A do ta kërcënojë prania e MEK-ut stabilitetin e zymtë të Shqipërisë?

nga Frida Ghitis.

Mund të duket si një artikull i pakëndshëm në mes të lajmeve të shumta. Por fjala se avokati i presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani, mori pjesë në mbledhjen vjetore të një grupi kundërshtar të Iranit në bazën e tij në Shqipëri, duhet të ngrejë pyetje për shumë arsye, jo pak prej të cilave janë shqetësime që lidhen me demokracinë e trazuar dhe të brishtë të Shqipërisë. Nëse Shqipëria tani është tërhequr papritur në një prej konflikteve më të rrezikshme gjeopolitike të sotme – ai që vë Iranin kundër Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera të Gjirit – koha nuk mund të ishte më e keqe. Vendi është në mesin e një një krize politike të lulëzuar, që herë pas here ka qenë e dhunshme dhe rezultati i së cilës është ende i pasigurt.

Një anëtar i NATO-s, Shqipëria gjithashtu po përpiqet pa sukses për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian për vite me radhë; trazirat e tanishme vendase e bëjnë këtë qëllim edhe më të largët. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, kriza e Shqipërisë e ka kthyer atë në një objektiv për aktorët keqdashës që kërkojnë të përfitojnë nga një komb i hutuar dhe i ndarë. Giuliani, së bashku me disa figura të tjera të shquara, përfshirë ish-senatorin amerikan Joe Lieberman dhe deputetin britanik konservator, Matthew Offord, morën pjesë në konferencën vjetore, “Irani i Lirë” të grupit të njohur ndryshe si Organizata e Moxhahedinëve të Popullit të Iranit dhe Muxhahidin-Khalq MEK. Një organizatë e fshehtë e përkushtuar për përmbysjen e regjimit të Iranit, MEK shpesh përshkruhet si një kult dhe dikur ishte klasifikuar nga Departamenti i Shtetit si një organizatë terroriste.

Tani, disa nga mbështetësit kryesorë të saj, punojnë për Trumpin dhe administratën e tij. Ata e kanë vendosur Shqipërinë në mes të dosjes së Iranit. Ndoshta mbështetësi i tij më i madh është John Bolton, këshilltar i Trumpit, i cili dëshiron që MEK të qeverisë Iranin. MEK ka një histori të çuditshme dhe kontestuese. Ai u shfaq si një organizatë islamiste-marksiste dhe milicie në Iran në vitet 60 dhe ishte plotësisht antiamerikan. Ai vrau pjesëtarët e policisë së Shahut dhe luajti një rol kyç në rrëzimin e tij gjatë revolucionit të vitit 1979. Por ai ra ne konflikt me autoritetet e reja islamike të Iranit pasi ata morën pushtetin dhe u largua nga vendi në fillim të viteve 80. Kur Iraku nën Saddam Hussein hyri në luftë kundër Iranit, MEK-u, tani me forcën e armëve kundërshtoi Republikën Islamike. MEK u bashkua me Bagdadin dhe përfundoi ndërtimin e një baze operacionesh në Irak afër kufirit iranian, nga i cili organizonte sulme brenda Iranit. Grupi ishte ende i fshehur në Irak kur forcat amerikane pushtuan dhe përmbysën Sadamin në vitin 2003.  Ndërsa Iraku u pushtua nga kaosi, agjentët iranianë filluan të shenjestronin MEK-un. Në një sulm të vititt 2013, ata masakruan më shumë se 50 anëtarë të MEK-ut. Administrata e Obamës, e cila e kishte hequr grupin nga lista e grupeve të caktuara terroriste të Departamentit të Shtetit në vitin 2012, pas një fushate lobimi të gjatë dhe të shtrenjtë në Uashington nga MEK dhe simpatizantët e saj, bënë një marrëveshje për rivendosjen e rreth 3,000 anëtarëve të MEK në Shqipëri, një vend i etur për të mbajtur lidhje të forta amerikane.

Që kur u zhvendos në Shqipëri, MEK pati marrë vetëm një vëmendje të vogël ndërkombëtare. Kjo ndryshoi me administratën Trump. Figura kryesore të administratës e kanë mbrojtur grupin, disa si mbështetës të paguar, të tjerët jashtë bindjeve ideologjike. Bolton dhe Giuliani në veçanti e kanë promovuar atë si një qeveri të ligjshme në mërgim që duhet të zëvendësojë Republikën Islamike edhe pse organizata MEK ka pak mbështetje brenda Iranit. Vëmendja e administratës Trump për MEK padyshim që po tërheq vëmendjen e Teheranit në një moment politik të rrezikshëm në Shqipëri.

Kriza politike në Shqipëri

Qeveria shqiptare u zhyt në krizë këtë vit, kur partitë e opozitës u tërhoqën nga Parlamenti dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe lidhje me krimin e organizuar. Partia Socialiste e qendrës së majtë, mban shumicën në Parlament, ndërsa opozita përbëhet nga parti të majta dhe të djathta. Korrupsioni ka qenë endemik në Shqipëri që nga fundi i sundimit komunist, por Rama në përgjithësi gëzon mbështetjen e SHBA-ve dhe pjesës më të madhe të Evropës. Tensionet në Tiranë shpërthyen muajin e kaluar pasi Bild, një gazetë gjermane, zbuloi biseda nga përgjimet e prokurorëve që tregonin se Rama dhe Partia Socialiste kishte komplotuar me grupe kriminale për të manipuluar zgjedhjet në vitin 2016. Rama dhe partia e tij e mohojnë çdo keq bërje. Por kundërshtarët e tyre dolën në rrugë. Pasuan beteja të ashpra, me protestuesit që hidhnin kokteje Molotov dhe policët që reagonin. Situata u përkeqësua kur opozita deklaroi se do të bojkotojë zgjedhjet lokale të qershorit.

Presidenti Ilir Meta më pas njoftoi se i anuloi zgjedhjet dhe i shtyu për në tetor, pasi zgjedhjet pa opozitën nuk do të ishin demokratike. Partia qeverisëse e Ramës, megjithatë, nuk pranoi të pranonte masën e presidentit dhe tha se do të niste procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta. Pastaj erdhën votimet e 30 qershorit. Pjesëmarrja pë çudi ishte shumë e vogël. Me fituesit e zgjedhjeve të gatshëm për të marrë postet e tyre të reja në të gjithë vendin, disa krye bashkiakë që largoheshin refuzuan të heqin dorë nga zyrat e tyre. Skena politike mbetet e trazuar, plot tension dhe komplot. Meta ka akuzuar Ramën se është një mjet i “shtetit të thellë”, duke punuar me filantropin miliarder Xhorxh Soros për të destabilizuar Shqipërinë dhe për të krijuar një “diktaturë” që përfshin Shqipërinë dhe Kosovën, “duke u shërbyer agjendave të fshehta”. Populli shqiptar, tha ai në një intervistë, nuk do të jetë një “koloni në robëri e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar”. Në vend të kësaj, ai do të jetë pjesë e perëndimit”, t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

Afati përfundon për Shqipërinë

Në tetor, Këshilli Evropian do të marrë një vendim për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE për Shqipërinë. Betejat në rrugë, thirrjet antiqevritare dhe teoritë e konspiracionit, të gjitha mbështesin pikëpamjet e skeptikëve që thonë se demokracia e Shqipërisë nuk është e pjekur apo e qëndrueshme për t’u bashkuar me BE-në. Sikur kjo të mos mjaftonte për keq, problemet me Iranin mund të shpërthejnë lidhur  mbi kompleksin e MEK-ut në Shqipëri, duke ngritur rrezikun e një ndërhyrjeje iraniane. Irani e mori lajmin për tubimin që Giuliani dhe të tjerët zhvilluan në Shqipëri para disa ditësh. Mediat e tij folën kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore për anashkalimin që ato po i bëjnë një organizate të njohur për veprime terroriste. Irani ka gjithashtu edhe një influence të qëndrueshme në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Evropën.

Qëllimi i MEK-ut mbetet përmbysja e regjimit iranian, megjithëse tani kjo organizatë pretendon se i është larguar ushtrimit të dhunës. Një grupim i tillë në mesin e një konflikti të administratës Trump me Iranin mund ta bënte Shqipërinë më të prekshme se kurrë nga ndërhyrjet e jashtme. Potenciali për një krizë të re në Evropë dhe brenda NATO-s me qendër Shqipërinë është shumë real./worldpoliticsreview/shekulli

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne