75 vjet më parë ndodhte tragjedia në fshatin Kutë të Mallakastrës

Dëshmitë e mëposhtme nuk janë trillime, apo hamendësime, por dokumente gojore dhe të shkruara nga protagonistët e atyre ngjarjeve.

Në pranverën e vitit 1943, në qarkun e Vlorës dhe saktësisht në fshatin Tragjas dhe Gjorm të atij qarku, u ngjiz një lëvizje demokratizuese në gjirin e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH) të Vlorës, që, historiografia e politizuar skajshëm, e ka quajtur “Fraksioni i Vlorës”, por që, në të vërtetë ishte një përçapje për ta vënë Luftën Nacionalçlirimtare në një rrugë demokratike, ku të përfshiheshin sa më shumë shtresa shoqërore dhe njerëz patriotë të kohës, përçapje kjo që nuk u la të zhvillohej, të hidhte rrënjë dhe, ndoshta, t’i jepte edhe jetës së mëpastajme një rrjedhë tjetër.

Shkruesi i këtyre radhëve nuk ka asgjë të vetën në këto që po thotë, por dëshmi të protagonistëve në vetë të parë, të dëgjuara prej tij nga ata vetë, ose të qëmtuara në dokumentet zyrtare.

Më 11 maj të vitit 1943, në mullirin e fshatit Kutë të Mallakastrës u vranë dy partizanë të orëve të para dhe u plagos një i tretë, dëshmia e të cilit është edhe strumbullari i këtij shkrimi.

Protagonistët e tragjedisë

-Mehmet Shehu, me pseudonimin e luftës, “Vjosa”, një organizator i zoti, por, sipas përcaktimit të mprehtë të njërit nga bashkëkohësit e tij, “kobure në dorën e E. Hoxhës derisa ajo kobure vrau edhe atë vetë“. Për ta vërtetuar këtë, ja se çfarë thotë një nga kuadrot e çetës “Plakë” dhe partizan që në krijimin e saj, atentatori trim Vllas Arapi. Edhe Vllasi ishte ndër ata që e kundërshtuan metodën e mbyllur e diktatoriale të punës, duke u përfshirë në grupin e guximtarëve “fraksionistë”. Ai, kur pa se ç’po ndodhte me shokët e tij, bëri autokritikë dhe u kthye sërish në çetë si partizan i thjeshtë. Duke qenë partizan në Br. I partizane, të komanduar nga M. Shehu, Vllasi, në prill të v. 1944, u arratis, sepse, siç iu shpreh të atit kur u takua me të në Fier: “Ata (krerët e PKSH) ndryshe thonë e ndryshe bëjnë… Mehmet Shehu do të ngrihet, do të ngrihet dhe pastaj do të bjerë si ai…” (Marrë nga një shkrim i poetit të shquar, Fatos Arapi, vëllai i Vllasit, në një gazetë të Tiranës).

Neki Imer Hoxha, me pseudonimin e luftës “Vangjo”, djalë i  ri, i zgjuar, me shkollë të mesme, i shkathët dhe trim.

Xhemil Çakërri, me pseudonimin e luftës “Milo”, djalosh 22-vjeçar, që sapo kishte mbaruar shkollën tregtare të Vlorës, trim i çartur, guximtar i rrallë.

-Hidajet Micolli, me pseudonimin e luftës, “Dysheku”, partizan i Çetës Plakë të Vlorës, Hero i Popullit.

I. S., me pseudonimin e luftës “Sazani”, një gjysmanalfabet, shërbëtor i përkushtuar ndaj M. Shehut, të cilit i qëndroi besnik tërë jetën dhe u rrokullis bashkë me të zotin.

Tragjedia

Me zbardhjen e mëngjesit të 11 majit 1943, në mullirin e fshatit Kutë të Mallakastrës hynë fshehurazi tre veta, dy të lidhur dhe një i armatosur, që i vëzhgonte me gishtin në këmbëzën e pushkës, gati për të shtirë. Kishin udhëtuar natën nga fshati Klos dhe mëngjesi i zuri në Kutë, ku, për të mos u diktuar nga askush, u fshehën në mulli, me shpresë se as mullixhiu nuk do t’i pikaste.

Shkruesi i këtyre radhëve, duke qenë i afërm i familjes Çakërri, ditën që Neki Imeri, me dorën të fashuar, erdhi për ngushëllim tek prindërit e Xhemilit dhe u tregoi se çfarë kishte ndodhur, ishte atje dhe dëgjoi sa më poshtë:

Tregimi i Vangjos: “Po errej nata, unë dhe Xhemili ishim duke kaluar nëpër fshatin Klos dhe po shkonim tek vendi ku na priste çeta, kur një partizan na ndaloi dhe na tha se na kërkonte Mehmet Shehu. Ne njiheshim mirë me Mehmetin, e dinim edhe detyrën që kryente në parti, kështu që nuk ngurruam dhe shkuam pas partizanit të panjohur nga ne. Shkuam në një shtëpi, hymë brenda në dhomë, ku gjetëm Mehmetin. U përshëndetëm me të, pa dyshuar për asgjë varëm armët, siç bënim gjithmonë kur shkonim nëpër baza dhe u ulëm shtruar. Pa arritur as të pyeteshim mirë me pritësin, nga një derë anësore dolën dy partizanë, njëri prej tyre ai që na kishte takuar dhe, pa na dhënë kohë të kuptonim çfarë po ndodhte, na u hodhën përsipër dhe na lidhën duart. Ne pamë nga Mehmeti duke e pyetur se çfarë po ndodhte. Ai, pa na përfillur fare, na tha se, me urdhër të partisë jeni të arrestuar dhe do të dilni përpara gjyqit partizan në fshatin Çorrush. Pastaj urdhëroi partizanin, që na kishte takuar në fillim, të na shoqëronte dhe të na dorëzonte në Çorrush. Gjithmonë me duar të lidhura, udhëtuam të shoqëruar nga partizani, që morëm vesh se quhej Sazan dhe që na mbante nën kërcënimin e tytës së pushkës. Ecëm gjatë derisa u gdhi mëngjesi. Partizani që na shoqëronte na porositi të mos bënim zhurmë pasi do të futeshim fshehurazi në mullirin e fshatit Kutë, në mënyrë që të mos na diktonte as mullixhiu, derisa të errësohej, kur do të nisnim sërish rrugën pa na diktuar njeri, deri në Çorrush. U futëm dhe u fshehëm në një skutë të mullirit. Nuk kaloi shumë dhe jashtë mullirit u dëgjuan të shtëna armësh dhe zhurmë njerëzish. Shoqëruesi ynë ngriti veshët dhe nxori koburen. Në këtë kohë u hap dera e mullirit dhe u dha në derë një partizan, që e njihnim mirë se ishte i çetës tonë “Plakë”, ishte Hidajet Micolli që e thërrisnin Dysheku, pasi ishte arratisur nga burgu fashist i fshehur në një dyshek. Me ta parë partizanin, shoqëruesi ynë shtiu mbi të dhe e vrau në vend. Në këtë kohë, Xhemili, duke parë rrezikun që po na kanosej edhe neve, me atë trimërinë dhe vetmohimin që e kishte karakterizuar gjithmonë, iu hodh përsipër shoqëruesit dhe më bërtiti mua: “Ik Vangjo dhe trego të vërtetën!”. Unë e kuptova rrezikun dhe u hodha në vijën e ujit të mullirit, ndërkohë dëgjova dy të shtëna kobureje, njëra goditi për vdekje Xhemilin, ndërsa tjetra më plagosi mua në dorë. Unë dola matanë vijës së ujit dhe u bashkova me partizanët e tjerë të çetës territoriale. Ata, pa e ditur se si qëndronte puna, më çuan e më dorëzuan tek Mehmet Shehu. Unë shpëtova pa u vrarë sepse më nxorën përpara gjyqit partizan dhe më kërkuan të bëja autokritikë. Unë pranova gabimin, kështu që më bënë partizan të thjeshtë, anëtar të çetës. E përdora këtë dredhi për të shpëtuar jetën dhe për të çuar në vend porosinë e Xhemilit që të tregoja të vërtetën. Tani i braktisa ata dhe u bashkova me Sadikun (Premten) që të vazhdojmë luftën kundër pushtuesve me mënyrën tonë”.

Për ndonjë që mund të jetë mosbesues se si është mbajtur mend, pas 75 vjetësh, tregimi i protagonistit të mbetur gjallw të tragjedisë, mund t’i them se janë disa faktorë: E para, ky tregim është përsëritur shpesh midis nesh; e dyta, ndonjë harrese time, që isha ende i ri, i ka ardhur në ndihmë kujtesa më e kthjellët e më të rriturve, sidomos motrave të Xhemilit dhe, e treta, më kryesorja, thelbi i tregimit vërtetohet nga dokumentet arkivore që do të sjellim më poshtë.

Nuk është e vështirë të kuptohet se Mehmeti e kreu këtë krim, jo me kokën e tij, por zbatoi një urdhër që i kishte ardhur nga vetë E. Hoxha. Ky i fundit, i shqetësuar në kulm nga përmasat e asaj lëvizjeje që po ndodhte në Vlorë, më 3 maj të v. 1943, shkroi një letër që ia drejtonte Qarkorit të Vlorës dhe për njoftim gjithë Komiteteve Qarkore të Shqipërisë. Në atë letër ai urdhëronte: “Xhepi (Sadik Premtja – shënimi im) dhe Pali (Terova – shën. im) duhet të pushkatohen përnjëherësh si tradhtarë… armiq të betuar të partisë dhe të popullit” (?!). Dhe më poshtë: “Të arrestohet Vangjoja e Difi (pseudonim i Qazim Çakërrit, ish-komisarit të parë të Çetës “Plakë” të Vlorës) dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre… Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin… edhe ata të pushkatohen:. (E. Hoxha, vepra, vëll. 1, bot. II, f. 366).

Këtë e pranon edhe vetë Mehmeti në një letër që i dërgonte Komitetit Qarkor të Vlorës, ku e njoftonte: “Sipas urdhrit që m’u dërgua, Vangjua e Xhemili u arrestuan. I kam lidhur dhe ndodhen në duar të sigurta”.

Kurse tragjedinë e mullirit të Kutës, po Mehmeti, në një letër që i dërgonte L. Gegës dhe Hysni Kapos më 12.5.1943 e përshkruante kështu: “… Vangjon e Milon i nisa, por ndodhi një e papritur. Sazani me ta kaloi ditën në mullirin e Smail Muharremit (Kutë), porse për mungesë konspiracioni nga mullixhiu u muar vesh. Dysheku (Hidajeti) mori vesh dhe me tre partizanë të çetës së Vlorës sulmuan mullirin. N’atë kohë vajti çeta e Kutës dhe e Çorrushit dhe nga mosmarrëveshja, sulmuan edhe ata mullirin. Sazani me dy partizanët e tjerë (është fjala për Xhemilin e Vangjon – shën im), mbas dy orësh lufte me 300 burra, kur panë se çdo shpresë u humbi, vrau Xhemilin, Vangjua u plagos lehtë në dorën e djathtë, tentoi të ikte dhe e kapi çeta e Kutës, e cila e kuptoi tradhtinë dhe s’ia dorëzoi kujt, veç meje. Në atë luftim mbeti i vrarë Dysheku. I varrosëm…. Çeta është tronditur, por nuk ndihen shenja revoltimi.(AQSH F. 18, L. 1 D. 9).

Në një qarkore që i dërgonte Komitetit Qarkor të Vlorës E. Hoxha, më 17 qershor 1943, urdhëronte prerazi që, lufta kundër atyre që mendonin ndryshe “të bëhet e ashpër dhe e pamëshirshme” (E. Hoxha. Vepra. Vëll. I. Bot. II, f. 381) dhe më poshtë: “Qazim Çakërri përjashtohet nga partia dhe, mbasi refuzoi të marrë pjesë në çetat partizane, ku e urdhëroi partia… të mbahet nën vëzhgim më të madh dhe, në rast se shihet që aktiviteti i tij drejtohet kundër partisë, të merren masa drakoniane kundër tij” (po aty, f. 392). Siç shihet, urdhri ishte i qartë dhe i prerë, të gjithë ata që mendonin ndryshe duhej të eliminoheshin. Në një material të përgatitur nga një grup pune, i caktuar nga KQ i PPSH, shumë vite më vonë, për analizën e punës së “fraksionit të Vlorës”, lidhur me vrasjen e kundërshtarëve në mendime, thuhet: “…u krijua dhe një njësit i posaçëm që mori emrin “Hakmarrja…, i cili filloi ndjekjen e veprimtarisë  së “xhepistëve” më të rrezikshëm që kishin mbetur në veprim”. Njësiti, apo çeta e vogël “Hakmarrja”, kishte në krye M. J. Ishte ajo që, në gusht të vitit 1943, i bëri pritë çetës së Sadik Premtes. Në atë pritë, nga ana e “xhepistëve” u vra Vangjua dhe Xhafer Dalani nga fshati Gjorm, ndërsa nga pjesëtarët e “Hakmarrjes” u vra Shyqyri Alimerkoja dhe Sadik Zotaj, vrasje këto të bëra midis vëllezërish shqiptarë, të cilët, jo më shumë se disa javë përpara, kishin qenë shokë në një llogore, në luftën kundër pushtuesve, dhe që tani, të shtyrë nga mania diktatoriale e një njeriu, shtinë dhe vranë njëri-tjetrin.

Këto raste sporadike, që janë të pashmangshme në historinë e luftërave popullore, nuk mund të përligjë në asnjë mënyrë krakërrimin e sorrave-pinjollë të bashkëpunëtorëve të pushtuesve, të cilët orvaten ta cilësojnë Luftën e Lavdishme Nacionalçlirimtare si luftë civile.

Guri Shyti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne