Historia Shqiperia

7 prilli, tetë dekada më pas…

Prof. Xhelal Gjeçovi

Ehu, mund të thotë ndokush, sa pushtues kanë ardhur e kanë ikur nga ky vend, pse duhet ta tregojmë me gisht 7 prillin? Mirëpo,kështu mund të flasin vetëm diletantët, ata që nuk i njohin të vërtetat historike ose që i shtrembërojnë ato qëllimisht. Sepse askush më shumë se kolaboracionistët e Luftës së Dytë Botërore nuk i sollën  dëme të pallogaritshme Shqipërisë dhe historisë së saj me përligjjen që i bënë pushtimit fashist, me miratimin që i bënë pushtimit dhe me bashkëpunimin pa rezerva që i ofruan okupatorit…

Panorama e asaj dite të tmerrshme sipas historianit Xhelal Gjeçovi, ekskluzivisht nga SHBA për gazetën DITA. Fashistët italianë e shqiptarë së bashku në likuidimin e pavarësisë së Shqipërisë. Thirrja e Mustafa Krujës dhe Ali Këlcyrës nga Parisi drejtuar Musolinit: “Ndërhyni e shpëtojeni Shqipërinë nga mbreti satrap dhe zëvendësojeni me një regjim autoritar fashist. Do t`u jemi mirenjohës!…” Xhaferr Ypi: Ndërhyrja ushtarake e Musolinit shpëtimtare, vendi shkonte drejt humnerës.

Qëndrimi i mbretit Zog dhe qeverisë së tij. Braktisja e vendit dhe e detyrës ditën e agresionit. Qëndrimi i Fuqive të Mëdha. Deklarata mbi njohjen e Pavarësisë e jo te pretendimeve italiane.  Rezistenca shqiptare përballë provës me te madhe historike. Roli i komunistëve dhe nacionalistëve.

Ndryshmet e ndodhura sot. Italia një vend demokratik, partneri kryesor strategjik i Shqipërisë. Lojërat e opozitës shqiptare. Të pengohen reforma në drejtësi, sidomos Vetingu dhe negociatat me BE-në. Përsëritja e historisë në kushte të reja e me figura të reja.  

Çfarë ndodhi më 7 prill 1939? Kanë kaluar afro 80 vjet që nga ajo kohë dhe në një kohë me zhvillime moderne dhe procese integrimi evropian, shumëkujt mund t’i duket një ditë e zakonshme ajo ditë e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ehu, mund të thotë ndokush, sa pushtues kanë ardhur e kanë ikur nga ky vend, pse duhet ta tregojmë me gisht 7 prillin?

Mirëpo,kështu mund të flasin vetëm diletantët, ata që nuk i njohin të vërtetat historike ose që i shtrembërojnë ato qëllimisht.

7 prilli i 1939-s është një datë me një simbolikë të veçantë, pasi na kujton një ditë të zezë, qe nuk mund te harrohet kurrë, agresionin dhe pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, një ngjarje që la gjurmë në raportet midis dy vendeve, duke i tronditur ato thellësisht, e duke goditur kësisoj ndjenjat dhe aspiratat e dy popujve tanë për fqinjësi të mirë. Pikërisht për këto arsye për këtë datë jo vetëm duhet të flitet, por edhe pas tetë dekadash mendoj se ka vend që ajo të ndriçohet dhe të analizohet…

Përgatitja e pushtimit fashist

Pas një sërë negociatash e allishverishesh  me ish-mbretin Ahmet Zogu, krerët e fashizmit italian vendosën ta presin nyjen gordiane, në mënyrën më të keqe të  mundshme, duke ndërmarrë agresionin ushtarak ndaj një vendi të vogël fqinj, me të cilin popullin italian e lidhte një histori dhe miqësi e lashtë, për shkak të afërsisë gjeografike, por dhe të ndjenjave të dy popujve tanë, që në jo pak raste i kishin qëndruar pranë njeri tjetrit, në përballje me sfidat e historisë. Mjafton të kujtojmë periudhën e heroit tone kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por jo vetëm, për të pohuar se shpesh herë ata qenë rreshtuar së bashku në të njëjtën llogore për të mbrojtur qytetërimin dhe ekzistencën e tyre nga invazionet e huaja.

Nga kjo traditë dhe prirje e përgjithshme, në historinë e marrëdhënieve italo-shqiptare njihen dy përjashtime, 1920-ta dhe 1939-ta, që të dyja të krijuara nga të njëjtat qarqet agresore dhe fashiste, me të njëjtën platformë, për të realizuar ëndrrat dhe ambiciet fashistoide ndaj territorit të Shqipërisë.

Në të parin për të mbajtur në zotërim medoemos, me dhunë, pjesë vitale të një rëndësie të veçantë strategjike, siç ishin Vlora dhe Sazani, duke cenuar rëndë sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë. Kurse në të dytin për të pushtuar krejt vendin, për të likuiduar pavarësinë dhe kthyer atë në një provincë të shtetit italian.

Në të dy rastet veprimet e pashembullta  të qarqeve ekstremiste italiane janë kundërshtuar e dënuar me forcë nga populli italian, opinioni publik përparimtar dhe forcat progresiste antifashiste, si Parta Demokristiane e De Gasperit, Partia Komuniste e Toliatit dhe ajo Socialiste e Nenit, tri figura të njohura të politikes italiane, që udhëhoqën rezistencën antifashiste italiane në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ajo që duhet theksuar është fakti se duke mos nxjerrë mësime nga disfata e pësuar në 20-tën, të njëjtat forca, në 39-tën, pa kaluar as njëzet vjet, do të përsëritnin aventurën e tyre, kësaj here me forca, projekte e synime më të mëdha e më të renda,per ta pushtuar dhe aneksuar krejt  vendin, për ta shndërruar, siç u tha në një provincë të shtetit italian, por dhe në një bastion për agresione të tjera ndaj vendeve të rajonit.

Po përse gjithë kjo lakmi, xhelozi e herë-herë dhe egërsi, ndaj një vendi të vogël mik? Cilat ishin ato rrethana, faktorë e interesa që i nxitën qarqet fashiste drejt aventurës së 7 prillit 39-të?

Studiuesit shqiptarë dhe italanë, kur flasin për këtë temë, renditin më së pari  dy faktorë, si më kryesoret:

Së pari pasuritë që afronte Shqipëria, me tokën dhe nëntokën e saj të pasur, sidomos në produkte strategjike të një rëndësie të dorës së parë për industrinë ushtarake, si nafta, bitumi, kromi, hekuri etj.

Së dyti pozicioni strategjik i Shqipërisë, që ua shtonte lakminë dhe interesin fashistëve italianë qe t`i hynin kësaj aventure. Në dokumentet e kohës bëhet e qartë se në planet e Musolinit nuk parashikohej që ambiciet e Italisë të kënaqeshin e ndaleshin me pushtimin e Shqipërisë. Jo, ambiciet e Italisë së viteve 30-të shkonin përtej kësaj; ato drejtoheshin dhe ndaj popujve e vendeve të tjera te rajonit.

Agresioni i ndërmarrë ndaj Greqisë ne tetor 1940 provonte më së miri synimet e Musolinit, që të vazhdojë politikën e dhunës, forcës e të agresioneve ndaj vendeve të tjera të rajonit e më gjerë. Në kuadër të realizimit të këtyre ambicieve, sapo morën pushtetin në vend, fashistët italianë së bashku me aleatët e tyre, nazistët që gjithashtu kishin marrë pushtetin në Gjermani, nisën të atakojnë e të zhvlerësojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të lidhura në përfundim të Luftës së Parë Botërore, të cilat kufizonin armatosjen e tyre, duke shtuar e fuqizuar, në përmasa të frikshme, forcat e armatosura dhe përgatitjet për luftë.

Zhvillimet e turbullta në këto dy vende, por jo vetëm; thirrjet e kërcënimet e krerëve fashistë dhe përgatitjet e ethshme për luftë, krijuan një atmosferë frike e paniku ndër popujt që sapo kishin dalë nga një luftë rraskapitëse që i solli njerëzimit pasoja katastrofike. E, megjithatë, siç ka vene ne dukje ish presidenti i SHBA-se Xhorxh Bush i parë, pjesëmarrës në luftë, situata që po agravohej me shpejtësi marramendëse nuk u vlerësua që në fillim me seriozitetin qe meritonte Biles, edhe atëherë kur lufta nisi të trokasë tek porta,nuk pati ndonjë reagim serioz në mbrojtje të popujve dhe vendeve që, njëri pas tjetrit, po bëheshin viktima të agresioneve fashiste.

Në një situatë të tillë u përgatit e u ndërmor dhe agresioni ndaj Shqipërisë. Nuk ishte e rastit indiferenca, me të cilën u përcoll pushtimi i saj, nga Fuqitë e Mëdha e nga Lidhja e Kombeve, anëtare e së cilës ishte dhe ajo. Ishte  koha e  iluzioneve drobitëse, që kishin mpirë gjykimin e politikanëve dhe nuk i linin ata që të shihnin në sy realitetin. Fuqitë e Mëdha Europiane mendonin se, duke i lënë bishat fashiste të kafshonin jashtë zonave të interesave të tyre, do t`i largonin nga vetja dhe do të shmangnin ballafaqimin me ta.

Por, me gjithë lëshimet, kompromiset e pazarllëqet, rreziqet nuk u mënjanuan dhe flakët e luftës nuk u shuan. Ato shpejt do të përfshinin mbarë Evropën dhe ajo do të paguante haraçin e politikës së neutralitetit e të mos ndërhyrjes, që ndoqën politikanët e saj. Pasojat e kësaj politike dritëshkurtër, do t`i provonte mbi kurrizin e vet, më së pari Shqipëria, e cila pesë muaj para se të niste  Lufta e Dytë Botërore, do të bëhej pre e një agresioni barbar, të fashistëve italianë, të nisur në mëngjesin e 7 prillit 39 dhe e përfunduar me shpejtësi, brenda 3-4 ditësh, me qëllim që shtetet e tjera, përfshi dhe aleatja e tyre, Gjermania Naziste, të viheshin para faktit të kryer.

Arratisja e Ahmet Zogut

Në përfundimin e shpejtë të operacionit të pushtimit ndikoi dhe fakti që kreu i shtetit e i ushtrisë, ish mbreti Zog, në vend të rezistencës, siç kishte premtuar dhe siç e obligonte Kushtetuta, zgjodhi largimin nga vendi, çka çoi në çorientimin, shthurjen e paralizën e reparteve të ushtrisë dhe institucioneve të shtetit, duke ia lehtësuar kështu barrën agresorëve fashistë, që të mposhtin shpejt rezistencën e grupeve të caktuara të patriotëve shqiptarë, kryesisht në limanet kryesore të vendit.

Kështu Shqipëria u bë ndër viktimat e para të agresionit fashist, por dhe ndër vendet e para që iu kundërvunë agresioneve fashiste, me ato fuqi e mundësi  që i mbetën  pas largimit të turpshëm të ish mbretit dhe qeverise së tij. Nuk ishte më i mirë as qëndrimi i funksionarëve të tjerë të regjimit, që nuk e ndoqën mbretin jashtë vendit në arrati.

“Poshtë mbreti! Rroftë mbreti!”

Sapo mbreti dhe suita që e shoqëronte, kaloi kufirin, ata  shpallën distancën nga ai dhe justifikuan e agresionin e pushtimin e vendit. Xhafer Ypit, njëri nga funksionarët e lartë të regjimit, ish ministër i oborrit mbretëror, do të deklaronte se ndryshimi i bërë ishte i domosdoshëm, pasi vendi, për shkak të keqqeverisjes, po shkonte drejt humnerës dhe ardhja e ushtrive fashiste të Musolinit e kishte parandaluar atë.

Sipas Ypit, vitet e qeverisjes së Zogut i treguan botës se shqiptarët nuk dijnë të bëjnë shtet e të qeverisin vetë vendin e tyre(!). Ndërkohë, që para tij, për fat të keq, disa figura të tjera intelektuale, që kishin emigruar jashtë për t’u shpëtuar ndjekjeve të regjimit, si Mustafa Kruja, Ali Këlcyra, Sejfi Vllamasi  etj., nga Parisi, ku qenë vendosur, i bënë thirrje Musolinit që të ndërhyjë ushtarakisht për largimin nga pushteti të mbretit satrap dhe zëvendësimin me një regjim autoritar që nënkuptohej ai fashist. Dhe kur kërkesa e tyre u muar parasysh dhe nyja gordiane që kish mbërthyer vendin u zgjidh siç dëshironin, ata i dërguan përshëndetje kreut të fashizmit, ku i shprehej mirënjohje për veprën grandioze që realizoi ushtria e tij famëmadhe. Çdo e keqe, thotë populli nuk vjen vetëm për të dëmtuar, por dhe për të mësuar. Mësimi në këtë rast konsistonte në faktin se populli po shihte qartë se kush ishin baballarët e kombit, që në këto momente të rënda për vendin qenë vënë në garë, se kush të pranonte e të justifikonte me shpejt e me mirë pushtimin. Çfarë i nxiste vallë ta bënin këtë? Armiqësia e vjetër me Zogun? Apo ambiciet për karrierë të cilat ai ua kishte prerë? Cilatdo qofshin ato, harxhet e pasojat do t`i paguante Shqipëria.

Tragjikomedia qe keta figura po luanin ne kurriz te vendit,nuk do te mbaronte ketu. Sapo përfundoi operacioni i pushtimit, kolaboracionistet shqiptare do te vraponin ne ambasadën italiane dhe ne selite e institucioneve qe po ngriheshin per t`u shprehur mbështetje autoriteteve dhe regjimit që po instalonin këtu.

Musolini, nga ana e tij, që ndiqte me vëmendje zhvillimet e qëndrimet e figurave shqiptare, do të bënte detyrën, do të çmonte lart gjestin e tyre dhe si shpërblim do t`u ofronte poste të rëndësishme ne administratën kuislinge, duke i bërë ministra, deputetë etj. Tani dhe me përgjegjësinë e detyrave e të besimit që u ishte dhënë, ata do të luanin dhe aktin e fundit të tragji-komedisë apo më mirë të themi të tradhtisë ndaj atdheut. Në mbledhjen e 12 prillit 1939 të Asamblesë Kushtetuese, të cilën populli e quajti qysh në fillim, Asamble e tradhtarëve, edhe ata do ë bënin detyrën, duke zbatuar urdhrat e Romës deri në neveri, e në këtë kuadër, duke votuar e miratuar dhe aktin më të rëndë në historinë mijëravjeçare të shqiptarëve, vendimin e përgatitur në Romë, për bashkimin personal të Shqipërisë me Italinë. Pas mbledhjes, gjithë entuziazëm e krenari, ata do të merrnin vrapin drejt Romës, ku në një ceremoni të organizuar enkas në Quirinale, do t`i dorëzonin mbretit Viktor Emanuelit të III Kurorën e Skënderbeut!

“Poshtë mbreti! Rroftë mbreti!” Është kjo një shprehje e vjetër, e njohur, që simbolizon tradhtitë e vazhdimësinë. Ka ndodhur kjo edhe në vende të tjera. Po ne le të merremi me historinë tonë. Këtë po bënin dhe kolaboracionistët shqiptarë. Atëherë, a mund të thuhet se këtyre burrave të shquar të kombit u është rënë në qafë e u është ngrënë haku, duke i cilësuar si kolaboracionistë?

Organizimi i Rezistencës antifashiste

Zërat e parë kritike për qëndrimin e tyre do të vinte nga Franca Demokratike, si për të treguar jo vetëm mospajtimin por dhe zhgënjimin, pasi një pjesë e këtyre shqiptarëve që shitën interesat kombëtare kishin qëndruar në vite në Francë, por nuk kishin kuptuar e përfituar gjë nga historia e saj. Deputeti i njohur i së majtës frënge, Henri Valoni do të theksonte se “në mbarë botën, qarqet fashiste nacionale, përpiqeshin të zgjeronin kufijtë e shteteve të tyre të pavarura, kurse fashistët shqiptarë bënin të kundërtën, duke vendosur përfshirjen e Shqipërisë nën zgjedhën e Italisë Fashiste”. Kjo,sipas tij “ishte e pa konceptueshme”.

Këto zhvillime i përkasin nje kohe disi të largët, por tradhtia mbetet tradhti në jetë të jetëve. Prandaj dhe ia vlen të kujtohen, që të mos harrohen, aq më shumë kur sot pinjollët e tyre po përpiqen të na i paraqesin në një dritë krejt tjetër, si patriotë të mëdhenj, që luftuan e u bënë theror vetëm për Shqipërinë(!).

Në të vërtetë, askush më shumë se kolaboracionistët e Luftës së Dytë Botërore nuk i sollën  dëme të pallogaritshme Shqipërisë dhe historisë së saj me përligjjen që i bënë pushtimit fashist, me miratimin që i bënë pushtimit dhe me bashkëpunimin pa rezerva që i ofruan okupatorit. A thua nuk e shihnin e nuk e kuptonin ata se me pushtimin, Italia i solli vendit jo vetëm humbjen e pavarësisë kombëtare, që gjithsesi një ditë do t`i rikthehej, por i krijoi dhe rrezikun e zhdukjes së shqiptarëve si komb, për arsye të planeve që kishte Musolini për ta italianizuar vendin, nëpërmjet kolonizimit me banorë italianë. Po ata, siç e përmendëm pak më parë, ishin dhe njerëz të ditur të shkolluar në perëndim. Nuk e dinin e nuk e shihnin ata që deri në fundin e vitit 1939, pra brenda tetë muajve të parë të pushtimit, në Shqipëri ishin vendosur rreth 52 mijë banorë italianë, pa llogaritur efektivat e reparteve ushtarake? Është e pamundur ta besosh. Nuk e kuptonin vallë ata, që po të vazhdohej me këtë ritëm kolonizimi, brenda disa dhjetëvjeçareve, Shqipëria do të humbiste fytyrën e vet etnike?

Por, për fatin e mirë, Shqipëria e atyre viteve nuk kishte vetëm këta. Boshllëkun e krijuar nga largimi i mbretit dhe  rrezikun që vinte nga politikat e okupatorit dhe tradhtitë e të shiturve tek ai, i mbuluan e i evituan më së miri patriotët shqiptarë, nga të gjitha krahinat, besimet e orientimet, që i dolën zot dhe ia zbardhën fytyrën atdheut të tyre, duke u ngritur me armë në dorë për të kundërshtuar agresionin, që ditën e parë, që në orët e para të 7 prillit, pa menduar e pa llogaritur vështirësitë, sakrificat, për të mbajtur gjallë shpresën dhe për të ndezur luftën, për të mos e ndërprerë atë deri në dëbimin e okupatorit dhe çlirimin e atdheut. Kësisoj Shqipëria, viktima e parë e agresionit, siç u tha, do të fiksohej në  histori dhe si vendi i parë në Europë, ku u dëgjuan krismat e rezistencës antifashiste në limanet kryesore të saj, në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin e në Sarandë. Rezistenca më e forte, prej disa orësh, duke i zmbrapsur disa herë ushtritë agresore u bë në Durrës, nga patriotët e ardhur nga të katër anët e vendit, ndër ta dhe një grup i vogël nga Tirana që drejtohej nga Abaz Kupi. Në luftimet e zhvilluara ra heroikisht, për të mbetur përjetësisht simbol i qëndresës antifashiste, Mujo Ulqinaku, dëshmori i parë i atdheut, e krahas tij dhe një numër patriotësh të tjerë, që pavarësisht bindjeve e përkatësive shoqërore, ideologjike apo fetare, qenë bashkuar për një kauzë të shenjtë, të përbashkët, për t`i dalë zot vendit, për të ngritur lart flamurin e braktisur nga të paudhët.

OPINIONE