A po kthehet princi saudit në një zionist?

nga Jonathan Ofir.

Princi i kurorës dhe udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, duket se tani po ripërsërit propagandën izraelite.

“Në dekadat e fundit, lidershipi palestinez i ka humbur njëra pas tjetrës mundësitë dhe i ka hedhur poshtë të gjitha propozimet për paqe që i janë ofruar. Është koha që palestinezët ti shohin propozimet dhe të bien dakord që të ulen në tryezën e negociatave ose ta mbyllin gojën dhe të mos ankohen”.

Raportohet se Bin Salman e ka thënë këtë gjatë një takimi me dyer të mbyllura me krerët e organizatave hebraike në Nju Jork më 27 mars (gazetari izraelit Barak Ravid citon burime izraelite dhe amerikane).

Këto fjalë janë pothuajse të njëjta me citimin e famshëm të Abba Ebanit (ish ministrit të jashtëm izraelit): “Arabët kurrë nuk e humbasin një shans për të humbur një mundësi”. Kjo frazë që i atribuohet atij u tha në bisedimet e paqes në Gjenevë në vitin 1973. Ajo është bërë një shprehje ikonë dhe shumë e përdorur nga apologjet sionistë që ankohen për një papajtueshmëri të supozuar palestineze.

Kjo nuk është aspak e habitshme, pasi Bin Salman duket se po shkon shumë pranë Izraelit, duke pohuar së fundmi se populli hebre ka të drejtën për të pasur një atdhe. Kur u pyet nga gazetari Jeffrey Goldberg i The Atlantic nëse populli hebre kishte të drejtën për të pasur një atdhe në të paktën një pjesë të atdheut të paraardhësve të tij?”, Bin Salman u përgjigj: “Unë besoj se çdo popull, kudo qoftë, ka të drejtë të jetojë në vendin e tij paqësor”.
Vini re, se si ai nuk po e refuzon nocionin eksplicit zionist dhe mitologjik të Goldbergit për popullin hebre dhe atdheun e supozuar të paraardhësve të tij.

Vitet e fundit interesat izraelite dhe saudite janë puqur nën kontekstin e pretenduar të luftimit të një armiku të përbashkët, Iranit. Ne e kemi parë këtë pajtueshmëri edhe në sulmin saudit (dhe izraelit) kundër al-Jazeeras me bazë në Katar, si pjesë e izolimit të Katarit për shkak të zbutjes së supozuar të tij ndaj Iranit dhe “terrorit”.

Irani tani është i ligu dhe i keqi, një lloj pozicionimi si në kohërat e luftës së ftohtë. Sekretari i Shtetit John Pompeo ishte në Riad tek Bin Salmani, kur tha se “Irani po destabilizon të gjithë rajonin. Ai në të vërtetë është sponsori më i madh i terrorizmit në botë dhe ne jemi të vendosur të sigurohemi që kurrë nuk do ketë armë bërthamore.” Ben Norton i dha përgjigje në Facebook: “Satira i ka humbur të gjitha kuptimet: Ish-drejtori i CIA-s (i cili për dekada me radhë ka trajnuar dhe armatosur skuadrat terroriste të vdekjes të ekstremit të djathtë), i cili tani është sekretar shteti i SHBA-së, e quajti Iranin “sponsorin më të madh të terrorizmit në botë”. Ai i tha këto fjalë kur u takua me zyrtarët e regjimit të Arabisë Saudite, një monarki absolute ekstremiste vehabiste që mbështeste ISIS-in dhe al-Kaidën.

Mardhëniet saudito-izraelite kanë vazhduar nën rrogoz prej disa vitesh. Megjithatë, marrëveshja e fundit ushtarake SHBA-Saudi prej 110 miliardë dollarësh, ka filluar të shqetësojë disa udhëheqës izraelitë, se a do t’i kthejnë sauditët në një farë mënyre ato kundër Izraelit?

Por Bin Salman duket se po i siguron të gjithë se kjo nuk do ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur sepse ai tani po e zbulon veten si një person i afërt me zionistët. Ari Heistein i Jerusalem Post i përmblodhi dhe i shpjegoi të gjithë këto para disa ditësh: “Arabia Saudite ka treguar tashmë një interes të thellë për ta bërë të lumtur Presidentin e SHBA-së Donald Trump ndërsa Trump ka treguar një afrimitet të thellë ndaj Izraelit. Edhe nëse Izraeli nuk mund ti ofrojë Arabisë Saudite shumë më tepër nga sa po i jep aktualisht, është e mundur që interesat saudite mund të përparojnë diku tjetër, të avancohen duke vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin”.

Bin Salman ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta me SHBA-në, veçanërisht me këshilltarin Jared Kushner të presidentit Trump. Intercept kishte raportuar kohët e fundit se ai madje i kishte dhënë zemër miqve të tij se Kushneri ishte ‘në xhepin e tij’. Bin Salman më pas e mohoi këtë, por megjithatë ai konfirmoi se “ata punonin së bashku si miq, më shumë se partnerë”.

Bin Salman tani po favorizohet shumë edhe nga shtypi hebre për luftën e tij kundër Jemenit. Në vitin 2016, një panel i monitoruesve të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequra nga Saudia kishin në shënjestër edhe civilët në një mënyrë të përhapur dhe sistematike; Një raport i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut detajoi se më shumë se 5,000 viktima civile ishin vrarë që nga marsi i vitit 2015 deri në gusht 2017. Fëmijët përbënin më shumë se 1,000 viktima. Jo të gjithë u vranë nga sulmet ajrore pasi disa vdiqën në duart e rebelëve Houthi, por raporti e bëri të qartë se shumica dërrmuese e viktimave civile ishin nga sulmet e koalicionit. Bllokada e re e Arabisë Saudite kundër Jemenit po kërcënon të përkeqësojë atë që Kombet e Bashkuara e kanë konsideruar “kriza më e keqe humanitare në botë”.

Megjithatë kjo luftë mund të kishte shkuar keq për Bin Salmanin nëse nuk do të kishte qenë mbështetja e SHBA-së. Bllokada Saudite krahasohet në shumë drejtime me bllokadën e Izraelit kundër Gazës. Nëse rrethimi Saudit mund të përkufizohet si një veprim i domosdoshëm dhe i ligjshëm kundër “terrorizmit”, ai harmonizohet me legjitimitetin e rrethimit të Izraelit kundër Gazës.

Pse të mos bëhet zionist nëse merr gjithë këto përfitime? Pse të mos i hedhësh palestinezët nën makinerinë e shtetit hebre”?

Ky lider arab po pohon në mënyrë efektive “të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet hebre”, gjë që është pikërisht ajo që Kryeministri Netanyahu ka kërkuar që të afirmohet në bisedimet e paqes me palestinezët që nga zgjedhjet e tij të dyta në 2009.

Për këtë Norman Finkelstein shkruan: “Kërkesa që palestinezët të njohin Izraelin si shtet hebraik është e paprecedentë dhe pa kutim. As Egjipti dhe as Jordania nuk e njohën Izraelin si shtet hebraik kur nënshkruan marrëveshjen e paqes. Ajo nuk figuron as në tekstin e marrëveshjes së Oslos, as në udhërrëfyesin e Bushit për paqe të vitit 2003. Përveç kësaj, si do ta njihnin palestinezët Izraelin si një shtet hebre, kur dy izraelitë nuk bien dakord se kush është hebre, e le te mos flasim pastaj se kush është shtet hebre. Nëse Izraeli do të kishte investuar me të vërtetë në një njohje të tillë, ai thjesht mund të riquante veten si shtetin hebraik të Izraelit, ashtu si mullahët, pas revolucionit të vitit 1979 e riquajtën Iranin Republika Islamike e Iranit. Njohja e Izraelit (një Rubikon që palestinezët e kaluan shumë kohë më parë) do të shkonte krah për krah me njohjen e hebraizmit. Nëse Izraeli nuk e ka marrë këtë hap, kjo është për shkak se 20 përqind e izraelitëve jo hebrenj do të zemëroheshin, siç do të ishin pozicionuar fort edhe liberalët izraelitë. Netanyahu insiston që palestinezët të bëjnë atë që vetë Izraeli nuk e bën.”

Në të vërtetë Izraeli po kërkon ta riquajë veten në një farë mënyre, si komb shteti i popullit hebraik, emër i diskutur edhe në ligjet e kushtetutës. Por ky ligj nuk është më shumë se një apartheid i maskuar nën vello. Pretendimi për një shtet hebre tregon se si sionizmi është përpjekur të maskojë aparteidin e tij të brendshëm, nën vellon e një vetëvendosjeje të supozuar të popullit hebre, ndërsa për palestinezët ka nënkuptuar shpronësimin e tyre. Kjo është arsyeja pse ata në përgjithësi kundërshtojnë afirmimin e këtij parimi, thjesht ata do t’i dorëzojnë pikë ideologjike kolonizatorëve të tyre.

Ndërsa Bin Salman tani i ka dhënë zionistëve pikë të tilla.

Të kthehemi përsëri në pretendimin e tij të fundit se “në dekadat e fundit lidershipi palestinez i ka humbur njëra pas tjetrës mundësitë dhe i ka hedhur poshtë të gjitha propozimet për paqe që i janë ofruar”.

Një “mundësi” e tillë kryesore gati dy dekada më parë ishte ajo në bisedimet e famshme të vitit 2000 të Kamp Davidit, ndërmjet kryeministrit Ehud Barak dhe udhëheqësit Jasser Arafat, ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Bill Clinton. Pas ndërprerjes së negociatave, Barak kishte deklaruar se kishte bërë një “ofertë bujare”, e cila që në momentin që u refuzua do të thoshte se nuk kishte partner për paqen. Ky pretendim ka qenë një faktor përcaktues në të majtën izraelite (pasi Barak njihet si një hero i majtë, liberalo-sionist) dhe ishte një faktor kritik në dobësimin e përgjithshëm të së majtës izraelite në dy dekadat e fundit, ku shpesh bëhej një papagall i së djathtës.

Problemi me deklaratën e Barakut, i cili në vetvete ishte një parafrazim për nocionin e “mundësisë së humbur”, ishte se kishte qenë i rremë. Analiza historike e “ofertës bujare” zbulon se nënkuptonte një Bantustan.

Në atë kohë, Izraeli po përpiqej të nguliste idenë Hasbara që palestinezëve po u ofrohej 96% e Bregut Perëndimor plus Gaza. Disa po shihnin përtej kësaj, si për shembull redaktori diplomatik i The Guardian, Ewen MacAskill: “Izraelitët e portretizuan atë sikur palestinezë do të merrnin 96% të Bregut Perëndimor. Por shifra ishte një mashtrim. Izraeli nuk përfshiu pjesë të Bregut Perëndimor që tashmë i kishte përvetësuar”, shkroi ai.

Kjo ishte një nënvlerësim i madh të cilën Profesor Jeremy Pressman e vuri në dukje në esenë e tij për këtë çështje se “pjesa totale e tokës palestineze në Bregun Perëndimor do të ishte më afër 77 përqindshit për gjashtë deri në njëzet e një vite”. Një tjetër 10% do të kishte ardhur pas atyre “gjashtë deri në njëzet e një vite” nga Lugina e Jordanit. Duke gjykuar nga dështimi i Izraelit për t’u tërhequr brenda 5 viteve nga zonat e rëna dakord pas marrëveshjes së Oslos të vitit 1995, ky ‘premtim’ i paralajmeruar nuk ishte i saktë. (Kjo çështje është përmbledhur edhe nga Nigel Perry në Electronic Intifada, 2002).
Gjithsesi, Ministri i Jashtëm nën qeverinë e Barakut, Shlomo Ben Ami, foli hapur: “Po të kisha qenë unë palestinez, do ta kisha refuzuar edhe kampin David”, tha ai.

Sauditët kanë ndërmjetësuar një “Iniciativë Arabe të Paqes” në vitin 2002, ku Lidhja Arabe kolektivisht i ofroi Izraelit njohjen e së drejtës së tij për të ekzistuar dhe normalizimin e lidhjeve diplomatike në shkëmbim të tërheqjes së tij të plotë nga tokat arabe të pushtuara në vitin 1967, si dhe të një zgjidhjeje të drejtë për refugjatët palestinezë. Ky ishte një propozim i bazuar në konsensusin ndërkombëtar në përputhje me rezolutën 246 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1967 dhe u miratua nga 57 shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik përfshirë edhe Iranin.

Izraeli me sa duket nuk e pranoi një ofertë të tillë duke e injoruar masivisht. Por plani i asaj kohe fliste për normalizimin “me shkëmbim”, ndërsa Bin Salman ka treguar shumë shenja për t’i ofruar Izraelit normalizimin, pa shkëmbim.

Shprehjet e Bin Salmanit për solidaritet me zionistët vijnë në një kohë sulmesh të papara mbi popullin palestinez, simbolizuar edhe nga vendimi i SHBA-së për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit (dhe jo të Palestinës) dhe për të lëvizur ambasadën e tij muajin e ardhshëm. Tani ai duket se është i gatshëm të propagandojë propagandën sioniste, të nënçmojë palestinezët dhe të thotë se ata duhet ta mbyllin gojen dhe të pranojnë ofertat bujare izraelite (domethënë ti dorëzohen modelit të Bantustanit), sepse ai mund t’i avancojë qëllimet e tij.

Kjo o miqtë e mi tregon se si palestinezët po shiten nga despotët arabë. Nëse nuk ju pëlqen, vetëm “mbylleni gojën dhe mos u ankoni”./mondoweiss/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne