A jemi gati të presim luftëtarët e ISIS?

nga Isa Myzyraj.

Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov gjatë vizitës së tij në Tiranë ka lëshuar një deklaratë të fortë, që nuk iu kushtua vëmendja e duhur.

“Në Shqipëri do të bëhet një qendër koordinimi për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”,- deklaroi kryeministri i Bullgarisë, dhe përveç kësaj fraze asgjë më shumë nuk dihet në lidhje me këtë plan, se kush po e kërkon dhe me kë po negociohet.

Në fakt në historinë e 20 viteve të fundit, Shqipëria njihet për këto lloj marrëveshjesh, në disa raste sekrete e në disa të tjera jo edhe aq.

Në vitin2005 Shqipëria u doli për zot ujgurëve, 5 nga 24 që ndodheshin në burgun famëkeq të Guantanamos erdhën në vendin tonë.

Pavarësisht se SHBA-ja i kishte shpallur ato të parrezikshëm, një superfuqi tjetër, Kina i kishte  rreshtuar si terroristë. SHBA kontaktuan me dhjetra shtete por asnjëra nuk donte që t’i vendoste në pikëpyetje marrëdhëniet me Kinën, dhe nuk i pranuan, Shqipëria po.

Vendi ynë u ka njohur atyre statusin e refugjatëve , dhe sot e asaj dite jetojnë në Tiranë dhe disa kanë hapur edhe bizneset e tyre.

Katër vite më vonë, në vitin 2009 qeveria shqiptare e drejtuar nga Sali Berisha, do të përfshihej në një tjetër problem delikat të administratës Amerikane. Presidenti Barak Obama kishte ardhur në pushtet me një premtim madhor, atë të mbylljes së burgut të Guantenamos,  por problem ishte zhvendosja e të burgosurve pasi asnjë shtet nuk kishte pranuar t’i merrte ato.

Ndryshe nga fuqitë evropiane, Shqipëria pranoi 3 nga të burgosurit, dhe kjo marrëveshje solli aso kohe në Shqipëri zyrtarin e lartë amerikan Daniel Frid  ndihmësin e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.

“Qëndrimi ynë bazohet tërësisht në një çështje të të drejtave të njeriut. Ai burg u bë simbol i asaj që SHBA-të nuk janë. Kur një vend mik si SHBA-të kanë probleme, natyrisht është detyrim moral që ta pranojmë” -deklaroi aso kohe Kryeministri Sali Berisha.

LEXO DHE :  Historia e vërtetë e pacientit të kuruar me penicilinë

Përsëri në vitin 2012 vendi ynë do të hapte krahët për muxhahedinët Iranianë të cilët i kishin refuzuar kategorikisht shumë shtete evropiane, për shkak të së shkuarës së tyre terroriste.

Sali Berisha dhe më vonë Edi Rama kryeministër kanë luajtur lojën e muxhahedinëve sipas rregullave të rrepta amerikane, dhe shumë pak dihet nga marrëveshja mes shtetit Shqiptar dhe qeverisë Amerikane për muxhahedinët. E vetmja gjë që eshtë e sigurte, është se e ardhmja jo fort e shkurtër e tyre do të jetë në Shqipëri, pasi në Manëz të Durrësit një kamp gjigant është drejt përfundimit, dhe muxhahedinët shihen lehtësisht në rrugët e Tiranës.

Nëntori i 2013, do të sillte një situatë aspak të këndshme në Shqipëri. Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte marrë një vendim, shkatërrimin e armëve kimike në Siri, për këtë gjë të rrezikut të lartë duheshin disa kushte, vendi dhe marrëveshja.

E nëse Evropa i refuzoi, Shqipëria ishte gati t’i pranonte, por mijëra qytetarë e nuhatën shpejt rrezikun dhe mbushën sheshet e Shqipërisë me protesta, çka  e detyruan kryeministrin Rama t’i thotë për herë të parë SHBA-së jo.

“ Me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë, dhe respektin më të madh ndaj miqve dhe partnerëve tanë Amerikanë, ata e kanë marrë vendimin tim, e mësoni tani edhe ju. Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”-deklaroi Rama aso kohe.

Çështja e fundit që mesa duket do të aktualizohet në javët apo muajt në vazhdim është edhe  qendra e koordinimit për luftëtarët që kthehen nga ISIS.

A do ta marrë Shqipëria këtë hap të rëndësishëm? A rrezikohet vendi ynë nga anëtarët e ISIS të cilët janë penduar që kanë vrarë e masakruar njerëz? A kemi ne kapacitete te mjaftueshme për ruajtjen e sigurisë kombëtare? Kjo mbetet të shihet!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne