Justinian Topulli
Ka disa njerëz që, ndoshta të irrituar nga reagimet masive që bëjnë myslimanët ndaj shfaqjes së një gjuhe islamofobe në rritje në rrjetet sociale, duket se mundohen të paraqiten si objektivë, duke ia kundërvënë kësaj islamofobie, pretendimin se edhe mes myslimanëve shqiptarë ekzistojnë sjellje shqiptarofobe dhe, në disa raste, kristianofobe.
Së pari, duhet definuar se çfarë quhet “shqiptarofobi”, ose, për ta përdorur termin më të njohur në literaturë, albanofobi, dhe si mundet që shqiptarët myslimanë të shfaqin armiqësi apo përçmim ndaj vetë identitetit të tyre kombëtar? Si mund dikush ta përçmojë kombin e tij dhe njëkohësisht të krenohet si shqiptar dhe me kontributin që myslimanët kanë dhënë për këtë komb?
Kështu që është e nevojshme të qartësohet me përkufizime dhe shembuj konkretë kjo akuzë, e cila në pamje të parë duket paradoksale.
Së dyti, për t’i ndihmuar këta njerëz që paraqiten si objektivë, duhet thënë se historia e formësimit të konceptit kombëtar te shqiptarët nuk ka qenë unike dhe homogjene, por e larmishme. Në këtë proces kanë ekzistuar mënyra të ndryshme të ndërthurjes së identitetit shqiptar me identitetin fetar, kulturor dhe politik. Kështu, mund të flitet për forma të shqiptarizmit mysliman, shqiptarizmit katolik, shqiptarizmit ortodoks dhe shqiptarizmit laikë, por jo antifetar, ndërsa më vonë, sidomos gjatë periudhës komuniste, u institucionalizua dhe u bë mbizotëruese një narrativë e fortë shqiptariste-laiciste, ateiste-komuniste dhe antifetare e identitetit kombëtar.
Edhe sot gjenden, në forma dhe intensitete të ndryshme, trashëgimi të këtyre perceptimeve të shqiptarizmit, madje edhe të tjera që nuk po i përmendim këtu. Problemi nuk qëndron domosdoshmërisht në vetë ekzistencën e këtyre formave, sado historikisht të qëlluara apo të diskutueshme qofshin ato. Në fund të fundit, ato janë edhe vetëperceptime identitare dhe, si të tilla, përmbajnë një dozë subjektiviteti. Problemi lind kur njëra prej këtyre formave absolutizohet dhe shpallet si forma e vetme legjitime dhe autentike e shqiptarizmit, duke përjashtuar çdo mënyrë tjetër të të qenit shqiptar ose duke e perceptuar atë si rivale dhe kërcënuese.
Këta njerëz që flasin për “shqiptarofobi” mes myslimanëve shqiptarë, me shumë gjasa, në mjaft raste nisen pikërisht nga perceptimi i tyre i shqiptarisë dhe i grupit kulturor ose ideologjik të cilit i përkasin. Duke mos e njohur apo pranuar faktin se historikisht ka ekzistuar dhe mund të ekzistojë një mënyrë tjetër e artikulimit të shqiptarizmit nga ajo që ata besojnë, ata mund ta perceptojnë çdo identitet tjetër shqiptar si armik të shqiptarizmit të tyre subjektiv dhe ekskluziv.
Konkretisht, reagimet e myslimanëve shqiptarë të cilët, përballë një gjuhe islamofobe ose përjashtuese, theksojnë mbrojtjen e identitetit të tyre fetar dhe elementet historike që lidhen me të, mund të perceptohen nga këta njerëz si “shqiptarofobi”, pikërisht sepse disa prej elementeve që mbrohen nga myslimanët shihen prej tyre si në kundërshtim me atë që ata e konsiderojnë shqiptarinë e vërtetë dhe autentike e të vetme.
Bie fjala, qëndrimet që mbajnë myslimanë të ndryshëm shqiptarë ndaj periudhës osmane, ndaj raportit të shqiptarëve me Evropën apo ndaj figurave historike e simbolike si Skënderbeu, Nënë Tereza, Pjetër Bogdani etj., për disa njerëz janë kthyer pothuajse në “teste vendimtare” të shqiptarisë së vërtetë! Çdo qëndrim që del jashtë interpretimit të tyre trajtohet jo thjesht si një interpretim tjetër historik, politik apo fetar, por si dëshmi e një shqiptarie të mangët, të rreme apo, në raste ekstreme, madje si “shqiptarofobi”!
Mirëpo mospajtimi me një interpretim të caktuar të historisë kombëtare, kritikimi i një figure historike, një qëndrim më pozitiv ose më negativ ndaj periudhës osmane apo një konceptim tjetër i marrëdhënies ndërmjet fesë dhe kombit nuk përbëjnë vetvetiu albanofobi. Që një qëndrim të cilësohet si i tillë, duhet të ketë elemente më të qarta të përçmimit, armiqësisë, diskriminimit ose demonizimit të shqiptarëve si shqiptarë.
Së treti, për sa i përket kristianofobisë, edhe kjo kërkon përkufizim të qartë dhe shembuj konkretë. Para së gjithash, duhet dalluar polemika dhe ekskluzivizmi doktrinar nga urrejtja ose diskriminimi fetar. Rivaliteti dhe konkurrenca ndërmjet feve për të pohuar se cila prej tyre është e vërteta, cila është më afër Zotit apo cila ka gabime doktrinore, nuk janë vetvetiu as islamofobi dhe as kristianofobi. Përndryshe, vetë pretendimi i secilës fe për të vërtetën do të duhej konsideruar “fobi” ndaj fesë tjetër.
Një mysliman mund të besojë se Islami është feja e vërtetë dhe se doktrina e krishterë përmban gabime, ashtu si një i krishterë mund të besojë se Krishterimi është e vërteta dhe se Islami nuk është shpallje hyjnore. Ky është ekskluzivizëm doktrinar, jo domosdoshmërisht urrejtje ndaj ndjekësve të besimit tjetër.
Së katërti, fakti që gjuha e përdorur mund ta tejkalojë në mjaft raste etikën e debatit dhe të kthehet në ofendime, përçmim, denigrim, demonizim, përdorim të njëanshëm të fakteve, gjysmë të vërtetave apo sajesave, është një çështje tjetër. Kur objekt i kësaj gjuhe nuk është më vetëm doktrina, por vetë njerëzit për shkak të përkatësisë së tyre fetare, atëherë mund të flitet për paragjykim antikristian, armiqësi ndërfetare dhe, sipas rastit dhe përkufizimit të përdorur, edhe për kristianofobi.
Së pesti, fakti se në hapësirat shqiptare Krishterimi është fe autoktone dhe historikisht pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare, e po kështu edhe myslimanët, ndërkohë që ata përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare, nuk e përjashton në parim mundësinë e kristianofobisë. Kjo shumicë demografike myslimane dhe mungesa e një perceptimi të fortë të “rrezikut të krishterë” edhe pse nuk mjaftojnë, vetvetiu, për të provuar se kristianofobia nuk mund të ekzistojë, ato e dobësojnë së tepërmi premisën e ekzistencës së saj. Gjithsesi, mund të ekzistojnë raste individuale, paragjykime dhe gjuhë armiqësore edhe pa ekzistuar një fenomen masiv apo sistematik.
Ajo që duhet provuar, pra, nuk është nëse mund të gjendet ndonjë mysliman shqiptar që ka shprehur urrejtje ndaj të krishterëve, sepse raste individuale mund të gjenden në çdo komunitet, por nëse ekziston një fenomen i përhapur, i qëndrueshëm dhe shoqërisht domethënës, i krahasueshëm në natyrë dhe përmasa me gjuhën dhe paragjykimet që myslimanët identifikojnë si islamofobi.
Së gjashti, marrëdhënia doktrinore islame me Krishterimin ka disa elemente të veçanta që duhen pasur parasysh. Myslimanët i njohin të krishterët dhe hebrenjtë në traditën islame si “Ithtarë të Librit” (Ehli el-Kitab). Isain, apo Jezusin, e besojnë dhe e respektojnë si një nga profetët e mëdhenj të Zotit, ndërsa Merjemen, nënën e tij, e nderojnë në mënyrë të veçantë. Islami njeh gjithashtu një origjinë hyjnore të shpalljeve të mëparshme, edhe pse doktrina islame konsideron se forma e tyre e transmetuar historikisht nuk përputhet plotësisht me shpalljen fillestare.
Nga ana tjetër, në teologjinë tradicionale të krishterë nuk ekziston një njohje doktrinore reciproke e Muhamedit si profet apo e Kuranit si shpallje hyjnore. Ky është një dallim real doktrinar ndërmjet dy traditave. Edhe pse pa diskutim Islami ka një bazament teologjik të pandryshueshëm në marrëdhënien me të krishterët, qëndrimet konkrete të besimtarëve mund të ndikohen jo vetëm nga doktrina, por edhe nga historia, politika, kultura dhe rrethanat shoqërore.
Mund të thuhet, gjithsesi, se vetë doktrina islame përmban elemente që krijojnë një hapësirë të rëndësishme njohjeje dhe respekti ndaj figurave qendrore të Krishterimit dhe ndaj të krishterëve si komunitet fetar, çka e bën të pabazë idenë se armiqësia ndaj të krishterëve është një domosdoshmëri që rrjedh nga Islami. Por kjo nuk do të thotë se myslimanë të veçantë nuk mund të shfaqin paragjykime, armiqësi apo edhe kristianofobi.
Së fundmi, është e nevojshme që ata që hedhin teza për “shqiptarofobi” dhe “kristianofobi” mes myslimanëve shqiptarë t’i qartësojnë ato me përkufizime të sakta, shembuj konkretë dhe të dhëna për shtrirjen e fenomenit. Pa këtë dallim, ekziston rreziku që çdo kundërshtim ndaj një versioni të caktuar të nacionalizmit shqiptar të quhet “shqiptarofobi” dhe çdo polemikë apo mosmarrëveshje doktrinore me Krishterimin të quhet “kristianofobi”.
Dhe nëse termat përdoren kaq gjerësisht, sa përfshijnë çdo mospajtim, atëherë ata humbasin pikërisht aftësinë për të emërtuar rastet reale të urrejtjes, paragjykimit dhe diskriminimit që duhet të dënohen./kohaislame
















