Agjencia turke shtroi sofër iftari në Prishtinë

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Këvëllxhëm Këllëç (Kıvılcım Kılıç), e cila po ashtu mori pjesë në sofrën e iftarit, në fjalën e saj uroi që muaji i bekuar i Ramazanit t’i sjellë Turqisë, Kosovës, myslimanëve dhe gjithë njerëzimit paqe, lumturi dhe prosperitet.

Ajo theksoi se që nga viti 2004, kur TIKA ka filluar aktivitetet e saj në Kosovë, ka realizuar mbi 600 projekte bashkëpunimi me një vlerë mbi 100 milionë dollarë, ku falë këtyre projekteve janë rinovuar dhe pajisur me pajisje moderne institucione arsimore dhe shëndetësore.

Ndër të tjera, Këllëç tha se TIKA po ashtu ka realizuar mbi 150 projekte për të forcuar infrastrukturën e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, ku përveç kësaj fushe është ndihmuar edhe bujqësia, blegtoria, si dhe ka dhënë kontribut për ruajtjen e monumenteve historike.

Duke kujtuar masakrën në Gaza më 14 maj dhe luftërat, të cilat po vazhdojnë edhe në këtë muaj në vende të ndryshme me shumicë myslimane si: në Palestinë, Siri dhe Irak, Këllëç tha se Turqia do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm i ndërgjegjes.

“TIKA në emër të vendit tonë ka bërë shumë punë, duke ndihmuar jetën e popullit të Kosovës. Ne duke mos pasur asnjë interes, e vetmja dëshirë e jona është që dora, të cilën e kemi zgjatur me miqësi dhe vëllazëri, me projektet dhe punimet tona, me dashurinë dhe respektin e popullit turk të ofrojmë kontributin tonë për Kosovën, popullin e Kosovës dhe për ardhmërinë e saj të zhvilluar”, tha Këllëç.

Ndërkaq, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj duke u uruar muajin e Ramazanit të gjithë të pranishmëve në këtë ngjarje, tha se me këtë iftar të përbashkët i bashkohen çdo myslimani në botë që jeton sipas vlerave të fesë myslimane.

“Ky iftar është një lloj rikthimi në histori, sepse ne çdo herë e kemi mbajtur muajin e Ramazanit, jemi bashkuar në sofra të iftarit dhe vit pas viti e kemi kultivuar identitetin tonë. Ne krenohemi me kulturën, me identitetin tonë dhe me atë se kush jemi”,- tha Hoxhaj, duke shtuar se ndjehen krenar se në Kosovën e pavarur kanë bashkëjetuar fe e identitete të ndryshme, shqiptarë, turq, boshnjakë, serb e të tjerë.

Në mesin e shumë të pranishmëve nga institucionet turke si koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Kosovë Mehmet Ulker. Në këtë iftar të pranishëm ishin edhe ministri i Administratës Publike Mahir Yağcılar, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Luka, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava, deputetë të Kuvendit të Kosovës si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe mediave të Kosovës. (Anadolu Agency – AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne