Bota

50 vjet nga zjarrvënia, Al-Aksa ende “e mbuluar nga flakët”

Edhe pse kanë kaluar 50 vjet që kur ekstremisti australian Denis Michael Rohan më 21 gusht të vitit 1969 i vuri zjarrin xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, palestinezët thonë se flakët janë akoma duke mbuluar këtë faltore të shenjtë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Zjarri i vitit 1969 shkatërroi gati një të tretën e xhamisë al-Kiblah në kompleksin Al-Aksa, duke përfshirë minberin e çmuar 1000-vjeçar të Salahudinit, çliruesit të Kudsit.

Zjarri shkatërroi gjithashtu mihrabin e kalifit musliman Omar bin al-Khattab, pjesën e brendshme të dekoruar dhe kupolën e praruar prej druri.

“Muslimanët në mbarë botën ende kujtojnë zjarrin e tmerrshëm në xhaminë Al-Aksa nga krimineli (Denis Michael Rohan) dhe kriminelë të tjerë, të cilët nuk u zbuluan”, tha në një deklaratë Komiteti Suprem Islam në Kuds.

Komiteti përgjegjësinë për zjarrin e hodhi mbi Izraelin, i cili në vitin 1967 pushtoi Kudsin Lindor, ku gjendet kompleksi Al-Aksa.

“Zjarret janë akoma duke mbuluar Al-Aksanë në formën e inkursioneve raciste nga grupet ekstremiste hebreje të mbështetura nga qeveria dhe ushtria izraelite dhe gërmimeve që kërcënojnë themelet e xhamisë”, tha komiteti.

Në përgjigje të sulmit me zjarrvënie, vendet islame themeluan Organizatën e Konferencës Islame, që tani njihet si Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI), gjatë samitit të tyre në Marok i cili u organizua një muaj pas sulmit.

Më 15 Shtator të vitit 1969, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi rezolutën 271, e cila shprehu shqetësim për dëmin e gjerë të shkaktuar nga zjarri dhe dënoi Izraelin për mosrespektimin e rezolutave të OKB-së.

Rohan u arrestua dy ditë pas sulmit. Autoritetet izraelite thanë se ai vuante nga një sëmundje e rëndë mendore dhe më vonë e dëbuan në Australi.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ai ka qenë vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

– Kërcënimet dhe sulmet

Ndërkohë, Autoriteti i Vakëfeve Islame në Kuds e drejtuar nga Jordania tha që gërmimet në Izrael paraqesin një kërcënim të madh për faltoren e shenjtë.

“Al-Aksa po përballet me kërcënime në rritje, pesëdhjetë vjet pas sulmit me zjarrvënie”, tha autoriteti në një deklaratë, në të cilën përmenden tunelet nëntokësore të gërmuara nga autoritetet izraelite në Qytetin e Vjetër të Kudsit, si një nga kërcënimet për vendin e shenjtë.

“Blloqet e vendbanimeve të ndërtuara nga okupatori (izraelit) në gjithë Kudsin gjithashtu kërcënojnë praninë arabe dhe islame në qytet”, thuhet më tej.

“Sinagogat e ndërtuara ose në ndërtim e sipër nga Izraeli gjithashtu shënjestrojnë praninë arabe dhe islame në qytet dhe synojnë të pengojnë muslimanët nga arritja në xhami”, paralajmëroi deklarata.

Autoriteti akuzoi Izraelin për “bllokim të qëllimshëm të punimeve të nevojshme të restaurimit në xhami”.

Zjarrvënia ishte një nga sulmet e shumta në Al-Aksa që nga pushtimi izraelit i Kudsit Lindor në vitin 1967.

Në prill të vitit 1982, një ushtar izraelit hapi zjarr ndaj adhuruesve brenda xhamisë, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.

Në tetor të vitit 1990, policia izraelite vrau 21 palestinezë dhe plagosi dhjetëra të tjerë gjatë përleshjeve që shpërthyen kur ekstremistët hebrenj u përpoqën të vendosnin gurthemelin e një tempulli hebre brenda xhamisë.

Nga ana tjetër, autoritetet izraelite kanë kryer aktivitete “arkeologjike” në afërsi të xhamisë, pa zbuluar natyrën e saktë ose detajet e këtyre gërmimeve.

Zemërimi palestinez nga gërmimet arriti kulmin në shtator 1996, kur qeveria izraelite hapi një tunel nën murin perëndimor të kompleksit Al-Aksa.

Kjo masë izraelite shkaktoi zemërim të thellë te palestinezët, me çka pasuan demonstrata disaditore nëpër territoret e pushtuara nga Izraeli, gjatë të cilave 63 palestinezë u vranë dhe qindra u plagosën.

Në Shtator të vitit 2000, një vizitë në Al-Aksa nga politikani kontrovers izraelit Ariel Sharon shkaktoi atë që më vonë u bë e njohur si “Intifada e Dytë”, një kryengritje popullore kundër pushtimit izraelit gjatë së cilës u vranë mijëra palestinezë./ AA

OPINIONE