A do të ketë luftëra të reja në Ballkanin Perëndimor?

Nga: Bardhyl Mahmuti

Në fazën finale të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, lufta speciale serbe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Jo vetëm në raportimet lidhur me “divergjencat” e presidentit serbe, Aleksandar Viçiqit me peshkopin e Rashkës, Teodosije, por tërë hapësira mediatike serbe është përqendruar rreth asaj nëse serbët “do ta ndajnë Kosovën, ose do ta marrin tërësisht”.

Funksionimi i tillë i politikës serbe nuk habitë askënd. Ajo që është për t’u habitur qëndron në heshtjen e institucioneve ndërkombëtare rreth kërcënimeve serioze të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjatë tërë procesit të shpërbërjes së ish Federatës jugosllave, një nga parimet themelore dhe të pacenueshme për zgjidhjen e kontesteve në mes etniteteve federative të këtij vendi, kishte të bënte me “mos ndryshimin e kufijve”.

I njëjti parim ishte përfshirë edhe në “parimeve orientuese të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit final të Kosovës”. Në këto parime orientuese theksohet se “rregullimi i statusit final të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Për këto arsye, nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër, apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve regjionalë do të respektohet plotësisht”.

Cenimi i integritetit territorial të Kosovës është shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare dhe rrezik real i shpërthimit të luftërave të reja në Ballkan. Një gjë është e sigurt: nëse ndodh precedenti i ndryshimit të kufijve në Kosovë, ndaja e Maqedonisë dhe Bosnjës është e pashmangshme.

Bisedimet për statusin final të Kosovës kanë përfunduar në Vjenë. Dialogu i tanishëm për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nuk mund të përfundojë me destabilizimin e Ballkanit. Ky dialog duhet të jenë në funksion të paqes, drejtësisë dhe stabilitetit rajonal. Në të kundërtën, përgjegjësia për gjakderdhjet e reja bie mbi ata që do t’i hyjnë një aventure të tillë.

Burimi: Strugalajm

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne