rrezikun e përfshirjes së forcave ruse”. Koalicioni nuk ka kontaktuar me homologët rusë për të ulur rrezikshmërinë e hapësirën ajrore dhe nuk i ka koordinuar synimet e tij me Moskën/rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne