A është opozita në unison për zgjedhje pa Ramën? Flet Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar se opozita e bashkuar joparlamentare është unanimisht e vendosur që të mos hyjë në zgjedhje pa largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Kjo javë”, Basha u pyet lidhur me qendrimin publik jo të unifikuar të krerëve të partive opozitare, duke iu referuar këtu deklaratës së kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, që ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur në tryezë dialogu edhe me Ramën kryeministër.

Kryedemokrati ka mohuar që në radhët e opozitës të ketë mospajtime përsa i përket kushtit të panegociueshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme vetëm me largimin e kreut të qeverisë, duke sjellë në vëmendje një dokument të firmosur me aleatët rreth 7 muaj më parë. “Opozita e bashkuar ka një platformë për ta arritur këtë dhe pjesë e kësaj padyshim është vullneti politik. Ne kemi propozuar një zgjidhje, një qeveri tranzitore që garanton zbatimin e rregullave ekzistuese dhe çfarëdo rregullash shtesë mund të nevojiten sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.”- ka thënë Basha.

Vendimi i presidentit të Republikës, Ilir Meta, për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, u përshëndetur nga krerët e forcave politike që përbëjnë opozitën e bashkuar joparlamentare, që kur u komunikua prej tij në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.

Ndërsa, dekreti i mëpasshëm i kreut të shtetit, sipas të cilit 13 tetori përcaktohet si datë kushtetuese për zhvillimin e lokaleve, nuk është pritur prej tyre me një reagim pajtues unitar. Kështu, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientalistem dorëzuan me 5 gusht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit, ndërkohë që në kahun tjetër, nuk vepruan në mënyrë të njëjtë Basha me aleatët e tjerë.

/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne