Agnes Callamard reagon ashpër ndaj kritikave të Arabisë Saudite

Raportuesja e posaçme të OKB-së për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard, reagoi ndaj kritikave të Arabisë Saudite në lidhje me raportin e saj.

“Dy javë para publikimit raportin ia dërgova Arabisë Saudite, por nuk mora ndonjë përgjigje në lidhje me të”, bëri të ditur Callamard.

Në sesionin e 41-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që vazhdon me punime në zyrën e OKB-së në Gjenevë të Zvicrës u bisedua për raportin e Callamard në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, të publikuar javën e kaluar dhe të cilin ajo i paraqiti Këshillit të mërkurën.

Përfaqësuesi i përhershëm i Arabisë Saudite në zyrën e OKB-së në Gjenevë, ambasadori Abdulaziz Al-Wasil pretendoi se “raporti bazohet në lajmet e publikuara në media dhe në ide të pre-fabrikuara”.

Al-Wasil gjithashtu pretendoi se Callamard raportin e saj të përbërë prej 101 faqesh nuk e ka përgatitur në përputhje me procedurat dhe ka përdorur burime të papërsosura.

Ndërkaq Callamard reagoi ashpër ndaj këtyre pretendimeve.

Duke vënë në dukje se metodologjia me të cilën është përgatitur raporti përdoret prej vitesh dhe se është e testuar dhe e drejtë, Callamard tha se “Ne sigurisht nuk u mbështetëm në media për të arritur në këtë përfundim. Burimet nuk i publikuam sepse ata janë të frikësuar nga hakmarrja”.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se zyrtarëve saudit u dërgoi letra të shumta për të vizituar këtë vend, ndërsa shtoi se nuk morën përgjigje për asnjë letër.

Raportuesja e posaçme e OKB-së përsëriti thirrjen e bërë Arabisë Saudite për të siguruar një gjykim transparent dhe të zhvillojë një bashkëpunim të plotë me Turqinë dhe shoqërinë ndërkombëtare në lidhje me rastin.

Gjatë publikimit të raportit të saj, Agnes Callamard theksoi që përgjegjëse për vrasjen e gazetarit saudit është Arabia Saudite, ndërsa shtoi se “Në lidhje me vrasjen e Khashoggit ka teori të shumta, por asnjëra nuk tregon rrugë tjetër përveç përgjegjësisë së Arabisë Saudite”.

Gazetari saudit, Jamal Khashoggi është vrarë më 2 tetor 2018 në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne