“A do ta pranojnë arabët ofertën që e refuzuan osmanët lidhur me Palestinën?”

“Gjatë sundimit të Sulltan Abdulhamitit të Dytë, Herzl kërkoi të blinte Palestinën në mënyrë që të dërgonte hebrenjtë atje, por sulltani refuzoi”, ka thënë Walid, Joumblatt, politikan libanez

Politikani veteran libanez Walid Joumblatt ka nxjerrë një krahasim ndërmjet reagimit të Perandorisë Osmane ndaj ofertës së themeluesit të Cionizmit Theodor Herzl për të blerë tokën palestineze dhe reagimit arab ndaj planit amerikan për Lindjen e Mesme të njohur si “marrëveshja e shekullit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Gjatë sundimit të Sulltan Abdulhamitit të Dytë, Herzl kërkoi të blinte Palestinën në mënyrë që të dërgonte hebrenjtë atje, por sulltani refuzoi”, ka shkruar në Twitter Joumblatt, kreu i komunitetit Druze në Liban.

“Sot në Bahrein, (këshilltari i lartë amerikan) Jared Kushner, nipi i Herzl, do t’u kërkojë arabëve të shesin Palestinën për të transferuar popullin e saj në Jordani, Sinai, Liban, Siri dhe diasporë”, tha ai.

“A do të pranojnë arabët atë që refuzuan osmanët?”, ka pyetur Joumblatt.

Një konferencë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara (SHBA) filloi dje në Bahrein, gjatë së cilës zyrtarët amerikanë pritet të zbulojnë pjesën ekonomike të planit të njohur si “marrëveshja e shekullit”.

Gjatë fjalimit të tij të hapjes, Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së Donald Trump, e përshkroi planin e paqes si “mundësi e shekullit” dhe jo vetëm si “marrëveshje e shekullit”.

Palestinezët e kanë dënuar ngjarjen dyditore, duke e përshkruar atë si një përpjekje për të minuar luftën e tyre për çlirimin nga pushtimi dhjetëravjeçar izraelit.

Herzl (1860-1904) ishte themeluesi i lëvizjes moderne Cioniste, e cila nxiti imigracionin hebre në Palestinë me qëllim krijimin e një shteti hebre atje.

Më 28 qershor 1890, Sulltan Abdulhamiti i Dytë lëshoi ​​një ferman (urdhër perandoriak) që ndalonte akomodimin e cionistëve në tokat osmane dhe urdhëronte kthimin e tyre në vendet prej nga vinin.

Sipas dekretit, sulltani ndaloi shitjen e tokës osmane dhe krijoi një njësi speciale policore për zbatimin e këtyre urdhrave.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë kërkoi invesime prej 50 miliardë dollarë për Palestinën dhe shtetet fqinje arabe si pjesë e planit, i cili bën thirrje për rritjen e projekteve të infrastrukturës midis Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor, me një qëllim të deklaruar për “fuqizimin” e popullit palestinez.

“Marrëveshja e shekullit” ende nuk është zbuluar, megjithatë, bazuar në raportimet e mediave, ai parashikon të bëjë lëshime të mëdha për Izraelin lidhur me statusin e qytetit të Kudsit, si dhe lidhur me të drejtën e kthimit të palestinezëve në shtëpitë e tyre në Palestinën historike.

Kudsi mbetet qendra e mosmarrëveshjes së gjatë me dekada të tëra në Lindjen e Mesme, ku palestinezët që shpresojnë që Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, një ditë mund të shërbejë si kryeqyteti i një shteti palestinez.

Bisedimet midis Palestinës dhe Izraelit dështuan në prill të vitit 2014 pasi Izraeli refuzoi të ndalonte ndërtimin e vendbanimeve ilegale, të pranonte një zgjidhje me dy shtete bazuar në kufijtë para vitit 1967 dhe të lirojë të burgosurit palestinezë nga burgjet izraelite./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne