A ia vlejnë 1.9 miliard euro që Shqipëria të kthehet në kamp gjigant refugjatësh si Papua Guinea e Re?

1.9 miliard euro, është kjo shifra e fundit që po i serviret shqiptarëve për t’i mbajtur të heshtur ndaj një plani të dyshimtë që rrezikon ta kthejë vendin tonë në një kamp gjigant refugjatësh.

Mediat gjermane kanë qenë shumë aktive këto dy ditë duke promovuar Shqipërinë si destinacionin ideal ku mund të strehohen me mijëra refugjatë që ndodhet në shtetet e BE-së. Sigurisht, qëllimi i këtyre mediave, ashtu si dhe i Qeverisë gjermane, është stabiliteti në vendin e tyre, i cili rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të refugjatëve.

‘Der Spiegel’ raportonte dje për precedentin e Papua Guinea e Re, një shtet i varfër që ndodhet në ishullun e Guineas së Re, në oqeanin Paqësor, dhe që merr 1.9 miliard euro çdo vit nga Australia, që dërgon aty me mijëra refugjatë që synojnë të hyjnë në territorin e saj.

“Ky është një shembull si vepron Australia me ishullin e paqësorit Manus (pjesë e Papua Guineas së Re), prej 2001, duke i depërtuar gjithë emigrantët e paligjshëm atje. Për këtë Australia i paguan shteti ishullor rreth tre miliardë dollarë australianë në vit. Secili refugjat në Manus ose Nauru, përfiton 16 mijë dollarë nga Australia, nëse rikthehet në vendlindje. Megjithatë ky kamp vlen si stacioni i fundit. Shumica e tyre nuk dëshirojnë rikthimin përsëri në vendlindje, ndërsa Australia prej disa vjetësh nuk pranon strehimin edhe të atyre që njihen si refugjatë. Ata me ndihmën e punëtorëve të UNHCR shpërndahen në vende të ndryshme të botës, siç ndodhi së fundi drejt SHBA në 2016“, shkruan ndër të tjera ‘Der Spiegel’.

Por, a ja vlen që shqiptarët të joshen për një shifër të tillë, qoftë edhe më të lartë, dhe të pranojnë që ta kthejnë vendin e tyre në vendgrumbullimin e refugjatëve, që nuk i pranojnë shtete si Greqia, Italia, Austria, Çekia, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Kroacia etj?

Se sa i kanë shërbyer Papua Guinesë së Re(PGR) këto 1.9 miliard euro, mjafton të bëjmë krahasimin e nivelit ekonomik të këtij shteti me Shqipërinë.

Popullsia– PGR: 8,084,999 banorë; Shqipëria: 2,876,591 banorë

Sipërfaqja– PGR: 462,840 km2; Shqipëria: 28,748 km2

GDP (PPP)
Total– PGR: 29.481miliardë dollarë; Shqipëria: 38.154 miliardë dollarë

Për frymë– PGR: 3,635 doallrë; Shqipëria: 13,274 dollarë

GDP (Nominal)

Total– PGR: 21.189 miliardë dollarë; Shqipëria: 15.289 miliardë dollarë

Për frymë– PGR: 2,613 dollarë; Shqipëria: 5,319 dollarë

Pra, siç tregojnë edhe shifrat, miliardat që i mbërrjnë Papua Guinesë së Re nga Australia, nuk e kanë ndihmuar popullin e këtij shteti të dalë nga varfëria. Qytetarët e tij janë më të varfër se shqiptarët, të cilët gjithsesi mbajnë rekordin në Evropë.

Edhe sa i përket Indeksit të Zhvillimit Njerëzor, shteti i Paqësorit renditet në vendin e 154, ndërsa Shqipëria është shumë më lart në renditje, në vendin e 75, por sërish larg vendeve të Bashkimit Evropian.

Papua Guinea e Re ka gjithashtu nivelin më të lartë të analfabetizmit në rajonin e Oqeanisë, me një shifër që arrin deri në 36%.

Precedenti i Papua Guinea e Re tregon qartë se shtetet e pasura dhe të zhvilluara zgjedhin fqinj të varfër dhe të korruptuar për të mbyllur problemet e tyre dhe strehimi masiv i refugjatëve nuk ka të bëjë aspak me traditën, kulturën apo me zemërgjerësinë e popullit, elemente të historisë sonë, të cilat së fundmi po përdoren nga disa politikanë dhe analistë për të justifikuar ngritjen e kampit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne