A do të përshkallëzohet lufta në Siri

S’ka dyshim se SHBA me aleatët e NATO-s (përjashto Turqinë) dhe disa shtete arabe, janë përkrah Izraelit. Rusia a do t’i qëndrojë besnike Iranit mbetet të shihet, personalisht nuk pres që Rusia ta përkrahë Iranin deri në këtë masë. Mirëpo, nëse edhe Rusia do të përfshihet në këtë luftë, përfituesja e vetme do të jetë Kina. Ajo do të presë shkatërrimin e shteteve monoteiste, që më pas të del si një superfuqi e vetme globale, mu ashtu sikurse kishte dalë SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore.

Dr.Muhamed JUSUFI

Teza e ish reporterit të Rilindjes z. Nehat Islami ishte se pas sulmeve të fundit të Perëndimit ndaj Sirisë, do të dërgohen brenda dy javëve ushtarë arabë paqeruajtës!? Kjo më bëri përshtypje të merrem më thellë me qasjen e tij, ta shoh nëse jam gabim ose ta ripërpunoj tezën time të përshkallëzimit të luftës në Siri.

Siria sot

Së pari: Protestat e para tetë viteve në Siri përfunduan në luftë civile. Për ta “ndihmuar opozitën” u involvuan disa grupe militante heterogjene nga më shumë se 60 shtete të botës (disa vjet më vonë u shpallën organizata terroriste). Për baraspeshë të këtyre organizatave u involvuaHizbullahi libanez, Irani dhe Rusia. Perëndimi në krye me SHBA-të dhe disa shtete të Evropës kishin deklaruar se ishin kundër regjimit të Basharit, prandaj përkrahën opozitën edhe grupet militante derisa ato u shpallën terroriste. Turqia gjithashtu ishte me opozitën, mirëpo, frika e armatosjes së kurdëve nga ana e shteteve perëndimore, bëri që Turqia të mbante qëndrimin midis Rusisë dhe Perëndimit. Meqenëse Turqia nuk është tema jonë nuk do të merrem më shumë me të. Pra, epilogu sirian sot është, mbi 60% të territorit kontrollohet nga regjimi i Besharit, ndërsa pjesa tjetër është në duart e kurdëve dhe opozitës siriane, “drutë për djegie janë grumbulluar për zjarr”.

Së dyti: Prishja e raporteve diplomatike midis SHBA-ve dhe Iranit në 1979, sikur prishi edhe gjeostrategjinë në këtë rajon. Lufta irako-iraniane përfundoi me fitoren morale të Iranit në vitin 1988, mirëpo, shumë shpejt ndodhi shpërbërja e BRSS-së, dhe SHBA-të mëtuar të bëhen shtet i vetëm unipolar. Kjo bëri që SHBA-të ta plotësojë këtë vakum, ajo dërgoi trupat e saj në Ballkan, gjegjësisht në Kosovë në vitin 1999-të, Afganistan 2001 dhe në Irak 2003. Influenca iraniane shpejtë e “detyroi” SHBA-në të tërhiqet nga Iraku. Irani, asnjëherë nuk është deklaruar se ka pretendime territoriale, edhe pse kohëve të fundit posedon teknologji nukleare. Mirëpo, prezenca e saj ushtarake në rajon është evidente, ndërsa në anën tjetër hegjemonia Ruse e shfrytëzoi mrekullisht këtë influencë dhe tani duket qarte se ajo ka filluar të rikthehet si forcë kontinentale në botë. Jo fort larg, ish presidenti Ahmedinexhad kishte deklaruar se Irani ka për ta zhdukur sionizmin hebre në Izrael. Sot, “vullnetarët” iranian janë prezent në Jemen, Irak, Liban, Siri dhe në disa shtete të rajonit, ndërsa kjo nëse nuk e frikëson Izraelin, e bën të jetë shumë më i kujdesshëm. Epilogu “druve i janë vendosur spirat e vogla, tani ka ngelë vetëm letra dhe vënia e zjarrit”.

Së treti: Izraeli për sigurinë e vet, kishte sulmuar shtetet e rajonit përfshi edhe Iranin. Këto goditje s’do mend se provokonin një luftë të drejtpërdrejtë midis tyre, mirëpo, këto shtete nuk i ishin kundërpërgjigjur me të njëjtën gjuhë, përveçse me deklarata politike. Irani si duket e testoi veten kundër Izraelit në luftën 33 ditore që e zhvilloi në jug të Libanit në vitin 2006, pastaj në Gazë të Palestinës në vitin 2008. Tani, a ka ardhur koha të kemi një përplasje të drejtpërdrejtë midis këtyre dy shteteve, mbetet të dëshmojë koha, si duket janë në pritje se kush i pari do ta ndez letrën.

Argumentet pro dhe kundër përshkallëzimit të luftës në rajon:

SHBA-të së bashku me Francën e Britaninë goditën Sirinë ashtu siç kishin paralajmëruar. Arsyeja ishte, ashtu siç thanë ata, se, ushtria e regjimit kishte përdorur gazin sarin kundër banorëve të Gutës, një qytet afër Damaskut. Gjithashtu ata deklaruan se goditjet kishin shkuar në destinacionin e kërkuar, dhe me kaq, hë për hë,  e kishin kryer misionin e tyre. Më të pa kënaqurit nga këto goditje ishin Izraeli dhe Arabia Saudite.

Kujtojmë se ditë më parë, SHBA-të për shkak të përfitimeve të vogla politike kishin deklaruar se ushtria e saj do të tërhiqej nga Siria brenda gjashtë muajve. Tërheqja e kësaj ushtrie nuk i shkonte për shtati as Izraelit e as Arabisë Saudite, prandaj kjo e fundit si duket kishte pranuar që t’i paguante 4 miliardët e kërkuar nga SHBA-të, që të mos tërhiqej që aty.

Argumentet kundër përshkallëzimit të luftës

  1. SHBA-të nuk duan një luftë më të gjerë në Siri, nëse do të detyrohen, atëherë, ata duhet të presin lejen nga Senati, pastaj duhet të marrin lejen morale nga fryma pozitive e shoqërisë amerikane. Ndërsa kjo procedurë ende nuk ka filluar.
  2. Administrata e Trump-it nuk ka ndarë ndonjë buxhet të veçantë që do të mund ta përshkallëzojë luftën në rajon.
  3. SHBA-të pasi arritën qëllimet e tyre pas kësaj goditje të Sirisë, si duket janë për një konference të re ndërkombëtare, që konflikti sirian të zgjidhet në mënyrë paqësore.
  4. Sipas The Guardian, Arabisë Saudite i është kërkuar të grumbullojë një ushtri në përbërje të shtete arabe për ta dërguar në Siri për qëllime paqësore. Saudia shpreson shumë nga Pakistani dhe Sudani të dërgojnë trupat e tyre në rajon.

Argumente pro përshkallëzimit të luftës

  1. Nëse goditjet e aviacionit Izraelit tash e 10 vjet ishin shumë të rralla, ato filluan të shpeshtohen nga një herë në vit në çdo 6 muaj, pastaj u shpeshtuan edhe më shumë duke goditur në çdo muaj, ndërsa kohëve të fundit kemi goditje javore në rajon nga ana e Izraelit. Tani vetëm në muajin prill kemi dy incidente serioze. Izraeli rrëzoi një avion iranian pa pilot në territorin e tij, mirëpo, shumë analistë të huaj thonë se, edhe iranianët ishin ata që ia rrëzuan avion luftarak Izraelit në Siri. Tani kemi edhe goditjen e fundit të Izraelit në bazën ushtarake në Tifor, ku u raportua se u vranë shtatë këshilltarë iranian.
  2. Goditja e fundit me raketa ndaj Sirisë qe e vogël, mirëpo, Perëndimi është duke pritur se, cili i pari po e vendos shkrepësen në turrën e druve.
  3. Shkuarja eventuale e ushtrive arabe dhe e Pakistanit në Siri për qëllime paqësore, nuk duket e sinqertë, si duket për qëllim kanë të zëvendësojnë ISIS-in në terren, e jo stabilizimin e rajonit. Për të stabilizuar situatën në Kosovë, OKB-ja kishte dërguar ushtri shumëkombëshe nga anekënd bota, e jo ushtri vetëm të një lloji.
  4. Deklaratat e frikshme të Ministrit të Jashtëm të Iranit dhe Nasrullahit, se Izraeli ka gabuar shumë rëndë me sulmin e tij në Tifor, hë për hë, u parandalua kundërpërgjigja iraniane nga Rusia. Por kjo nuk do të thotë se provokimeve të tjera nuk do t’i përgjigjet.
  5. Shumë analistë politikë e ushtarakë theksojnë se bota ka nevojë imediate për një rend të ri botërorë, ndërsa sulmi i parë për këto ndryshime parashikohet të jetë Irani.

Për në fund, nuk më besohet se Arabia Saudite do të arrijë ta bindë Sudanin dhe Pakistanin t’i dërgojnë ushtarët në Siri, sepse këto shtete, nuk e kishin bërë as atëherë kur ajo u kishte kërkuar ta bënin në Jemen. Mirëpo, nëse eventualisht do të kemi ushtarët sudanezë e pakistanezë në rajon, atëherë, pritet që lufta të zgjatë por me intensitet të ulët, e nëse jo, pritet së shpejti lufta iraniano-izraelite do të ndizet.

Epilogu i gjithë kësaj mbetet të shihet në ditët në vijim. S’ka dyshim se SHBA me aleatët e NATO-s (përjashto Turqinë) dhe disa shtete arabe, janë përkrah Izraelit. Rusia a do t’i qëndrojë besnike Iranit mbetet të shihet, personalisht nuk pres që Rusia ta përkrahë Iranin deri në këtë masë. Mirëpo, nëse edhe Rusia do të përfshihet në këtë luftë, përfituesja e vetme do të jetë Kina. Ajo do të presë shkatërrimin e shteteve monoteiste, që më pas të del si një superfuqi e vetme globale, mu ashtu sikurse kishte dalë SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore.

Dr. Muhamed JUSUFI është Drejtor i Institutit për Hulumtime Strategjike Ballkanike 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne