A e manipuloi policia sulmin me thikë ndaj fëmijëve te “Fan Noli”?

Fiqiri Meçe: Adoleshenti tjetër qëlloi me thikë, u la i lirë nga policia.
Debati për kulturën e dhunës në shoqërinë tonë u rihap edhe një herë nga vrasja tronditëse e 14-vjeçarit Martin Cani në dyert e shkollës “Fan Noli”, por u devijua disa ditë drejt Kinës dhe aplikacionit Tik Tok, si një mekanizëm, që nxit agresivitetin dhe konfliktet mes të rinjve. Megjithatë, dëshmia publike e babait të Luis Meçes, djalit tjetër që u plagos bashkë me Martinin, i riktheu sërish gjurmët e krimit në Tiranë.

Në studion e Review në EuronewsAlbania”, Fiqiri Meçe tregoi se si në vrasjen e Martin Canit, përveç të arrestuarit Mario Përlleshajt, kishte marë pjesë edhe një djalë tjetër. I riu kishte qenë i armatosur edhe ai me një thikë dhe kishte qenë po aq i dhunshëm, vetëm se, në vend se të vihet para drejtësisë, u fsheh nga policia.
Si provë për ekzistencën e një autori tjetër në krim, Fiqiri Meçe solli fjalët e të birit, por edhe plagët në trupin e tij. Ai tha se Luisi ka 5 plagë dhe disa nga këto janë më të vogla se të tjerat, pasi autori tjetër i sulmit, një adoleshent me inicialet K.B, mbante një thikë më të vogël në dorë se ajo e Mario Përlleshajt.
“Djali i ka parë që janë dy veta. Personi i parë që e ka goditur djalin me thikë pas shpine është djali me emrin K. B, bashkëmoshatar dhe shok i autorit. K. B e ka pasur thikën më të vogël, distanca e thikës mund të jetë rreth 10-12 cm. I kam dhënë këto dëshmi te Drejtoria e Policisë. Djali K. e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, dhe plaga në shpatull është më shkurtër dhe më e ngushtë se sa plaga që ka marrë në bark.
Herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur M. dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy. Se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë, e ka ngritur dhe i ka thënë çohu se paskan thikë. Në atë moment iu janë hedhur të dy djalit, K. e ka goditur në krah dhe në ije. Kurse tjetri i ka rënë më thikën e madhe tek gjoksi, djali e ka shtyrë me duar dhe nuk është shumë plagë e madhe” ka thënë Fiqiri Meçe.
Sipas Fiqiri Meçes, autori tjetër i krimit u mor në pyetje nga policia, por më pas u la i lirë.

Akoma më e rëndë ishte pjesa e dytë e rrëfimit të Fiqiri Meçes, djali i të cilit i qëndron dëshmisë së agresorët e sulmit me thika ishin dy fëmijë dhe jo një. Sipas tij, në spitalin ku qëndron i biri është tentuar t’i bëhet presion fëmijës nga një inspektor policie. Sepse Luisi është marrë tre herë në pyetje nga inspektorët e krimeve. Dy herë në prani të psikologut, ndërsa herën e tretë inspektori që erdhi, ishte i vetëm dhe pas presioneve që i ka bërë fëmijës, familjarët e kanë nxjerrë jashtë.
“Djalit i erdhi një inspektor pas dy ditësh, i ka bërë presion, por e nxora jashtë, Dyshoj se mund të jetë edhe dikush nga këta. Inspektor që merr dëshmi. I kanë marrë 2 herë dëshmi djalit. Dy herë në prani të psikologut. Inspektori i tretë nuk ka ardhur në prani të psikologut. I ka bërë presion dhe e ka detyruar se djali nuk flet dot sepse i merret fryma dhe ai e ka vendosur në presion. Nuk e di çfarë ka qenë por inspektor nuk ka qenë. E kam nxjerrë jashtë, nuk pranuam. Nëse do të ishte inspektor, së pari duhet të ishte njeri. Nuk mund të vijë me petkun e inspektorit, dhe ti bësh presion” ka thënë ai.

Dëshmia e Fiqiri Meçes është një akuzë e fortë për drejtuesit e policisë së Tiranës. Deri tani, policia ishte akuzuar për mungesën e reagimit të shpejtë, për indiferencën e treguar për sherrin mes adoleshentëve, duke u nisur nga fakti se policja që qëndron në shkollë ishte në dijeni të konfliktit ditën e premte dhe të hënën, në momentin kur ndodhi vrasja nuk kishte në shkollë. Por fshehja e një prej autorëve të krimit nga policia, e fut historinë në një hulli tjetër.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress