Abbas: Nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Izraelin derisa të lirohen të burgosurit

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas ka deklaruar se nuk do të nënshkruajnë asnjë marrëveshje me administratën e Izraelit përsa kohë që të burgosurit dhe të arrestuarit palestinezë nuk lirohen nga burgjet izraelite.

Në mesazhin e tij me shkrim për Ditën e të Burgosurve Palestinezë, Abbas kërkoi nga Izraeli lirimin e palestinezëve nga burgjet.

Duke i përshkruar të arrestuarit si “luftëtarë heronj të lirisë” Abbas në mesazhin e tij thotë: “Ne e përsërisim premtimin tonë se kurrë nuk do të nënshkruajmë një marrëveshje paqeje pa u boshatisur burgjet izraelite. Ne nuk do t‘i nënshtrohemi asnjë presioni për të hequr dorë nga të burgosurit heronj dhe nga familjet e tyre. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë të gjithë mbështetjen e nevojshme që ata të jetojnë një jetë dinjitoze”.

Abbas tha se Izraeli për shkak të pandemisë së koronavisurit është përgjegjës kryesisht për jetën e të sëmurëve, grave dhe fëmijëve në burgje. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave për të drejtat e njeriut që të luftojnë për shpëtimin e të burgosurve duke bërë presion mbi Izraelin.

Asambleja Kombëtare Palestineze me një vendim të marrë më 17 prill të viti 1974 e shpalli 17 prillin si “Dita e të Burgosurve Palestinezë” që ajo të shënohet çdo vit si një ditë besnikërie për palestinezët në burgjet izraelite.

Sipas të dhënave zyrtare të Palestinës, në burgjet izraelite ndodhen mbi 5 mijë palestinezë prej të cilëve rreth 500 janë të burgosur administrativë dhe 230 fëmijë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne