Afganistan, droni amerikan vret dhjetëra civilë

Dhjetëra civilë kanë humbur jetën në një sulm të një droni amerikan mëngjesin e sotëm në Afganistanin lindor afër maleve Tora Bora, raporton Anadolu Agency (AA).

Attaullah Khogyani, zëdhënës i gurvernatorit të provincës Nangarhar, konfirmoi sulmin ndaj militantëve të dyshuar pro-DEASH në rrethin Khogyani.

Pa dhënë më shumë detaje, Khogyani për AA tha se druajnë për viktima civile.

Sipas Ajmal Ummer, anëtarë i kuvendit të provincës, të paktën 30 mbledhës të arrave të pishës janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit.

Që nga përfundimi i misionit luftarak në vitin 2014, nga të gjitha forcat e NATO-s që ishin të vendosura në Afganistan, vetëm forcat amerikane vazhdojnë të përfshihen në operacionet sulmuese kundër kryengritësve dhe ofrojnë mbështetje ajrore për forcat afgane.

E shtrirë në lindje të kryeqytetit Kabul, provinca Nangarhar mbetet një nga provincat më të pasigurta në Afganistan, ku militantët kontrollojnë disa zona në terren afër rajonit fisnor të Pakistanit.

Së fundmi, forcat afgane të mbështetura nga forca ajrore e SHBA-së arritën të rimarrin disa territore nga kryengritësit, duke rezultuar në përpleshje vdekjeprurëse me shumë jetë të humbura nga të gjitha palët./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne