Afrika premton ardhmëri me resurset natyrore

Shtetet e Afrikës, të cilat posedojnë pjesë të konsiderueshme të rezervave të resurseve natyrore në botë, premtojnë shpresë për të ardhmen e kontinentit me pasuritë e tyre.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu Agency (AA), në kontinentin afrikan nxirren minerale me vlerë të cilat janë të nevojshme për prodhimin e shumë gjësendeve që përdoren në jetën e përditshme. Kontinenti ka resurse natyrore të naftës, gazit natyror, diamantit, arit, uraniumit, kobaltit, platinit, bakrit, etj.

Afrika, resurset e së cilës u eksploatuan nga të huajt për vite të tëra, aktualisht tërheq vëmendjen e kompanive të mëdha botërore për shkak të pasurive të përpunuara dhe atyre të zbuluara rishtazi.

Republika Demokratike e Kongos, qendra e kobaltit

Pjesa më e madhe e tantalit, mineral që përdoret në prodhimin e telefonave celularë dhe laptopëve, sigurohet nga shtete si Ruanda dhe Republika Demokratike e Kongos.

Afrika po ashtu është burimi më i madh i kobaltit, mineral ky që përdoret në bateritë e pajisjeve elektronike mobile. RD e Kongos siguron gjysmën e nevojës së përgjithshme botërore për kobalt.

Edhe në nxjerrjen e mineraleve të vlefshme, siç janë ari dhe diamanti, Afrika zë vend të rëndësishëm.

Botsvana, Afrika e Jugut dhe RD e Kongos spikasin me diamant, Gana dhe sërish Afrika e Jugut me ar. Botsvana është një nga prodhuesit më të mëdhenj të diamantit në botë, së bashku me Rusinë dhe Kanadanë.

Nigeri dhe Namibia, ekstraktues të uraniumit

Kontinenti zë pjesë të konsiderueshme me uranium, element që përdoret si karburant bërthamor, ndërsa vendet ku më së shumti prodhohet ky element janë Nigeri dhe Namibia.

Kazakistani, Kanadaja dhe Australia zënë tre vendet e para në prodhimin e uraniumit, kurse Nigeri dhe Namibia radhiten në vendin e katërt, respektivisht të pestin. Megjithatë, Namibia pritet të kalojë në vendin e dytë me arritjen e kapacitetit të plotë të projektit të uraniumit Husab në këtë vend.

Nga ana tjetër, nga Afrika e Jugut sigurohet sasi e konsiderueshme e platinit dhe rodiumit, që përdoren në katalizatorët e automjeteve.

Pritet rritje e prodhimit të naftës dhe gazit natyror

Teksa disa shtete ende nuk mund të nxjerrin naftë dhe gaz natyror edhe pse posedojnë resurse të tilla, shtetet si Mozambiku, Kenia dhe Etiopia parashihet që së shpejti të zënë vend në sektorin energjetik duke i përdorur resurset e tyre.

Në dhjetë vitet e fundit, Mozambiku ka zbuluar 5.7 trilionë metra kub gaz natyror dhe 23 miliardë ton qymyr, ndërsa planifikohet që vendi të bëhet njëri nga eksportuesit e gazit natyror të lëngëzuar (LNG) me terminalet dhe fabrikat e lëngëzimit që do të hapen nga viti 2022.

Përderisa Nigeria dhe Angola kryesojnë në prodhimin e naftës në kontinentin afrikan, Algjeria, Egjipti dhe sërish Nigeria mbajnë primatin në prodhimin e gazit natyror. Në vitin 2016, Nigeria u radhit e 13-ta në prodhimin e naftës, kurse Angola e 14-ta. Vitin e njëjtë, Algjeria zuri vendin e tëtë në botë në prodhimin e gazit natyror.

Ndërkaq, edhe pse vitet e fundit vërehet rritje e madhe në Afrikë me përpunimin e resurseve natyrore, të ardhurat e siguruara nga këto resurse aktualisht nuk reflektohen tek popullata për shkak të korrupsionit, marrëveshjeve të fshehta dhe afatgjate të kompanive të mëdha, konflikteve dhe krizave politike.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne