Abadi takon Erdoganin, tema kryesore Kurdistani

Kryeministri i Irakut Heidar Abadi ka shkuar në Turqi për të diskutuar zhvillimet në rajonin e Kurdistanit të Irakut, pasi Bagdadi dhe Ankaraja kërkojnë lidhje më të forta për tu përballur me çështjen e pavarësisë kurde.

Televizioni shtetëror i Turqisë TRT njoftoi të mërkurën se Abadi mbërriti në Ankara në mëngjes dhe shkoi drejt në pallatin presidencial për të takuar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Iraku ka kritikuar ashpër qeverinë rajonale të Kurdistanit për mbajtjen e një referendumi për pavarësinë më 25 shtator. Fqinjët e Irakut, Turqia dhe Irani kanë shprehur shqetësime të ngjashme duke thënë se ky veprim do të komplikonte më tej situatën e sigurisë në Irak dhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Pas bisedimeve me kryeministrin Abadi, Erdogan tha se Turqia do të ndihmonte Irakun të eksportonte naftën përmes një tubacioni që kryesisht anashkalon Kurdistanin irakian. Bagdadi i ka bërë thirrje qeverisë rajonale të Kurdistanit të dorëzojë një tubacion që është përdorur për eksportin e naftës në Turqi. Erdogan tha se Ankaraja do të siguronte “çdo lloj mbështetjeje” në Bagdad për të rihapur një tjetër tubacion të dëmtuar që kalon pranë qytetit verior të Mosulit. Presidenti turk tha gjithashtu se Turqia dhe Iraku po diskutonin një lëvizje të mundshme për të mbyllur kufijtë e Turqisë me Kurdistanin, e cila mund të kishte një ndikim masiv në ekonominë e territorit kurd. Nga ana e tij, Abadi përsëri dënoi qeverinë rajonale të Kurdistanit për mbajtjen e referendumit, duke thënë se veprimi ishte menduar të ndikonte në integritetin territorial të Irakut. “Me referendumin ata u përpoqën të thyen territorin tonë, ata u përpoqën të ripërkufizojnë kufijtë tanë”, tha kryeministri irakian./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne