Abbas: ShBA nuk është më negociatore e besueshme

Presidenti i Palestinës, Mahmut Abbas thotë se pas rezolutës për Jerusalemin në OKB, SHBA-të kanë humbur paanshmërinë dhe kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Abbas dhe president i Francës Emmanuel Macron pas një takimi në Paris, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Presidenti palestinez tha se “njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se me këtë administrata amerikane ka humbur paanshmërinë.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë plan për paqe që do të vijë nga ShBA-ja”, deklaroi Abbas.

Duke folur për votimin e mbajtur të enjten në OKB, Abbas tha se bota nuk mund të formësohet me forcë dhe se shtetet nuk mund të blihen me forcën e parasë.

“Ju nuk mund t’i blini shtetet me para, në mënyrë që ato të pranojnë pozitën politike që doni ju”, tha Abbas duke shtuar se ata i vazhdojnë përpjekjet diplomatike dhe se do t’i zhvillojnë marrëdhëniet me shtetet që mbështesin pavarësinë e Palestinës.

Abbas thotë se ShBA-ja është e vetmuar pas vendimit për Jerusalemin dhe votimit në OKB dhe e ka humbur rolin e negociuesit të besueshëm.

“Ne nuk do t’i largohemi rrugës së dialogut politik dhe kulturës së paqes dhe do të vazhdojmë rrugën tonë me ata që na mbështesin”, tha ai.

Gjithashtu lideri palestinez vuri në dukje se Franca ka një rol më ndryshe për Palestinën si shtet, por edhe brenda BE-së. Abbas shprehu falënderimet e tij për Francën, për mbështetjen e dhënë në votimin e të enjtes në OKB.

Kujtojmë këtu se projektrezoluta e titulluar “Jerusalemi Lindor i okupuar nga Izraeli dhe aktivitetet e këtij në territoret palestineze”, e përgatitur me iniciativën e Turqisë, u miratua në Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me 128 vota pro dhe 9 kundër, pavarësisht kërcënimeve të ShBA-ve, ndërkohë që 35 shtete abstenuan.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 6 dhjetor publikoi vendimin me të cilin e njohu Jerusalem si “kryeqytet të Izraelit” dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem. Pas këtij vendimi pasuan reagime të ashpra dhe protesta në disa shtete.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne