572 mijë $ për një ushtar: Izraeli gjobit familjen e palestinezit të vdekur që vrau ushtarët izraelitë

Izraeli ka ngritur një padi kundër vejushës dhe fëmijëve të një palestinezi, i cili vrau katër ushtarë të IDF-së në një sulm me kamion, duke kërkuar kompensim prej 2 milion siklash (572,000 dollarë) për secilën viktimë, në atë që autoritetet thonë se do të jetë një taktikë anti-terrorizëm.

Proçedura u hap nga Prokuroria e Rrethit në Jeruzalem, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, kundër pasurisë së Fadi Al-Qanbar, i cili u qëllua për vdekje pas sulmit të tij në janar, në të cilin u plagosën edhe trembëdhjetë njerëz.

“Kjo padi, e cila vjen nga një incident terrorist në të cilin u vranë (4) ushtarë, është projektuar për të kompensuar shpenzimet e arkës së shtetit nga ngjarjet e këtij lloji, si dhe për të dërguar një mesazh të qartë se shteti gjithashtu do të shlyejë llogaritë në një nivel civil me autorët e veprave armiqësore”, lexoi një deklaratë nga zyra e Prokurorit të Qarkut, siç përmendet nga Haaretz.

E veja e Al-Qanbar, i cili ishte një qytetar izraelit dhe katër fëmijët e tij, të moshave 1 deri 8, janë të pandehurit.

“Duke pasur parasysh faktin se terroristi ka shkaktuar dëmin, trashëgimtarët e tij ligjorë janë ata që duhet ta marrin përsipër atë dhe të zhdëmtojnë shtetin për të,” pohon padia.

Shuma e përgjithshme e kërkuar prej 2.3 milionë $ përfshin shpenzimet e varrimit, kompensimin e familjeve për humbjen e fitimeve të ushtarëve të vdekur dhe shpagimin për “dhimbjen dhe vuajtjen e pasqyruar në mizorinë e veprimeve dhe vuajtjen e madhe të secilit të vrarë”.

Izraeli thotë se është mbështetur në legjislacionin ekzistues të vitit 1950 dhe 1959 të viktimave dhe paaftësisë ushtarake. Prokurorët i thanë Haaretz se padi të tjera të ngjashme janë në proçes.

Sulmi i profilit të lartë, i cili u vlerësua nga Hamasi, por u dënua nga OKB, BE dhe SHBA, shënoi një çast vendimtar, me Ministrin e Brendshëm Arye Dery që premtoi “një epokë të re në betejën kundër terrorizmit”.

“Që tani e tutje, kushdo që planifikon, synon ose konsideron kryerjen e një sulmi terrorist do të dijë se familja e tij do të paguajë një çmim të rëndë për veprimin e tij”, tha ai në janar.

Kërkesa për kompensim vjen në krye të taktikave më të vendosura të ndëshkimit, të destinuara si ndëshkim dhe si një pengesë për ata që mendojnë të angazhohen në akte të ngjashme.

Pas sulmit në Jeruzalem, shtëpia e familjes Al-Qanbar në lindje të qytetit u mbyll – këto shtëpi shpesh më pas shkatërrohen – dhe 12 nga të afërmit e tij, duke përfshirë nënën e tij, humbën lejet e qëndrimit në Izrael.

Qendra Hamoked për Mbrojtjen e Individit, një OJQ që ndihmon palestinezët dhe po jep mbështetje për familjen e Al-Qanbar, e quajti padinë “hakmarrëse dhe të shëmtuar”.

“Familja Al-Qanbar po përjeton një fushatë hakmarrjeje nga establishmenti pas sulmit terrorist të kryer nga një i afërm,” tha drejtoresha e saj, Dalia Kerstein. “Tani një padi për dëmet është ngritur kundër vejushës dhe katër fëmijëve jetimë të kryerësit të sulmit terrorist, duke pretenduar se janë të detyruar të dëmshpërblejnë shtetin për dëmet dhe shpenzimet për shkak të këtij sulmi, i cili është në fakt ligjor, por është krejtësisht i egër, hakmarrës dhe i shëmtuar”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne