A po cënohet siguria kombëtare nga përplasja e iranianëve në Shqipëri?

Isa Myzyraj

Një vajzë nga Irani, pjesë e grupit të muxhahedinëve që janë vendosur në kampin e Manzës e quajtur Somayeh Mohammadi përmes një letre drejtuar Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj shpreh shqetësimin e saj se në vendin tonë kanë ardhur agjentët e Iranit, respektivisht prindërit e saj Mustafa Mohamedi dhe Rubabe Hamz.

Vajza akuzon prindërit e saj, konkretisht babain e saj, ish-anëtarë i muxhahedinëve i cili jeton në Kanada si të lidhur me qeverinë iraniane, dhe misioni i tij në Shqipëri sipas saj është të veprojë kundër organizatës e vetëquajtur opozita në mërgim e Iranit.

Nga ana tjetër, babai dhe nëna e Somayeh kanë deklaruar se prej 19 ditësh ndodhen në Shqipëri, me qëllim përpjekjet për të liruar vajzën e tyre, e cila është marrë peng nga muxhahedinët, dhe letra drejtuar Ministrit Xhafaj, në të vërtetë nuk është e shkruar nga ajo, por nga krerët e organizatës që ata i quajnë xhihadistë, e sa më keq i krahasojnë me ISIS.

Por, kjo përplasje mes familjes Mohammadi është një rast që duhet të shqetësojë institucionet shqiptare, dhe duhet një reagim zyrtar i menjëhershëm, dhe i mirëmenduar.

Sot jemi përballë, dy deklaratave mjaft të rënda dhe shqetësuese, dhe cilado çoftë e vërtetë është më e rëndë se tjetra.

Duke lexuar deklaratat e vajzës Somayeh Mohammadi, e cila akuzon prindërit e vet si agjentë të Iranit të ardhur në Shqipëri për misione të panjohura, por të rrezikshme, bën të grihet teza e parë:

Në Shqipëri ka nisur përplasja e grupeve pro dhe kundër regjimit të Iranit, dhe tanimë qeveria e Iranit ka nisur aksionin për asgjësimin e anëtarëve të MEK që gjenden në Shqipëri.

Teza e dytë vjen nëse ne shikojmë deklaratat e Mustafa Mohamedi dhe Rubabe Hamz.

Nëse e marrim të mirëqenë deklaratën e tyre, arrijmë në përfundimin se, muxhahedinët të cilët ndodhen në Shqipëri kanë rrëmbyer fëmijë dhe po përdorin dhunën psikologjike, dhe po shpikin deklarata, të rrezikshme që kush e di si do përfundojnë.

Në të dy rastet e mësipërme, ai që do bëhet fajtor për gjithçka nuk shkon mirë, është shteti shqiptar, e sa më keq popullsia shqiptare, e cila mund të gjendet mes një konflikti të egër, mes grupeve iraniane.

Por le të analizojmë pak deklaratat e të dy krahëve.

“Në vitin 1998, në kërkim të lirisë dhe demokracisë për Iranin, unë e lashë me vullnetin tim banesën time në Kanada dhe, si shumë iranianë të tjerë që e duan lirinë, u bëra pjesë e PMOI dhe shkova në Kampin Ashraf në Irak.”-ka shkruar në letrën e saj Somayeh Mohammadi.

Ndërsa për të njëjtën situatë prindërit e saj janë shprehur: “ Jetojmë ne Kanada qe prej vitit 1994. Vajza jone na eshte rrembyer nga organizata terroriste e Muxhahedineve Iraniane ne vitin 1997. Ajo u rrembye sebashku me djalin tone Muhamed Mohammedi. Somaja ne ate kohe ishte femi, dhe shkonte ne gjimnazin e Etobicoke Collegiate Institute, ne Toronto, Kanada.

Femite tane u rrembyen tinezisht nga MEK-u , pasi veprimtaret e tyre i ftuan ne Irak per nje vizite dy javore. Por femite tane nuk u kthyen me. MEK-u i mbajti peng Somejen dhe Mohmaedin, djalin tone.

Qe nga ky vit ne po bejme nje lufte te madhe mediatike dhe ligjore qe te shpetojme femite tane nga pengmarrja e terroristeve. Fatmiresisht ne vitin 1999 ne arritem te shpetojme djalin tone nga MEK-u ne Irak dhe e sollem ne Kanada.

Djali yne, Muhamedi tani punon si manaxher per nje kompani gazi ne Toronto. Ai eshte i martuar dhe ben jete te lumtur.”

Në lidhje me këtë situatë të komplikuar dhe me deklarata kontradiktore, lindin pyetet: Nëse vajza ka shkuar bashkë me të vëllanë e saj nga Kanadaja në Iran me dëshirën e tyre, pse vajza nuk u kthye me të vëllanë përsëri në Kanada?

A është e besueshme se një vajzë e re do të zgjidhte Iranin, dhe jetën në emigracion përpara Torinos, dhe jetës së mirë të Kanadasë?

Pse vëllai i saj u kthye në Kanada, dhe filloi një punë dhe siguroi jetën e tij për së mbari, dhe motra e tij mbeti tek muxhahedinët?

Nga ana tjetër, nuk duhet të mjaftohemi me kaq: Ka tanimë prova dhe fakte, se anëtarët e muxhahedinëve në Shqipëri po ikin nga kjo organizatë, dhe më pas po përndiqen nga po të njëjtët pesrona që janë në Shqipëri.

Muxhahedinët që kanë vendosur të dezertojnë nga grupi që gjendet në Manëz, flasin për një sekt mjaft të rrezikshëm, për tortura dhe ide radikale deri në kamikazë, dhe ekstremistë që gjenden në Shqipëri.

Një tjetër gjë interesante nga deklarata e prindërve të Somayeh është se ata kërkojnë një gjë konkrete, ata për të provuar se vajza e tyre është kidnapuar nga MEK, thonë qartë, le të vija vajza jonë në Torino të Kanadasë, jo në Teheran, dhe pastaj të zgjedh mes familjes së saj, dhe kampit në Shqipëri, ata nuk e detyrojnë, ata e ftojnë atë.

Sot detyra e shtetit shqiptar, që ka marrë përsipër të strehojë muxhahedinët është e vështirë, detyra e institucioneve është të investojë dhe të fusë në punë agjencitë inteligjente, për të kuptuar të vërtetën e deklaratave kontradiktore të një familje iraniane që fati i përplasi në Shqipëri.

Dhe për ta bindur popullin shqiptar, që MEK nuk përbën shkelje të sigurisë kombëtare, ata duhet të provojnë që Somayeh Mohammadi e ka zgjedhur vetë këtë organizatë, dhe për ta provuar këtë, nuk mund të mjaftohen me letrat që shkojnë në emrin e saj tek Fatmir Xhafaj, duhet të hyhet më thellë.

Sa më shpejtë të sqarohet kjo situatë, aq më të sigurt do të jemi, dhe sa më shumë të zgjasë kjo punë, aq më e komplikuar dhe e rrezikshme do të bëhet situate në vendin tonë, që rrezikon të kthehet në një shesh beteje iranianësh, dhe beteja mes iranianëve historikisht ka treguar se prodhon terror, e masakra të vërteta./ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne