Duhet të frikësohet shumë ai
të cilit i frikësohen të gjithë.
Jul Cezari
Guximi studentor vrau frikën në zemrat e shumë shqiptarëve, këputi shumë vargonj që mbanin lidhur mendimin politik e qytetar në vend. Vrulli rinor studentor shkundi të mpirët nga mungesa e gjatë e lirisë politike dhe qytetare, zgjoi shumë nga të përgjumurit prej monotonisë së jetës dhe prej apatisë ndaj ndryshimit, shkundi mjaft të mbërthyer nga përtacia intelektuale, ringjalli shumë shpresat për një jetë me dinjitoze njerëzore, për mirëqenie në vend të varferisë, ndezi fort dëshirat dhe ëndrrat e shqiptarëve për të dalë nga bunkerët e mashtrimit partiak e të vetësugjestionimit ideologjik, për të shpërthyer muret e “klonet” e izolimit dhe të vetizolimit nga bota. Shumë shqiptarë dëgjuan dhe panë se edhe ndaj çështjes kombëtare shqiptare mund të kishte dhe duhej të kishte qasje të reja politike e publike, krejt të ndryshme nga ato që u ishin paraqitur shqiptarëve deri në atë kohë nga pushtetarët komuniste.
(Abdi Baleta, Kronikë kohe, Alsar, vëllimi 1, faqe 72)
DHJETORI DHE TERRORI
Dhjetori i vitit 1990 ishte një reagim i fuqishëm studentor dhe popullor kundër terrorit të diktaturës komuniste që kishte zgjatur për një kohë tepër të gjatë në Shqipëri. Megjithë egërsinë e diktaturës, dhjetori studentor triumfoi mbi terrorin komunist. Egërsia e diktaturës nuk mundi të ndalte vrullin demokratik të lëvizjes studentore të dhjetorit. Pas kësaj, ajo lëvizje, në ballë të së cilës qëndronte edhe Azem Hajdari, i kthyer sot në flamur të pavdekshëm të demokracisë, në Shqipëri filloi ai proces i madh përmbysjesh të njëpasnjëshme, rezultatet e të cilave kurrë nuk mund të shuhen, sado të marrë revan revanshizmi komunist, tani në përvjetorin e tetë të dhjetorit të 1990.
Megjithatë, edhe tani dhjetori është i sulmuar dhe i kërcënuar. Edhe tani pas tetë vjetesh, terrori neokomunist kërkon revansh mbi dhjetorin demokratik. Terrori ka arritur vërtetë të gjakosë dhjetorin studentor, ka vrarë Azemin dhe Arben Brocin, ka vrarë shumë e shumë demokratë të tjerë, ka djegur dhe shkretuar Shqipërinë.
Por terrori nuk ka fituar dhe nuk do të fitojë. Prandaj, terrori neokomunist turfullon, kërcënon dhe paralajmëron për përdorim armësh në mënyrën me banditeske, pa paralajmerim, ashtu siç ka bërë për gjysmëshekulli, e megjithatë, vetë terrori është i terrorizuar nga kujtimet dhe imazhi i dhjetorit. Terrori i neodiktaturës perpiqet t’ia kalojë atij të diktaturës në egërsi dhe dinakëri. Terrori i revanshizmit komunist ç’është e vërteta, ka arritur të bëhet edhe më cinik se terrori i diktaturës në dhjetorin e vitit 1990. Madje, terrori i revanshizmit ka edhe një avantazh, sepse gëzon përkrahjen e daanevertsave të Europës dhe propagandohet me zell nga BBC-ja e Londrës.
Por përsëri dhjetori eshtë më i fortë se terrori. Ushtruesit e terrorit shtetëror nuk e fshehin dot frikën që i ka zënë. Atyre u ka mbetur vetëm një mjet për t’i dhënë pak kurajo vetes. Kërcënimi se do të përdorin pa paralajmërim armët kundër shqiptarëve. Mirëpo, arma e demokracisë në fund të fundit ka dalë gjithmonë më e fortë se arma e terrorit.
…
I famshmi politikan dinak francez, Talejran, i thoshte dikur padronit të tij ne pushtet, të famshmit perandor të francezëve Napoleonit: “Me bajoneta, perandor, mund të bësh çdo gjë, por mbi bajoneta nuk ulesh dot”. Për kolltuk të pushtetit pushtetarët e sotëm revanshistë komunistë nuk kanë veçse bajonetat e tyre. Ata nuk kanë mjet tjetër për të sunduar në këtë vend dhe këtë ua tregoi më së miri populli shqiptar me refuzimin për t’u bashkuar me kushtetutën e krimit dhe të shkombëtarizimit të shqiptarëve. Edhe perandori i famshëm Napoleon, që lavdinë e tij e siguroi me forcën e armëve dhe të ushtrive, i thoshte njëherë Fontane-sit: “A e dini se çfarë admiroj më shumë në botë? Eshtë pafuqishmëria e forcës për të themeluar ndonjë gjë. Ka vetëm dy fuqi në botë: shpirti dhe mendja. Me afat të gjatë shpata mundet gjithnjë nga mendja”.
Nuk ka dyshim se edhe në Shqipëri demokracia do ta mundë shpatën e diktaturës dhe të terrorit që mundohen të vërtisin mbi kokat e shqiptarëve revanshistët komunistë të sotëm. Dhjetori i ‘90-ës ka nisur atë proces që nuk mund të kthehet kurrë më.
(Abdi Baleta, Kronikë kohe, Alsar, vëllimi 1, faqe 86-87)
“Në kontekstin e ligjshmërise mbretëron çiltërsia, liria, qetësia. Me kontekstin e dhunës mbretëron heshtja, e maskimi, shtrëngimi e shqetësimi. Në një shtet të së drejtës vepron besimi. Në një shtet të dhunës vepron mosbesimi i njerëzve ndaj njeri-tjetrit. Duhet një bazë legjitimiteti të pushtetit në shtet. Guliem Ferrero legjitimitetin e sheh në të drejtën e trashëguar të monarkëve ose në marrjen e shumicës së votave në zgjedhje. Qeveria që nuk mbështetet në legjitimitet ka frikë nga populli.
Frika e bën te përdorë terror. Që pushteti të mos degjenerojë në plotfuqishmëri, legjitimiteti ishte i domosdoshëm. Vetëm kur ka legjitimitet, ekziston liria, sepse legjitimiteti e kufizon pushtetin.
Atje ku ishte zhdukur legjitimiteti është shkatërruar liria. Liria forcohet vetëm kur pushteti dominohet nga e drejta. Përdorimi i domosdoshëm i dhunës rregullohet me ligj. Policia politike nuk është e domosdoshme.
As meritat më të mëdha ndaj shtetit nuk janë arsye që pushteti i një njeriu të jetë i paprekshëm. Individi është njeri dhe më i miri njeri mund të bëhet i rrezikshëm nese pushteti i tij nuk frenohet nga disa kufizime.”
(Abdi Baleta, Kronikë kohe, Alsar, vëllimi 4, faqe 52)
A DO TË BËHEMI VIKTIMA TË FRIKËS
Njohja dhe garantimi i të drejtave të njeriut është shpallur sot kusht i domosdoshëm për lumturinë e individit, mirëkuptimin e njerëzimit dhe paqen midis shteteve, është njësi matëse e demokracisë në çdo vend.
…
Një nga katër të drejtat kryesore që formulonte presidenti amerikan Ruzvelt ka qenë “E drejta për ta ndjerë veten të liruar nga frika”. Në një rast ai ka thënë: “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika”.
Gëzimi dhe krenaria për fitoret e demokracisë që nga levizja studentore e dhjetorit 1990 e deri në ndërrimin e pushteteve me zgjedhjen e 22 marsit 1992 u përmblodh në formulën: “Populli vrau frikën”. Ishte e kuptueshme të thuhej kështu, sepse për gati gjysmëshekulli për shqiptarët frika ka qenë tmerri dhe tortura më e madhe. Frika kishte depërtuar në çdo skutë të jetës së tyre shoqërore e familjare, kishte traumatizuar psikologjinë individuale e kolektive. Kur u tha se e vranë frikën, lindi shpresa e madhe se çdo gjë do të shkonte më lehtë e më shpejt në rrugën e demokracisë, lirisë dhe barazisë.
Por, për fat të keq, frika po rikthehet në mendjet dhe shpirtin e njerëzve.
Frika po ringjallet si një fantazëm që e ndjek njeriun në punë dhe në jetë. Hija e saj po duket në fytyrat dhe në sjelljet e njerëzve. Po rikthehen përsëri dukuri të shëmtuara të së kaluarës të lidhura me frikën si hipokrizia, pabesia, dyzimi e dyfytyrësia e njerëzve, fshehja e të metave dhe anët negative të gjendjes, lëvdatat e neveritshme të pushtetit, të presidentit, konformizmi e deri spiunllëku dhe provokimet. Kështu, po shohim se frikën vetem e paskemi plagosur e nuk e paskemi vrarë, se frika priste të ringjallej sapo të shfaqeshin të eturit për pushtet nëpërmjet frikës. Dihet që frikën e mbjellin tiranët, që frikën e sjell dhe e përforcon errësira, jo drita; egërsia dhe jo humanizmi; injoranca dhe jo kultura. Frika nga ana e saj sapo fillon të veprojë prodhon edhe më tirani, egërsi, errësirë, injorancë e nënshtrim. Sami Frashëri në kohën e tij ka thënë: “Tirania lind nga frika, sovrani që ka frikë nënshtetasit e tij është i shtrënguar t’i frikësojë ata”.
(Abdi Baleta, Kronikë kohe, Alsar, vëllimi 4, faqe 52)
Përgatiti për botim: Artur Shkurti, 16 tetor 2026

















