Afat Kurtit ose t’ia lërë Kushtetueses, ja 3 opsionet që po shqyrton Thaçi për qeverinë e re të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të ndërmarrë qysh sot një veprim në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për formimin e qeverisë së re.

Që nga 25 marsi, kur Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, Thaçi kishte kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, por edhe nga partitë tjera, që të gjejnë zgjidhje për formimin e qeverisë së re.

Thaçi sërish kërkon emrin e mandatarit nga Vetëvendosje

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, ditëve të fundit janë shqyrtuar disa mundësi ligjore nga presidenti i Kosovës, ndër të cilat dominojnë tri opsione. T’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të aktgjykimit të saj të marrë vendimin, t’i japë një afat kohor të fundit Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për dërgimin e emrit të mandatarit te presidenti për formimin e qeverisë apo t’ia kërkojë drejtpërsëdrejti Lidhjes Demokratike të Kosovës emrin e kandidatit për kryeministër, marrë parasysh mungesën e përgjigjes nga partia fituese (Vetëvendosje).

Te opsioni i parë, konsiderohet se është krejtësisht i ligjshëm e kushtetues, kurse dy opsionet tjera, besohet se mund të sfidohen më pas nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese.

Një aktgjykim i ri nga Gjykata Kushtetuese

Presidenti Thaçi, gjatë paraqitjeve të tij para mediave, ka deklaruar se vendi i tij në lidhje me qeverinë e re do të jetë në harmoni me Kushtetutën.

Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës parasheh që “presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në kuvend për të formuar qeverinë”.Ky formulim në Kushtetutë e ka mbajtur deri më tani vendimin e presidentit të varur nga përgjigja e Lëvizja Vetëvendosjes, si parti fituese e zgjedhjeve.

Kushtetuta e parasheh që partia fituese i dërgon emrin e mandatarit presidentit dhe në një afat prej 15 ditëve, nga caktimi i mandatarit, duhet ta formojë qeverinë me mbështetjen e të paktën 61 votave në kuvend. Në të kundërtën, partia fituese dështon dhe presidenti e nis edhe rrethin e dytë të konsultimeve, në mnyrë që vendi t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme.

Krahas Kushtetutës, është edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, po në lidhje me formimin e qeverisë. Atë kohë, ky mendim ishte kërkuar pasi që partitë jofituese të zgjedhjeve, synonin ta formonin qeverinë pa partinë fituese, në atë kohë, pa Partinë Demokratike të Kosovës.

Çështja e formimit të qeverisë mund të përfundojë në Kushtetuese

Në atë aktgjykim thuhet: “Në rast se kandidati i propozuar për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara ne pajtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun.

Sipas këtij aktgjykimi thuhet se “nuk përjashtohet që presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër”.

Por, që të vjen në shprehje diskrecioni i presidentit, nëse ai në rrethin e dytë do t’ia besonte Lidhjes Demokratike të Kosovës formimin e qeverisë, pasi që LDK e ka shprehur publikisht synimin e saj, presidenti duhet të sigurohet se është shterur mundësia e parë, ajo e partisë fituese.

Në këtë aspekt, REL mëson se nëse presidenti do t’i drejtohet Kushtetueses, mes tjerash do të kërkojë interpretimin se a konsiderohet mungesa e përgjigjes nga Vetëvendosje si shterje e afatit kushtetues dhe dëshmi për partinë fituese të zgjedhjeve se nuk mund ta formojë qeverinë, në mënyrë që të kalohet në opsionin e dytë.

Çdo anashkalim i partisë fituese që në rrethin e parë të përpjekjes për formimin e qeverisë, nga njohësit e Kushtetutës është parë si problematik për kah ana kushtetuese.

Afati i fundit për Vetëvendosjen

Të paktën tri letra ijanë drejtuar Albin Kurtit nga presidenti Hashim Thaçi përmes së cilave i është kërkuar atij që ta propozojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re. Por, në vend të emrit, Kurti i ka kthyer letra Thaçit, duke i thënë mes tjerash se për të angazhimi parësor është në luftimin e përhapjes së koronavirusit. Kurse për qeverinë e re, Kurti i ka shkruar Thaçit se nuk mund të përdorë “standarde të dyfishta”, duke potencuar se nuk mund të formohet qeveria e re, por vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së koronavirusit.

Mbijetesa e Qeverisë Kurti përmes pandemisë

Ky sugjerim i Kurtit, nuk ia ka ndryshuar mendjen Thaçit i cili ka paralajmëruar se këtë javë “do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga parlamenti, e aftë për të luftuar COVID-19 dhe për t’i shërbyer popullit”.

Nisur nga ky zotim i Thaçit, nuk përjashtohet si mundësi që para se ta konsideron të shterur afatin për partinë fituese, Thaçi t’i drejtojë Kurtit dhe Vetëvendosjes kërkesën që deri në një datë dhe orë të caktuar, ta dërgojë emrin e kandidatit për kryeministër dhe nëse nuk respektohet ky afat, të konsiderohet se rrethi i parë i përpjekjes për formimin e qeverisë është konsumuar.

Ky opsion, tashmë i përfolur, sipas deklaratave që ka bërë Kurti, do të sfidohej menjëherë në Gjykatën Kushtetuese.

Kalimi i mandatit për qeverinë te LDK-ja

Përderisa Vetëvendosje nuk ka dhënë ende asnjë shenjë se do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit të Kosovës për dërgimin e emrit të mandatarit për qeverinë e re, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj Isa Mustafa janë deklaruar se ka gatishmëri për formimin e qeverisë, pa Vetëvendosjen.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se është në pritje të vendimit të presidentit.

“Akoma s’kemi ftesë, kur të thërrasin do t’i përgjigjemi. Dhe të shohim çfarë do të thotë presidenti”, ka thënë Mustafa, i cili ka marrë tashmë mbështetjen e strukturave të partisë për arritjen e koalicionit qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe pakicat.

Gjatë kësaj jave, ishte paralajmëruar edhe mundësia që Thaçi t’ia kalonte mandatin për formimin e qeverisë drejtpërsëdrejti LDK-së, parti kjo që doli e dyta në zgjedhje dhe po tregon gatishmëri për formimin e qeverisë.

Por, edhe në këtë rast, Vetëvendosje dhe Kurti e kanë paralajmëruar Thaçin se do të përballet me aktgjykimin e Kushtetueses.

Kurti ka thënë se në momentin që Thaçi e mandaton një subjekt tjetër politik për formimin e qeverisë duke e anashkaluar Vetëvendosjen si parti fituese, ai do ta mbledhë ekipin e tij ligjor dhe do të përgatisë lëndën për Gjykatën Kushtetuese. Ai ka rikujtuar se Kushtetuta e Kosovës ka zbrazësi në këtë çështje, duke thënë se “këtë zbrazëtirë kushtetuese nuk mund ta mbushë presidenti”.

Përderisa Vetëvendosje synon që të vazhdojë mandatin e qeverisë në detyrë deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit, nga shoqëria civile i janë bërë thirrje që të ndërmarrë veprime konkrete në lidhje me procesin e formimit të qeverisë.

Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një komunikate i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që pa humbur kohë duhet të ushtrojë të drejtën për të dërguar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.

“Rrjedhimisht, ne kërkojmë nga Lëvizja Vetëvendosje, që si fituese e zgjedhjeve, të zhvillojë konsulta me subjektet e tjera politike për lidhje të koalicionit të ri dhe të caktojë brenda një afati sa më të shpejtë kohor mandatarin e ri për të formuar qeverinë. Nëse LVV nuk ka vullnet politik për ta dërguar emrin e një mandatari për formimin e qeverisë së re, ajo mund ta ushtrojë të drejtën e refuzimit të mandatit, siç parashihet edhe në aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

“Megjithëse Kushtetuta jonë nuk e përcakton afatin kohor për propozimin e mandatarit, konsiderojmë se çdo vonesë në shfrytëzimin e kësaj dispozite kushtetuese mund ta shpijë vendin në ngërç institucional dhe kushtetues, si dhe do ta cenojë edhe parimin e stabilitetit institucional të vendit, duke ia pamundësuar kuvendit ushtrimin e kompetencave të tij në zgjedhjen e qeverisë”, thekson KDI.

Një qeveri për menaxhim të pandemisë apo për dialog?

Qeveria e Kosovës, e formuar mbi bazën e koalicionit në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u votua në kuvend më 3 shkurt. Por, ende pa i mbushur dy muaj, këto parti nuk arritën të vazhdojnë koalicionin, çka u pasua me mocionin e mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike te Kosovës dhe të votuar edhe nga opozita, më 25 mars, 2020.

Që nga atëherë, Qeveria e Kosovës, sipas Kushtetutës është në dorëheqje, përkatësisht në detyrë.

/REL

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne