A po i ndryshon shoqëria gjermane pikëpamjet rreth Islamit?

Ajo çka percepton shoqëria gjermane, shpesh del të jetë ajo çka percepton i gjithë perëndimi. Kështu të dhënat që i ofrojnë studimet e reja sociologjike nga Gjermania, kanë shumë rëndësi. Në këtë kuptim, raportet me Islamin – si botëkuptim më i ri me të cilin ka pasur kontakt perëndimori, zgjojnë kureshtje mjaft të madhe në opinionin e gjerë ndërkombëtar.

Sipas një studimi, del që gjermanët kanë filluar ta ndryshojnë mendimin për sa i përket Islamit, ndonëse pjesa më e madhe e shoqërisë, vijon të ruaj një qëndrim skeptik, ndërsa vetëm një përqindje e vogël e perceptojnë atë si një kërcënim. Studimet e kryera nga Fondacioni Bertelsmann vë theksin te përqindja e ulët e qytetarëve që ruajnë një qëndrim armiqësor karshi islamit – vetëm 13%; duke kërkuar madje edhe ndalimin e migrimit të muslimanëve në Gjermani.

Përqindja e ‘urrejtësve’ të islamit, ka ardhur duke u ulur – thonë të dhënat e studimit. Kjo shifër ishte shumë më e lartë. DW duke iu referuas studimit, vë në dukje që kjo shifër në vitin 2017 ishte 20%. Është vënë re që në pjesën perëndimore, ku ka më shumë muslimanë, qëndrimet e qytetarëve – jomuslimanë, duken më të zbutura, ndërsa në pjesën lindore ku jetojnë më pak muslimanë rezervat janë më të mëdha.

Gert Pickel, autor i studimit, konstaton se: «Pjesëtarët e çfarëdo religjioni» – e me këtë edhe muslimanët, «mund të jenë demokratë të mirë». Pickel u referohet të dhënave të studimit të cilat thonë se 89% e besimtarëve të feve të ndryshme, konsiderojnë që sistemi demokratik i organizimit të shtetit, është i mirëqenë e i pranueshëm për të gjithë.

Të dhënat thonë që Islami është bërë feja e dytë më e përhapur në Gjermani, menjëherë pas Krishterimit. Aktualisht numëron 2.9, përkatësisht 3.0 milionë qytetarë besimtarë të kësaj feje.

Këto ndryshime ortografike kanë ardhur pikërisht pas ardhjes së emigrantëve nga vende të ndryshme të botës. Ata vijnë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Turqia, Algjeria, Jordania, Iraku, Libani, Maroku, Pakistani, Tunizia, Afganistani dhe së fundi nga Siria. Valët e fundit të refugjatëve nga Siria, nuk është se janë mirëpritur nga të gjithë, por qeveria gjermane është treguar krahëhapur, duke i mirëpritur dhe duke u ofruar kushte të mira për socializim e integrim.

«Nëse islam do të thotë nënshtrim ndaj Zotit, ne jetojmë dhe vdesim të gjithë në islam!» citohet të ketë thënë Johann Wolfgang Gothe, poeti më i madh gjerman, njëherësh ikonë e kulturës gjermane. Sipas disave, këtu duhet të fillojnë të gjurmohen raportet ndërmjet Civilizimit Islam dhe kulturës së pasur Gjermane.

Sot në shumë metropole gjermane, po zënë vend xhamitë, që po shndërrohen, veç tjerash, edhe në qendra kulturore për besimtarët. Kërkimi gjithnjë e më i madh i të drejtave nga qytetarët gjermanë – muslimanë, që besimin e tyre ta manifestojnë ashtu hapur, siç e parashohin ligjet, përbënë një kapërcim tjetër të raporteve në fjalë. Të djathtët ekstremë, që kanë gojën plot urrejtje, nuk është që kanë pushuar, por hë, për hë, nuk gëzojnë popullaritet të madh në shoqëri.

Shteti gjerman është një ndër vendet e pakta perëndimore, ku ua ka hapur dyert të huajve. Kështu së fundi të dhënat nga Zyra e Statistikave në Wiesbaden ka bërë të ditur që gjatë vitit 2018-të kanë ardhur 1.185.000 persona me shtetësi të huaj, që do të thotë se numri i banorëve është shtuar për 400.000. Nga këta, muslimanët përbëjnë një numër të konsiderueshëm, natyrisht./gazetaere

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne