Ahmet Zogu për ‘Corriere della Sera’: Shqipëria, një shtet i ri, por një komb shumë i vjetër

Gazeta franceze, « L’Intransigeant », ka botuar të mërkurën e 5 shtatorit 1928, në faqen n°3, intervistën e shkurtër të Ahmet Zogut me korrespondentin e « Corriere della Sera » në Tiranë.

Kurorëzimi i udhëheqësit matjan si Mbret i Shqiptarëve (1 shtator 1928) ka ngjallur asokohe pakënaqësi në Jugosllavi, ku reagimi i Beogradit ka qenë i menjëhershëm.

Gjithsesi, Ahmet Zogut nuk i mungonin ambiciet për krijimin e një Shqipërie të suksesshme. Madje, lideri shqiptar i ka rrëfyer gazetarit planin e mbretërisë së tij për të arritur këtë qëllim.

Cili ka qenë ky plan ? Përse ka reaguar Beogradi ? Në vijim do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Torino, 4 shtator (nga ana e korrespondentit tonë). – I dërguari i « Corriere della Sera » në Tiranë, pas marrjes pjesë në kurorëzimin e Mbretit të Shqipërisë, ka realizuar një intervistë me sovranin e ri.

Ahmet Zogu ishte i veshur me uniformë ngjyrë kaki të gjeneralit të këmbësorisë dhe me një kapele (colback) të bardhë. Ai nuk mbante asnjë dekoratë. Fytyra e tij nuk është e vrazhdë (egër), por thjeshtë e vullnetshme.

Në sallonin e pritjes, të stilit Rilindas, është varur një pikturë e vetme e portretit të nënës së mbretit.

« Vendi im, tha Ahmet Zogu, do të jetë, shpresoj, një element paqeje për shtetet ballkanike dhe për Evropën qendrore ; ai ka luftuar gjithmonë për pavarësinë e tij. Shqipëria është sigurisht një shtet i ri, por ajo është gjithashtu një komb shumë i vjetër. Shpirti i saj i ri inkurajon energjitë individuale dhe unë shpresoj se së shpejti mbretëria ime do të jetë në gjendje të formojë një rini të arsimuar, e vendosur të lulëzojë kombin. »

Për të festuar kurorëzimin e sovranit, shqiptarët e të gjitha krahinave kanë mbërritur në Tiranë të veshur me kostumet e tyre të vjetra piktoreske. – S.

Një protestë Jugosllave ?

Londër, 4 shtator (nga ana korrespondentit tonë në telefon). – Tek « Daily Mail » na vijnë lajme nga Vjena, se sipas një organi të mirëinformuar, « Graz Tagespost », qeveria e Beogradit ka bërë një protestë formale kundër shpalljes së Ahmet Bej Zogut si « Mbret i shqiptarëve » në vend të « Mbret i Shqipërisë ».

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne