Agjërimi më i gjatë në Islandë, muslimanët agjërojnë 22 orë

Muslimanët që jetojnë në Islandë, shtetin ishull në Oqeanin Atlantik, kalojnë ditët në Ramazan duke bërë agjërimin më të gjatë në botë prej rreth 22 orësh, shkruan Anadolu Agency (AA).

Afërsisht 1.500 muslimanë që jetojnë në Islandë hapin iftarin thuajse në mesnatë, teksa koha për lënien e ushqimit është rreth orës 02:00. Megjithatë, muslimanët nuk ankohen aspak nga ky agjërim që zgjat rreth 22 orë.

Xhamitë në kryeqytetin e Islandës, Rekjavik, me ardhjen e muajit të Ramazanit shndërrohen në vende ku bëhen iftaret. Besimtarët që takohen në Fondacionin Islam të Islandës që shërben edhe si xhami, fillimisht pijnë ujë me thirrjen e ezanit në orën 23:48, kurse më pas menjëherë ngriten për të falur namazin e akshamit për të mos u ikur koha.

Pas faljes së namazit, ata shpërndajnë nëpër tryeza ushqimet e përgatitur së bashku dhe kalojnë në ngrënien e iftarit. Muslimanë nga vende të ndryshme, që jetojnë në Islandë dhe refugjatë të porsaardhur, bëjnë iftarin së bashku.

“Tre ditët e para i kanë të vështira, por pastaj i kthehen normales”

Imami me origjinë nga Maroku, Abdulaziz Uvlani, thekson se muslimanët nuk e ndiejnë kohëgjatësinë e agjërimit, për arsye se kalojnë kohën së bashku.

“Sado që të jetë i gjatë agjërimi, muslimanët këtu nuk e ndiejnë për arsye se mblidhen së bashku. Ne jemi si familje këtu. Gjatë ditës, vijnë këtu, lexojnë Kur’an, adhurojnë Zotin dhe përgatisin ushqimet. As që e mendojnë kohën e iftarit. Tre ditët e para i kanë të vështira, por pastaj i kthehen normales”, thotë imami Uvlani.

Ndërkaq, studenti pakistanez Furkan Khan thotë se krahasuar me vendin e tij, agjërimi është mjaft i gjatë.

“Nëse krahasohet me vendin tim, agjërimi është mjaft i gjatë, afër 22 orë. Moti është shumë i mirë. Tani për tani është mjaft mirë, po kënaqemi”, thekson Khan.

Edhe 32 vjeçari Imran Husejin nga Pakistani, i cili jeton në Islandë prej katër vitesh, konsideron se agjërimi në këtë vend është shumë i gjatë. Megjithatë, atij i pëlqen ky agjërim.

“Edhe pse është i gjatë, neve na pëlqen. Ky është Ramazani im i katërt në këtë vend”, thotë Husejin.

Ndërkohë, refugjati 24 vjeçar Zain Naseem, po ashtu nga Pakistani, thotë se ka pasur vështirësi gjatë agjërimit, meqenëse ky është agjërimi i tij i parë në Islandë.

“Megjithatë, në vitet e ardhshme do të duhet të adaptohem në këso orë të gjata”, shton Naseem.

Nga ana tjetër, Muhammed Aziz, pakistanez i sapoardhur në Islandë, thotë se ky është Ramazani më i mirë që ka kaluar.

“Ky është Ramazani më mirë për mua. Mbajmë agjërim gjatë tërë ditës. Natën kryejmë adhurime. Lusim Zotin të na i pranojë agjërimin dhe veprat tona”, shprehet Aziz.

Enes Ibrahimoviç nga Serbia, i cili prej 15 muajsh jeton në Islandë, tregon se teksa pret iftarin ndonjëherë bën gjëra të ndryshme në shtëpi, e ndonjëherë shkon në xhami.

“Si çdo herë, falim namazin, lexojmë nga Kur’ani. Falë Zotit, është duke shkuar shumë mirë. Mundohem ta kaloj kohën deri në iftar”, rrëfen Ibrahimoviç.

Imad Et-Turk, refugjat i ardhur në Islandë nga Libani, ankohet se Ramazani në Islandë është e pamundur të përjetohet jashtë xhamive.

“E ndiejmë Ramazanin vetëm në këtë xhami. Fatkeqësisht, jashtë nuk ka asnjë vend që të bësh ta ndjesh Ramazanin”, thotë ai.

Rreth 1.500 muslimanët që jetojnë në Islandë, përbëjnë 0.5 përqind të popullsisë së këtij vendi, i cili ka popullsi prej 330 mijë banorësh. Shumica e muslimanëve në këtë vend janë refugjatë.

Burimi më i vjetër islam që flet për Islandën është vepra e Muhammed Al Idrisit në shekullin e 12-të, Nuzhetu’l-Mushtak fi Ihtiraki’l-Afak.

Islandezët, të cilët në Mesjetë krijuan kontakte me muslimanët për shkak të aktiviteteve tregtare të vikingëve, rritën edhe më tepër ndërveprimin me muslimanët gjatë ekspeditave që i bënë në Jerusalem pasi pranuan Krishterimin rreth viteve 1000./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne