7 arritjet e Samitit në Tiranë mbi Ukrainën

Nga Sonila Meço

Pra, në përmbyllje të një dite të gjatë samiti në Tiranë mbi Ukrainën, vend në luftë e me një pjesë territori pushtuar nga Rusia, Presidenti i Serbisë (vendi aleat i vetëm i Rusisë në Ballkan) arriti:

1. Të dalë me deklarata publike si mik i njëkohshëm i Ukrainës dhe Rusisë, pra viktimës dhe agresorit.

2. Të heqë flamujt e shteteve nga pritja zyrtare e një samiti ndërkombëtar në Shqipëri, veç që Kosova mos të valviste të vetin.

3. Të imponojë në Samitin e Tiranës, nënshkrimet personale të pjesmarrësve në deklaratën përfundimtare të samitit, për të shmangur firmosjen shtetare të Kosovës. Në deklaratë ndodhet veç emri i Vjosa Osmanit

4. Të heqë epitetin “keqdashës” për ndikimin e Rusisë në Ballkan në deklaratën përfundimtare të Samitit për mbështetjen e Ukrainës.

5. Të mos marrë asnjë kërcënim a kritikë nga vendet pjesmarrëse, mbështetëse të Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për refuzimin ndaj tyre, duke hequr çdo gjurmë a hije të konceptit “sanksion ndaj Rusisë” në deklaratën finale të Samitit në ndihmë të Ukrainës.

6. Të hyjë e dalë nga Samiti në Tiranë, Zelenski, Presidenti i Ukrainës pa asnjë kërkesë a përmendje mundësie mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës (që ende nuk e bën mu bash vendi, që po i zaptohen territoret nga Rusia njëmendtë siç bën edhe Serbia, që ende provokon veriun e Kosovës me idenë e “Serbisë së Madhe”.

7. Shijoi spektaklin vetëm me një natë pa gjumë negociatash si shteti i vetëm karshi të gjithë të tjerëve, duke i detyruar të pranojnë kushtet e Serbisë në çdo detaj forme e përmbajtjeje.

Këto ndodhnin ndërsa Zelenski vizatonte me Ramën në zyrën e tij, në format A4 fabrika prodhimi armësh derisa të harxhohej edhe lapustili i fundit i kryeministri i vendit mikpritës të samitit, pa ushtri, pa ekonomi, pa investime, me kismet pa popull, por me emigrantët, që përzë Europa./syritv

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne