Administratorja e shoqërisë koncesionare të Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë, IEBV, zonja Ariola Kodra iu është përgjigjur akuzave nëpërmjet një prononcimi.
Ajo thotë se ndryshe nga sa është komentuar në media, mbetjet e qytetit të Durrësit prej ditës së parë dhe sot, landfilli i Tiranës i ka pranuar me kosto 0, pra falas. Ajo sqaron gjithashtu se ka qenë vetë bashkia e Durrësit ajo që ka kërkuar të sjellë mbetjet e saj në Sharrë, kërkesë e cila është pranuar nga shoqëria.
“Para disa kohësh shoqërisë iu drejtua një kërkesë nga Bashkia e Durrësit në lidhje me depozitimin e mbetjeve urbane të këtij qyteti për shkak të emergjencës mjedisore që ata shpallën. Patjetër që shprehëm disponibilitetin tonë për t’i pritur. Deri në këto momente që flasim këto mbetje nga qyteti i Durrësit vijnë me kosto zero”.
Për pyetjen mbi menaxhimin e parave nga buxheti i shtetit, administratorja Kodra tha se ky është një keqkupim i madh, pasi nuk kemi të bëjmë me një investim shtetëror, por me një investim për ndërtimin e impiantit nga koncesionari.
“Më lejoni t’ju them që shoqëria koncesionare të gjitha investimet e projektit i bën me kostot e veta. E vetmja tarifë që merr shoqëria nga bashkia Tiranë është tarifa e depozitimit për mbetjet urbane të qytetit. Është e pamundur që gjithë këto investime kolosale që po bëhen për këtë projekt të mbulohen vetëm nga kjo tarifë”.
Kapaciteti i landfillit të Tiranës shkon deri në 1400 ton mbetje në ditë ndërkohë që bashkia e Tiranës prodhon deri në 700 ton mbetje në ditë. Ajo sqaroi më tej, se parametrat mjedisorë në zonë brenda dy vjetësh kanë ndryshuar dukshëm dhe kjo vërtetohet nga matjet mjedisore dhe shifrat zyrtare të tyre.
Administratorja znj. Ariola Kodra fton të gjithë ata që hedhin baltë mbi këtë projekt të vijnë të vizitojnë nga afër atë./BW