Agresori i sulmeve në Paris del para gjykatës: S’kam frikë nga ju, besoj te Zoti

Heshtja nuk më bën kriminel. Heshtja është mbrojtja ime”.

I dyshuari i vetëm i gjallë i sulmeve terroriste të Parisit, Salah Abdeslam nuk pranoi t’i rrëfehej gjykatës në Belgjikë, dalja përpara së cilës përbën edhe të parën që shihet në publik pas arrestimit.

28-vjeçari tha vetëm se myslimanët “paragjykohen si të pamëshirshëm”, e shtoi se e lë besimin e tij në dorë të Allahut e Profetit Muhamed.

“Nuk kam frikë nga ju dhe nga aleatët tuaj”, ishin fjalët e tij në sallën e gjyqit. Gjithë çfarë Abdeslami kishte për të thënë ishte apeli i drejtuar Prokurorisë për ta mbështetur çështjen e saj në prova të prekshme e legjitime, e jo të “kapardiset për të kënaqur opinionin publik”.

Kaq foli i riu i shndërruar në personin më të kërkuar të Europës pas sulmeve të vitit 2015 në sallën e koncerteve “Bataclan”, stadiumin “Stade de France”, e disa restorante dhe bare të kryeqendrës së Francës, ku u vranë 130 vetë e u plagosën qindra të tjerë.

Pyetjeve të gjykatësit, ai refuzoi t’u përgjigjej. Përballja e Abdeslamit me një gjykatë franceze nuk pritet të ndodhë përpara vitit 2019. Akuzat që rëndojnë mbi të në Belgjikë nuk lidhen me ngjarjet tragjike të Parisit, ku i vëllai Brahim ishte një prej agresorëve, por me shkëmbimin e zjarrit që pati me forcat policore belge gjatë arratisë së tij.

28-vjeçari, shtetas francez i lindur në Bruksel nga prindër marokenë, është mbajtur deri tani në një burg pranë Parisit.

Prej andej u largua mëngjesin e së hënës në shoqërinë e një numri të madh makinash policie, e do të kthehet në Francë çdo mbrëmje përgjatë 4 ditëve që pritet të zgjasë procesi gjyqësor.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne