7326 policë për zgjedhjet, trupat komando marrin në ruajtje objektet e rëndësisë së veçantë dhe ambasadat

7326 efektivë të policisë do të jenë në krye të detyrës për procesin zgjedhor të ditës së diel në të gjithë Shqipërinë. Policia e Shtetit në planin e masave thekson se 7779 punonjës të policisë janë trajnuar, nga të cilët 5876 punonjës do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe 1450 punonjës policie do të jenë në funksion dhe gatishmëri të procesit zgjedhor. Efektivët do të sigurojnë 5417 Qendra të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV. Gjithashtu do të vendosen në dispozicion 543 automjete. 281 automjete civile do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Ashtu sikur ka ndodhur deri tani, opozita ka paralajmëruar se protestat dhe tubimet do të vijojnë edhe nesër dhe të dielën, por Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj i paralajmëroi se dy ditët e ardhshme përkojnë me heshtjen zgjedhore, që do të thotë se tubimet janë të ndaluara dhe ata që do të protestojnë rrezikojnë burg nga 1-5 vite burg. Ai kujtoi gjithashtu se sipas Kodit Zgjedhor, ditën e votimit është i ndaluar çdo lloj grumbullimi i njerëzve afër qendrave të votimit. Këto dy paralajmërime duket se i drejtohen qartë opozitës që jo vetëm ka paralajmëruar protesta në shesh për nesër e pasnesër, por edhe ka organizuar grupe të militantëve të saj që duhet të qëndrojnë përpara qendrave të votimit për të “monitoruar” qytetarët që shkojnë për të votuar.

Nga dita e sotme, bazuar te urdhri i ministrave të Mbrojtjes dhe Brendshme, por edhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, ka filluar marrja në ruajtje e 84 objekteve të rëndësishme (ambasada dhe objekte të tjera) që sigurohen me punonjës policie, nga forcat “Komando” të ushtrisë. Albert Dervishaj, në fund zbuloi edhe një mesazh të Drejtorit të Policisë së Shtetit për drejtuesit e policive vendore.

“Lidhur me detyrat në këtë fazë të procesit zgjedhor Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u ka dërguar një telegram me udhëzime drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilit ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, duke kryer veprime të shpejta dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë në rastet kur ka kallëzime penale që mund të bëhen nga subjekte të ndryshëm, si dhe të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore” tha ai./tvsh

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne