Agjërime spirituale

nga Rossella Tercatin

Në mesin e majit ka nisur Ramazani, muaji i shenjtë i fesë islame në të cilin, nga agimi deri në muzg, nuk konsumohen as ushqim dhe as ujë. Këto privime janë një praktikë e zakonshme në shumë fe. Por edhe një mënyrë proteste

“Si është e mundur të rrish pa ushqim dhe ujë për 25 orë?” Kur më ndodh të shpjegoj se ku konsiston Yom Kippur, Dita e Shlyerjes, më solemnia e traditës hebraike, ajo që e mbërthen menjëherë imagjinatën e bashkëbiseduesit është ideja e një kohe kaq të gjatë, pa ngrënë dhe pa pirë. Kjo shënon momentin kur njeriu i përkushtohet lutjes dhe pendesës, ndërkohë që Zoti vendos se çfarë do të ndodhë në vitin që do të vijë, duke vulosur fatin e gjithësecilit në Librin e Jetës: agjërimi ndërfutet në këtë kontekst.

Kur rritesh me këto koncepte, nuk duket e çuditshme, as e pamundur. Çdo vit mendoj për gjithë këto kur vjen periudha e Ramazanit, i cili këtë vit ka nisur në 15 maj. Në muajin e shenjtë të fesë islame, që kujton Zbulimin e Kur’anit dhe Muhamedin, agjërohet përditë, nga agimi deri në muzg. “Shumëkush e sheh idenë e Ramazanit si të pazakontë, në të vërtetë trupi mësohet me një ritëm të ndryshëm, dhe kur përfundon, mbetet pakëz trishtim. Unë e krahasoj me shtatzaninë: gjatë Ramazanit, jeta e brendshme dhe ajo shpirtërore lulëzojnë”, shpjegon Chiara Ilham Allah Ferrero, Sekretare e Përgjithshme e Komunitetit Islamik në Itali. “Nuk është një periudhë ndrydhjeje. Eshtë shumë e ndjerë edhe nga myslimanët jo praktikues, dhe në mbrëmje, kur ndodhesh në xhami, ndjesia nuk është vetëm ajo e praktikës fetare, por edhe e bashkëjetesës”.

Heqja dorë nga ushqimi dhe pijet, edhe pse merr forma të ndryshme, është një pikëpjekje mes shumë feve, duke përfshirë edhe atë të krishterë. Vetë papa Jorge BErgoglio pak javë më parë, shpalli një ditë agjërimi dhe lutjeje për paqen dhe pajtimin, veçanërisht për Sudanin dhe Kongon. “Si tek Testamenti i Vjetër, edhe tek i Riu, nga marrëdhënia me ushqimin kalon marrëdhënia e lidhjes me Zotin”, shpjegon Massimo Salani, docent i studimeve teologjike dhe autor i “Në tryezë me fetë”. “Ndërkohë që në botën ortodokse zbatohet më rigorozisht, kohët e fundit në katolicizëm agjërimi ka rënë në harresë, edhe pse kërkohet dy herë në vit, të Mërkurën e Hirit dhe të Premten e Shenjtë, dhe diçka e tillë ka ndodhur me këshillën për të ngrënë pak të premten, si dhe agjërimin para Eukaristias. Në Perëndim po shohim një zhdukje të këtyre temave nga jeta e përditshme. Për mendimin tim, është një humbje”.

Në kristianizëm, koncepti i agjërimit interpretohet ndryshe nga hebraizmi dhe islami, uji përshembull lejohet. Një këndvështrim i mëtejshëm për këtë temë vjen nga don Antonio Montorfano, prej më shumë se 30 vitesh famullitar në Varano Borghi, me 2500 banorë, në provincën e Vareses. “Agjërimi si praktikë spirituale personale është ende shumë i përhapur, shpesh si formë shlyerje për një mëkat të caktuar, apo për të forcuar një lutje të caktuar. Lloji i heqjes dorë nga ushqimi është i personalizuar: ndoshta shmanget në lloj ushqimi, ose pijet alkoolike. Nga ana tjetër, ndjesia më e thellë e këtij ushtrimi nuk është formale, por thelbësore”.

Dhe sa u përket feve orientale, gjithnjë e më popullore? Rrëfehet historia e Gautama Budhas që, pasi la shtëpinë e prindërve, iu kushtua meditimit dhe ndrydhjes së trupit, duke u katandisur deri në pragun e vdekjes. Në atë pikë pranoi një tas oriz, që ia ofroi një bareshë, dhe në atë pikë kuptoi se qasja e duhur është Rruga e Mesit, jo bollëku, por as edhe agjërimi. E shpjegon Stefano Bettera, shkrimtar dhe gazetar budist. “Në budizëm nuk ekziston një këshillë për agjërim. Megjithatë, koncepti kyç është ai i të mos mbeturit peng i instikteve, i bërjes së një jetë me vetëdijësim dhe moderim, edhe sa i përket ushqimit”.

Në hinduizëm, agjërimi është një element i rëndësishëm, edhe pse është frut i një zgjedhjeje personale dhe jo i imponuar. Hinduizmi është një tërësi e shumë feve të ndryshme, agjërimi është një eksperiencë purifikuese, një mënyrë për t’iu ofruar Zotit. Dita e 11 e muajit hënor konsiderohet gjithmonë pikërisht për këtë praktikë. Meditimi për një kohë të gjatë, në heshtje, pa ngrënë, është një mënyrë për t’u forcuar, me të cilën mësohet edhe si të dëgjosh veten.

Një pyetje që të gjithëve u del spontanisht, është nëse agjërimi bën dëm.

Për një mendim të kualifikuar i drejtohem mjekut dhe kryerabinit të Romës, Riccardo di Segni, që ofron garanci: për ata që gëzojnë shëndet normal, edhe 25 orë pa ushqim dhe ujë nuk krijojnë probleme. “Dhe të mos harrojmë se mbrojtja e jetës së njeriut vjen parasëgjithash: kush ka probleme shëndeti, duhet të konsultohet me mjekun dhe më pas me rabinin, dhe ata që ndihen keq duhet ta ndërpresin menjëherë”, shton ai.

Yom Kippur dhe Pashka hebraike janë më të zbatuarat nga hebrenjtë kudo në botë, edhe nga më laikët. “Eshtë nëj takim i mbushur me domethënie, një thirrje e fortë për vetveten. Pastaj, është provuar sociologjikisht që sa më e rrallë të jetë një praktikë, aq më shumë ndiqet. Në hebraizëm, fillimisht agjërimi nuk shihej me sy të mirë: Yom Kippuri ishte një rast unik. Më pas në këtë qasje ndërfutet historia, me një seri agjërimesh për të kujtuar ngjarje të trishtuara, duke nisur nga ajo e muajit të 9 të Av, që kujton shkatërrimin e Tempullit të Jeruzalemit”.

Edhe në rastin e Ramazanit, ruajtja e shëndetit është e rëndësishme: përjashtohen të sëmurët, fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna apo që sapo kanë lindur, por edhe ata që gjenden në udhëtim, ndërkohë që kush për arsye pune s’mund të agjërojë – ndonjëherë problemi përfundon në qendër të prozhektorëve, si në rastet e futbollistëve – mund të kompensojë duke i dhënë një nevojtari ushqimin që i duhet për një ditë të tërë.

“Vuajtja prej mungesave nuk është vetëm një ushtrim i rëndësishëm durimi, por na ndihmon të ndjejmë dhembshuri për të gjithë ata që nuk munden ta zgjidhin problemin e urisë ashtu si ne, me tryeza të mbushura pas perëndimit, por vetëm atëherë kur jeta u mundëson të gjejnë pakëz bukë, apo një tas me oriz”, rrëfen Rassmea Salah, që në vitin 2015 bëri lajm sepse ishte ndër të parat këshilltare bashkiake në Itali që mbante vello. Rassmea kujton Ramazanët kur ishte fëmijë e paduruar për të agjëruar, dhe përshkruan kënaqësinë kur gjendet me të afërm dhe miq, që nuk shihen prej kohësh, për lutjen apo vaktet e mbrëmjeve (iftarët”.

“Agjërimi dhe heqja dorë janë ana tjetër e medaljes së festës fetare: ashtu si ushqimet që konsumojmë për festa të ndryshme, edhe heqja dorë nga ushqimi mund të rrëfejë përkatësinë tonë”, përfundon teologu Salani.

Pra, për t’u njohur më mirë, ulja në një tryezë është padyshim metodë e mirë. Por edhe momentet e heqjes dorë nga ushqimi, mishërojnë traditë dhe identitet. Në fund të fundit, agjërimi është shndërruar ndonjëherë në një formë proteste civile njerëzish, që janë larg çdo lloj besimi fetar. Ndonjëherë, botë të ndryshme janë më pranë mes tyre, nga sa imagjinojmë ne. “ Sette”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne