A e shikon Evropa Turqinë si “tjetrën” e saj?

Më datë 25 mars, Zvicra iu bashkua korit antiTurqi duke lejuar një tubim të hapur proterrorist në Bernë. Mbështetësit e PKK-së së jashtëligjshme nuk mbajtën vetëm një miting për votën “Jo” kundër referendumit kushtetues, që do të mbahet në Turqi më 16 prill, por njëherësh hapën pankarta dhe afishe propaganduese të terrorizmit. Një nga këto pankarta kishte një pamje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan me një armë të drejtuar në kokën e tij dhe me fjalët “Vrisni Erdoganin”. Që kur thirrja për vrasjen e një presidenti është bërë normale në një vend evropian? A ka arritur me të vërtetë këtë nivel marrëzie fryma (animus) antiTurqi dhe paranoja antiErdoan?

Autoritetet zvicerane fillimisht e mbrojtën tubimin si një “protestë paqësore”. Mirëpo, pas reagimit të fuqishëm të Turqisë duke thirrur ambasadorin zviceran në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ata filluan një hetim. Ne do ta ndjekim këtë çështje nga shumë afër. Por problemi më i madh mbetet: Si është e mundur, mbi të gjitha, që demokracitë evropiane të lejojnë grupe terroriste për të vepruar në mesin e tyre? Kush mund të mbrojë aktivitetet e një organizate terroriste të jashtëligjshme si liri të shprehjes apo të tubimit? A nuk është një armë drejtuar një presidenti të zgjedhur gjithashtu një kërcënim ndaj vlerave evropiane?

Disa politikanë evropianë duket se janë fiksuar kaq shumë me referendumin e 16 prillit, saqë po mbështesin haptazi fushatën për votën “Jo”. Ata nuk janë thjesht duke shprehur një opinion në lidhje me një ndryshim kushtetues të rëndësishëm në një vend të NATO-s dhe kandidat të BE-së, por janë duke mbajtur anë për një çështje, mbi të cilën do të vendosë populli turk dhe jo ata. Teksa akuzojnë politikanët turq se po çojnë politikën e brendshme të Turqisë në Evropë, ata vetë mbajnë anë në një debat politik në Turqi. Disa politikanë (evropianë) me origjinë turke bëjnë fushatë për votën “Jo” duke përdorur zyrat apo postet e tyre politike. Disa radio dhe televizione publike në Evropë transmetojnë emisione plot paragjykime dhe të njëanshme në mbështetje të fushatës për votën “Jo”. Përse? Vallë sepse ata me të vërtetë kujdesen për Turqinë apo sepse ka diçka tjetër këtu?

Nëse këtyre evropianëve do t’u interesonte me të vërtetë Turqia, ata do të kishin mbajtur një qëndrim neto dhe të qartë pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut. Ata do të ishin pozicionuar përkrah Turqisë kundër gylenistëve (organizata terroriste guleniste – FETO) dhe terroristëve të PKK-së, shumë prej të cilëve tani operojnë në Evropë. Ata do të kishin hequr dorë nga premtimet boshe dhe do të kishin mbështetur Turqinë me veprime konkrete dhe solidaritet të qëndrueshëm në luftën e saj kundër terrorizmit. Në vend që të siguronin trajnime, inteligjencë dhe armë për Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD) dhe Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG), fraksione siriane të PKK-së; ata do të kishin dhënë mbështetje të vërtetë në luftën e Turqisë kundër DAESH-it në Siri me operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit”.

Mbi të gjitha, ata do të kishin bërë një përpjekje serioze për të avancuar procesin e aderimit në BE duke hapur kapituj të rinj dhe për të forcuar në këtë mënyrë marrëdhëniet Turqi-BE që kur filluan negociatat e anëtarësimit në vitin 2005. (Rikujtojmë se vetëm një kapitull, nga gjithsej 36, është hapur dhe mbyllur gjatë 12 viteve të fundit. A është ky ritmi me të cilin BE-ja dëshiron të trajtësojë/zyrtarizojë marrëdhëniet me Turqinë?) Dhe, për më tepër, BE-ja s’ka mbajtur as premtimin e saj për të siguruar ndihmë financiare në lidhje me refugjatët sirianë dhe për të pranuar Turqinë në sistemin e vizave “Schengen”, si pjesë e marrëveshjes Turqi-BE për refugjatët.

Pyetja kritike është: Çfarë përfiton Evropa duke humbur Turqinë? Disa populistë, ekstremistë të djathtë dhe grupe raciste mund të shikojnë përfitime afatshkurtra në përjashtimin e Turqisë. Por vallë a i mendojnë ata me të vërtetë pasojat afatgjata të një politike të tillë për marrëdhëniet me një aleat të fortë të NATO-s, të sigurisë rajonale, si dhe të integrimit e kohezionit social të miliona turqve që jetojnë në Evropë? Vallë a e mendojnë apo a u intereson sadopak se çfarë mesazhi i dërgon ky kurs politike botës së madhe myslimane?

Mjerisht, ata e shikojnë Presidentin Erdogan dhe Turqinë si një “tjetër”, përmes të cilit mund të shmangin problemet e tyre të brendshme mbi një armik të largët e imagjinar. Ata përdorin “çështjen e Turqisë” si një justifikim për të mos parë veten në pasqyrë dhe për të mos u marrë me imazhin e tyre. Ata kthejnë imazhin e tyre të shtrembëruar të turqve në “barbarë”, vetëm e vetëm që ata ta ndjejnë veten mirë dhe të qëndrojnë larg problemeve reale të tilla si ksenofobia në rritje, papunësia, pabarazia, dhuna në familje, individualizmi bruto, racizmi, seksizmi, lufta e klasave, multikulturalizmi dhe dobësimi i përgjithshëm i Evropës si një ide.

Paraqitja e Turqisë si një “tjetër” armike mund të sjellë përfitime afatshkurtra për oportunistët politikë dhe racistët e ekstremit të djathtë në Evropë. Por ajo nuk zgjidh problemet e veta të Evropës dhe as siguron një udhërrëfyes politik dhe moral për të ardhmen. Demonizimi i Erdoganit mund të shfrytëzohet për të shpërngulur vëmendjen nga problemet më të thella, me të cilat Evropa është duke u përballur, por nuk mund të jetë një qasje serioze dhe racionale. Ajo vetëm sa thellon ndjenjën e mosbesimit, e cila tashmë po helmon marrëdhëniet Turqi-Evropë në njërën anë dhe ndërmjet shoqërive islame e atyre perëndimore në anën tjetër.

Ky kurs përplasjeje duhet të refuzohet prerazi nga politikanët kryesorë evropianë, që kujdesen për të ardhmen e Evropës dhe vendin e saj në botë. Një marrëdhënie e bazuar në besim, interes, barazi dhe respekt të ndërsjellë është e mundur dhe e domosdoshme ndërmjet Turqisë dhe Evropës. Aktualisht ka një kapital socio-politik dhe përfitim ekonomik të mjaftueshëm për të bërë që një marrëdhënie e tillë të funksionojë. Por evropianët nuk mund të pretendojë se promovojnë dhe mbështesin demokracinë në Turqi duke lejuar grupet dhe individët antiTurqi, përfshi këtu terroristë të përbetuar, që të përdorin territoret e Evropës si platformë lëshimi për të sulmuar Turqinë çdo ditë të Perëndisë.

Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne