Abbas kritikon “Marrëveshjen e Shekullit” të Trumpit dhe takimin në Bahrein

Presidenti palestinez, Mahmud Abbas, ka kritikuar ashpër projektin amerikan për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme duke e quajtur me emrin “Marrëveshja e Shekullit”, si dhe konferencën ekonomike e cila muajin e ardhshëm do të mbahet në Manama të Bahreinit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA, tha se Abbas kishte organizuar një event në pallatin presidencial në Ramallah, në shenjë respekti për donatorët e fondacionit i cili mban emrin e tij.

Në fjalimin e tij para zyrtarëve të pranishëm, ai tha se çështja palestineze nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike dhe se zgjidhja duhet të kërkohet kryesisht përmes mjeteve politike.

“Janë bërë disa hapa për të krijuar një shtet palestinez të pavarur dhe sovran me Kudsin si kryeqytet. Po ecim hap pas hapi,” tha Abbas.

Ai kritikoi ashpër planin amerikan për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, të cilën Trump e prezantoi si “Marrëveshja e Shekullit”. Pritet që plani të shpaloset publikisht së shpejti, për çka tashmë ka marrë mbështetjen nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti.

Abbas kritikoi edhe konferencën ekonomike e cila me mbështetjen e SHBA-ve do të mbahet në Bahrein muajin e ardhshëm.

“Plani ose turpi i shekullit, njëjtë sikur edhe konferenca ekonomike të cilën po planifikojnë ta mbajnë muajin e ardhshëm, do të përfundojnë në ferr”, tha Abbas.

Ai shtoi se Palestina nuk do të pranojë konstatimet e konferencës në Bahrein, sepse pas saj qëndrojnë njerëz të cilët palestinezëve u shesin vetëm imagjinatë të thjeshtë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne