90 mijë muslimanë falin namazin e Bajramit në Mesxhid al-Aksa

Mbi 90 mijë palestinezë që jetojnë në Kudsin Lindor të pushtuar sot falën namazin e Bajramit në Mesxhid Al-Aksa, raporton Anadolu Agency (AA).

Palestinezët krijuan radhë të gjata në rrugë që nga orët e hershme të mëngjesit për të falur namazin në Al-Aksa.

Sipas një deklarate të Drejtorisë së Vakëfeve në Kuds, mbi 90 muslimanë ishin të pranishëm në faljen e namazit të Bajramit në Al-Aksa.

Predikuesi Shejh Muhamed Husein tha në hutben e Bajramit se pret që palestinezët ta vazhdojnë interesimin për Mesxhid al-Aksan edhe pas Ramazanit.

Husein tha se populli palestinez mbron xhaminë e shenjtë, qytetin e tyre Kudsin dhe tokat e shenjta dhe shtoi se nuk do ta pranojnë “Marrëveshjen e Shekullit” të përgatitur nga SHBA për rifillimin e negociatave mes Izraelit dhe Palestinës.

Një grup palestinezësh organizuan një demonstratë mbështetëse për Gazën pas namazit, duke ngritur pankarta me mbishkrime si “Sanksionet ndaj Gazës janë krim” dhe “Gaza është zemra e Kudsit, Kudsi është zemra e Gazës”.

Gjatë këtij muaji të Ramazanit, Izraeli pengoi hyrjen në Kuds të meshkujve të moshës nën 40 vjeç nga Bregu Perëndimor i rrethuar me Murin e Ndarjes (Muri i Turpit), ndërsa nuk lejoi edhe hyrjen e palestinezëve nga Gaza e bllokuar me afër dy milionë banorë.

Një numër i madh i pikave izraelite të kontrollit gjenden përgjatë murit të betonit të lartë pesë metra të ndërtuar në vitin 2003 mes Bregut Perëndimor të okupuar dhe Kudsit. Në ditë të zakonshme, Izraeli nuk lejon kalimin e palestinezëve të Bregut Perëndimor në Kuds, me përjashtim të lejeve të posaçme.

– Në Gaza muslimanët falin namazin e Bajramit pranë kufirit me Izraelin

Qindra palestinezë falën namazin e Bajramit në ajër të hapur në kufirin me Izraelin.

Në faljen e namazit në kufirin lindor të Gazës të pranishëm ishin edhe shefi i byrosë politike të Hamasit, Ismail Hanije, anëtari i byrosë politike të Hamasit, Halil Hajje, dhe pjesëtarë të grupeve palestineze.

Në hutben që lexoi pas namazit, Hajje tha se në këtë zonë nuk është falur namazi i Bajramit prej shekujsh.

“Ja, populli palestinez sot avancon drejt tokave të veta, si tregues se është në rrugën e kthimit”, tha Hajje.

Hajje theksoi se qëllimi i faljes së namazit të Bajramit në kufi është të tregohet se aktivitetet e Marshit të Kthimit të Madh do të vazhdojnë deri në thyerjen e bllokadës dhe arritjen e qëllimit.

“Ka ardhur kohë që bllokada ndaj Gazës të hiqet pa kushte dhe përgjithmonë”, shtoi Hajje.

Ai rikujtoi se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj fëmijëve, grave dhe personave me aftësi të kufizuara, ndërsa shtoi se se Palestina dhe Kudsi janë gjërat më të shtrenjta për popullin palestinez.

Hajje i bëri thirrje shteteve arabe dhe islame të mbyllin dyert e normalizimit me Izraelin.

Ndryshe, 128 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe mijëra të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave të ushtarëve izraelitë ndaj demonstruesve paqësorë në Rripin e Gazës nga 30 marsi, të tubuar nën moton “Marshi i Kthimit të Madh”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne